Lideri demokrat Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat, sot për të folur lidhur me procesin gjyqësor që kreu i qeverisë Edi Rama ka nisur ditën e sotme ndaj gazetarit gjerman për audio-përgjimet e publikuara tek Bild.

"Sot, Edi Rama shpalli se ka pajtuar një avokat gjerman kundër gazetarit Peter Tiede.  Është një nga avokatët më të shtrenjtë në Europë, që faturon të paktën 13 euro për minutë", tha Basha. 

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të qeverisë Edi Rama i cili i është përgjur akuzave të kryedemokratit. Rama thotë se pavarësisht se gjyqi do të bëhet në Gjermani, faturat do të publikohen në Shqipëri.

"Artist,ti nuk zhgënjen kurrë,je njish!Je i pandehur për qindra-mijëra euro ruse a dreqi e di ç’janë,të cilat po dreqi e di sa versione do sajosh deri në gjyq për t’i justifikuar dhe del e bilbilon për krimin që do paguaka avokatin gjerman për të luftuar lirinë e medias në Gjermani

Se kuptove kurrë o njish që është shah politika,jo kukamçefthi as topa luftash,po mos u mërzit! Gjyqi do bëhet në Gjermani,faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat,për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij,do dalë e plotë. Gjermanisht", shkruan Rama në reagimin e tij.

Në deklaratën e tij, lideri demokrat Basha u shpreh se Rama ka punësuar avokatin e sulltanëve pasi është një nga njerëzit me të pasur të Ballkanit sepse ka vjedhur Shqipërinë prej 21 vitesh.

"Ai jeton në luks. Mori si avokat kundër gazetarit gjerman që publikoi vjedhjen e zgjedhjeve, avokatin e milionerëve dhe sulltanëve. Sot, Edi Rama shpalli se ka pajtuar një avokat gjerman kundër gazetarit Peter Tiede.  Është një nga avokatët më të shtrenjtë në Europë, që faturon të paktën 13 euro për minutë. Të gjithë klientët e këtij avokati janë multimilionerë dhe miliarderë dhe, mes tyre mbretër, dhe sulltanë. Nuk është e rastësishme që në këtë listë, tani, do të jetë edhe Edi Rama, një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Padia që ka bërë mund të kushtojë qindra mijëra euro. Por Edi Rama nuk i asgjë as as milionat.

Ai ka 21 vjet që vjedh dhe plaçkit gjithë Shqipërinë. Ka marrë 20-40 për qind për çdo leje ndërtimi që ka dhënë në Tiranë dhe gjashtë vitet e fundit në Shqipëri ka zhvatur qindra milionë euro. Por nuk ka asnjë dyshim se një nga përfituesit direkt të trafikut marramendës së drogës ka qenë Edi Rama. Me këtë para kriminale Edi Rama jeton në luks, i shkëputur nga realiteti. Etja e verbër për para dhe pushtet, e zhveshur nga çdo ndjesi njerëzore, e çuan Edi Ramën në krahët e krimit që në fillimet e karrierës së tij dhe, që atëhere, ka mbetur peng i krimit.Në emër të krimit, në emër të avdylajbe, lalave, dakovea, gjiknurëve, manjave, Edi Rama paska vendosur të padisë një gazetar perendimor që i nxori lidhjet e tij me krimin, duke paguar me paratë e korrupsionit.

Është e njëjta mbrojtje që u ka bërë gjatë këtyre viteve Mark Frokut, Armando Prengës, Pjerin Ndreut, Artur Bushit, Elvis Roshit, Qazim Sejdinit, Saimir Sahirit, Damian Gjiknurit, Agron Xhafajt, rrajave, habiljave, shullazëve dhe trafikantëve të tjerë. Mbrojtje totale, pandëshkueshmëri absolute ndaj krimit dhe korrupsionit. Këtë e ka arritur duke shkatërruar shtetin ligjor dhe demokracinë. Duke kapur çdo pushtet", tha Basha.