Merr fund odiseja e pronësisë së Kishës Katolike në Elbasan. Pas dy dekadash betejë ligjore për pronësinë e truallit, mes kishës dhe disa pronarëve ku përfshihej dhe bashkëshortja e ish Presidentit Bujar Nishani, tashmë Kisha zotëron certifikatën e pronësisë.

Pasi qeveria kompensoi pronarët nëntorin e vitit të shkuar, kryeministri Rama i dorëzoi dokumentin Kishës Shën Piu X.

 “Më vjen shumë mirë që sot ne i japim fund një kalvari shumë të gjatë, një kalvari absurd dhe të dhimbshëm për komunitetin katolik dhe për Kishën Katolike shqiptare, e cila, pasi kaloi përgjatë flakëve të ferrit të diktaturës, u desh të ndeshej për çerekshekulli me flakët e ferrit të administratës. Praktikisht, siç edhe e dini, u kërcënua seriozisht në ekzistencën e saj këtu në Elbasan dhe më vjen mirë që, përfundimisht, përgjithmonë, nga sot kisha do disponojë pronën e saj të regjistruar dhe të patundur dhe të patundshme më,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri shtoi se qeveria është e angazhuar t’i japë fund problemeve me pronësinë të gjithë institucioneve e kultit në vend. “Ne, për fat të keq, trashëguam një situatë apokaliptike për pronën e komuniteteve fetare dhe prej disa vitesh jemi angazhuar në dhënien e titujve të pronësisë, duke legalizuar godina, kisha, apo xhami të ndërtuara, të rindërtuara nga hiri prej besimtarëve, prej komuniteteve, prej individëve bujarë dhe në të njëjtën kohë duke bërë regjistrimin vullnetar të pronësisë së tyre. Ka ende për të bërë, por besoj që tanimë jemi më afër fundit sesa fillimit shumë të ngatërruar të kësaj historie,” deklaroi Rama.

Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Brown i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama mirënjohjen e veçantë për mbështetjen edhe në emër të Papa Franceskut për këtë akt.