Në një ceremoni të organizuar në kryeministri në nder të atletes shqiptare Luiza Gega e cila u shpall kampione Europe ne garën 3000 m me pengesa, kryeministri Edi Rama nderoi kampionen me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike, në ceremoninë që vijoi në Sallën e Hartave, në Kryeministri.
Teksa i dorëzoi Medaljen e nderit, Kryeministri Rama tha se me fitoren e saj të merituar Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie, si dhe imazhin e një Shqipërie që ja del me kokën lart mes gjithë të tjerëve.
‘Në atë vend apo në ato vende ku ata kanë ngritur flamujt e kombeve të tjera shpërblimet janë më pak sesa shpërblimi që do marrë Luiza, me plot meritë, por nuk ka asnjë shpërblim financiar që mund ta shpërblejë Luizën për atë që i ka dhënë kombit dhe prandaj, unë dua ta them, përpara se ta mbyll, që edhe kjo medalje, “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike” është thjeshtë shprehja e përulur e admirimit, respektit dhe mirënjohjes, por nuk e kompenson dot sepse nuk ka shpërblim financiar, nuk ka medalje që mund të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën.
Normalisht, Luiza, kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore, kryesisht, pra normalisht këtë do e merrte Churchill e jo ti, por në fakt, ty të takon, ndoshta, më shumë se kujtdo tjetër sepse në mbajtjet e shenjave të kësaj medaljeje, shqiponjës dykrenare me yllin gjashtë cepësh, është hija e atletit të parë të kombit tonë, atleti i lirisë, Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Duke t’u lutur të vish këtu, pa ju trembur shtatlartësisë sime të kotë, se mua më rrofshin gjithë këto centimetra dhe unë e di që ti je trime e nuk trembesh. Edhe vetë Napoleoni që është themeluesi i Kordonit të Madh të Legjionit të Nderit, nëse i besojmë arkivave, ishte vetëm 2 centimetra më i gjatë se ti, por ishte 20 minuta më i ngadaltë sesa ti.'- u shpreh Rama.
Lajmi kryesor: