Rama: Hidhuni përpjetë sa të doni, nderin e përballjes me mua s’do e keni! Mos u shkulni nga revolucionet imagjinare

 

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën duke thënë se mund të thonë sa të duan që është trembur e frikësuar dhe të mos shkulen nga revolucionet imagjinare, por s’do mund të përballen dot me të.

“Fronti i prokurorisë politiko-mediatike i pranishëm edhe në këtë sallë me krejt shtatmadhorinë e vetë, po zhvillon me hov revolucional në pazar një tjetër proces hetimor, gjyqësor, përmbarimor këtu në Shqipëri. Se kush janë dhe pse e bëjnë këtë autorët e kësaj vetëgjyqësie të harbuar, besoj se s’ka shumë nevojë për shpjegime. Dihen, njihen, shquhen botërisht për nisma të kësaj natyre dhe as nuk i ngatërron dot më dikë tjetër, por as nuk bëhen dot dikush tjetër.

Janë po ato që kur ishin në pushtet i kanë bërë të tëra të zezat për të cilat na akuzojnë natë e ditë qysh se ranë në opozitë. Jo vetëm s’ka nevojë për shumë shpjegime rreth tyre, por as unë s’kam ardhur sot dhe s’do të vij më këtu për ta. Këtu kam ardhur dhe do të vij sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve që kam nderin të përfaqësoj dhe po ashtu të deputetëve të shumicës të cilët sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat. Ky është mbase mocioni më absurd në historinë e këtij kuvendi, një kulmim i përçarjes dhe i përçartjes së kundërshtarëve të kësaj shumice në formën e një marrie konspirative të cilën prodhuesit e filmave me spiunazh në “Hollywood” do ta refuzonin si një shthurje delirante të fantazisë njerëzore. E kam menduar prej kohësh dhe kam thënë përpara se të fillonte e tërë kjo zallamahi qysh në të hyrë të vitit të ri se nuk do ta furnizoj më me energjinë time zjarrin e përditshëm të politikës së përplasjes pa ndalim dhe të zhurmës pa pushim.

Nuk kam më asnjë dëshirë të armatosem përditë me fjalorin e kësaj lufte të ulët politike dhe asnjë disponim për t’i shkuar pas avazit copave e çikave e një opozite e cila vetëm përsërit vetveten në pafundësinë një rruge qorre disfatash e maskaradash të njëpasnjëshme.

Fatkeqësisht jam përfshirë me zell dhe më zjarr përditë dhe në shumë vite në këtë palo luftë dhe kësisoj jam bërë pa dashje dhe unë pjesë e asaj mase të errët, e keqe dhe ndjellakeqe që i ka tëhuajësuar njerëzit me politikën duke i bërë të mendojnë se të gjithë ne në arenën e saj, jemi thjeshtë një jashtëqitje masive e kombit e ndarë përgjysmë. Mjaftë më!

Ka kaq shumë gjëra të dobishme për të bërë jashtë këtij qerthulli çnjerzilliku ngjitës. Flisni, bërtisni, ulërini, akuzoni, shpifni, kërcënoni, shani, sajoni, ofendoni, fabrikoni, protestoni, shantazhoni, hidhuni përpjete sa të doni por nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve bam e bum, njëri gozhdës e tjetri patkoit duke rrokullisur kokën e miletit pa karar e as orar, nuk keni për ta pasur më si deri dje. Mbushini mendjen vetes dhe thuajini sa të mundni të tjerëve se jam fshehur, jam trembur, kam ikur dhe jam tretur. Po të doni mos u shkulni më kurrë nga udhëkryqet e revolucioneve tuaja imagjinare  për të vulosur largimin tim, por mua s’do më keni më palë.  Në këtë valë të pambarim të shpatave tuaja, një neveri kombëtare që pa e dëshiruar e as kuptuar janë kthyer në pjesë të pandarë të saj. Ju jeni në rregull. Keni hyrë në vitin e dhjetë të rrugës ku me keni rrëzuar disa herë çdo vit. Me keni tërhequr zvarrë çdo dy vjet, më keni detyruar të arratisem një vit po dhe një vit jo”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

'McGonigal', 1 muaj sherr për 1 orë debat! Opozita-Ramës: Ik, je në hetim në SHBA! Kryeministri: Asnjë akuzë nga amerikanët! Rrugët tona ndahen këtu, shihemi më 14 maj


  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës