TIRANË-  E përlotur e triumfatore parakaloi kampionia e Europës Luzia Gega në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. E shoqëruar nga ministrja e Sportit, Evis Kushi në një makinë kabriole Luiza Gega u prit me ceremoni shtetërore dhe nga qindra qytetarë të cilët e uruan për fitoren. Gega falënderoi të gjithë qytetarët, ndërsa ndau edhe disa përqafime me ta.

Në hyrje të kryeministrisë, 33-vjeçarja u prit nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili zgjodhi një gjest të veçantë për t’i për të uruar një kampione europe. Ai i puthi duart Luiza Gegës në shenjë mirënjohje. Ceremonia u zhvendos në ambientet e kryeministrisë, ku atletes më të mirë evropiane iu dha nga Rama medalja “Kordoni i madh i Yllit të Mirënjohjes Publike”.

Luiza Gega mbajti një fjalim plot emocione, ku me zërin që i dridhej tregoi të gjithë rrugëtimin e vështirësitë që ka kaluar për të arritur këtë ditë. Ndonëse është përballur me momente të vështira, apo të errëta, siç i quajti ajo, Luzia Gega tha se vendosi që të mos dorëzohet, por të ecë përpara me shpresën që një ditë ky vend do të ndryshojë.

Ajo foli edhe për ndryshimet në fushën e sportit, teksa shtoi se janë bërë shumë gjera, e sot nuk do ta arrinte atë rezultat nëse ky vend s’do kishte mbështetur sportin, ndonëse sipas saj ka ende shumë punë për të bërë. Luiza Gega u ndal edhe në garën e madhe që fitoi në Munih, e cila tha se ka përjetuar shumë emocione, por e donte me çdo kusht atë medalje për t’i treguar Europës që edhe një vend i vogël si ne mund t’ia dalë.

Kryeministri Edi Rama tha se Luiza Gega i dha një nivel tjetër fisnikërie Shqipërisë dhe se rrugëtimi i saj ka qenë shumë i vështirë, plot sfilitje, mund, gjak e djersë. Rama nuk kurseu batutat as për ambasadoren e BE-së në vendin tonë.

“Të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti, më vjen mirë që rastësia e deshi që unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e BE në Shqipëri që i kërkova të qëndrojë për të kremtuar një kampione europiane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë mbrapa Gjermaninë. Gjermania sot në këtë sallë, është e dyta pas Shqipërisë”, tha Rama.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Olimpik Shqiptar Fidel Ylli përshëndeti edhe trajnerin e kampiones, Taulant Stërmasin, ndërsa u shpreh i kënaqur me mbështetjen e dhënë nga qeveria.

Ndërkohë ministrja Kushi, paralajmëroi ndryshime në ligjin e sportit, në të cilin parashikohet se sportistë elitarë si Luiza gega të marrin Grada honorifike dhe gradën ‘Kolonel’.

Atletja shqiptare Luiza Gega u shpall mbrëmjen e së shtunës kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, në Mynih të Gjermanisë. Ajo shënoi kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga fillimi e deri në fund.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:34
'Ku ta dija unë i shkreti që Evropën e kisha pasur kaq pranë', fjalët që i tha Robert Ndrenika kampiones Luiza Gega

1661268917_ll.JPG

Entuziazmi për fitoren e Luiza Gegas, si kampione Evrope në 3000 metra me pengesa, ka kapluar qytetarët e institucionet. E para atlete shqiptare që shënon një sukses të tillë, ka marrë edhe urimet e aktorit Robert Ndrenika.

“Ku ta dija unë i shkreti që Evropën e kisha pasur kaq pranë”, janë këto fjalët përmes së cilave, siç poston në Facebook drejtori i Drejtorisë së  Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore së Bashkisë Tiranë,  Dhimitraq Furrxhiu, artisti ka zgjedhur të shprehë urimet e tij.

Luiza është gjendur pranë Ndrenikës si dhe artistit Helidon Halidi në kuadër të mikpritjes që i ka bërë Këshilli i Kulturës dhe Sportit i Bashkisë Tiranë, ku bën pjesë edhe aktori. Atletes i është dhuruar në mënyrë simbolike edhe një buqetë me lule.

Ora 12:28
Rama i dorëzon Luiza Gegës ‘Yllin për Mirënjohje Publike’: E meriton më shumë se kushdo tjetër

Në një ceremoni të organizuar në kryeministri në nder të atletes shqiptare Luiza Gega e cila u shpall kampione Europe ne garën 3000 m me pengesa, kryeministri Edi Rama nderoi kampionen me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike, në ceremoninë që vijoi në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

Teksa i dorëzoi Medaljen e nderit, Kryeministri Rama tha se me fitoren e saj të merituar Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie, si dhe imazhin e një Shqipërie që ja del me kokën lart mes gjithë të tjerëve.

‘Në atë vend apo në ato vende ku ata kanë ngritur flamujt e kombeve të tjera shpërblimet janë më pak sesa shpërblimi që do marrë Luiza, me plot meritë, por nuk ka asnjë shpërblim financiar që mund ta shpërblejë Luizën për atë që i ka dhënë kombit dhe prandaj, unë dua ta them, përpara se ta mbyll, që edhe kjo medalje, “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike” është thjeshtë shprehja e përulur e admirimit, respektit dhe mirënjohjes, por nuk e kompenson dot sepse nuk ka shpërblim financiar, nuk ka medalje që mund të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën.

Normalisht, Luiza, kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore, kryesisht, pra normalisht këtë do e merrte Churchill e jo ti, por në fakt, ty të takon, ndoshta, më shumë se kujtdo tjetër sepse në mbajtjet e shenjave të kësaj medaljeje, shqiponjës dykrenare me yllin gjashtë cepësh, është hija e atletit të parë të kombit tonë, atleti i lirisë, Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Duke t’u lutur të vish këtu, pa ju trembur shtatlartësisë sime të kotë, se mua më rrofshin gjithë këto centimetra dhe unë e di që ti je trime e nuk trembesh. Edhe vetë Napoleoni që është themeluesi i Kordonit të Madh të Legjionit të Nderit, nëse i besojmë arkivave, ishte vetëm 2 centimetra më i gjatë se ti, por ishte 20 minuta më i ngadaltë sesa ti.'- u shpreh Rama.

Ora 12:24
Luiza Gega: Kam pasur oferta nga vende të tjera, por e dua këtë vend dhe kam besuar se do të ndryshojë

 

Kampionia e Europës Luiza Gega në fjalën e saj mes emocionesh tha se ajo ka pasur shumë oferta për të vazhduar me vende të tjera, por tha se e do shumë Shqipërinë dhe se ka besuar se vendi jonë do të ndryshojë.

‘Rrugëtimi nuk ka qenë kaq i suksesshëm sa unë them, por vendos që mos të dorëzohem km pasur dhe oferta për të vazhduar me shtete të tjera, por e kam dashur këtë vend dhe kam besuar se do të vijojë një ditë që vendi jonë do të ndryshojë. Ne kemi vërtetë gjëra për të përmirësuar por kemi ecur shumë përpara. Siç flasim për ligjin e sportit, mbështetjen e bashkisë e KOKSH. Janë këto faktorë që mbështesin sportistët dhe them si nuk jam dhe një herë 20 vjeç ti kisha këto kushte. Nuk është kurrë vonë nëse do të punosh dhe do t’ja dalësh. Kam ndjerë shumë emocione në pistën e Munihut.’- u shpreh Luiza Gega.

 

Ora 12:21
Luiza Gega: Sot jam më krenare se kurrë, doja t’i tregoja Europës që edhe ne mundemi

Luiza Gega kampione e europës thotë se sot ndihet krenare më shumë se kurrë. Luiza shprehet se donte t’i tregonte Europës që edhe ne, një vend i vogël mund t’ia dalim.

“Sot ndjehem më e emocionuar se kurrë. Vendosa të vi me ngjyrat kuqezi se ndjesh më krenare se kurrë, jo për aq sa arrita por doja ti tregoja europës që edhe ne mundemi. Unë në fakt dua ta nis me disa falënderim s epa to s’do isha kurrë sot, familja ime që ka sakrifikuar vërtetë shumë, duke u mundur ti bëj krenar ato sot ka kam arritur, trajnerit tim  sot nuk do isha këtu apo në majat më të larta të europës. Faleminderit zoti kryeministër që ndihme. Më falni për emocionet nuk kam përgatitur fajlim por dua të them atë që ndjej”, tha Gega.

Ora 12:20
Ceremonia për Luiza Gegën, Rama bën krahasimin: Gratë në Lojërat Olimpike dikur ishin si vajzat me perçe të disa vendeve prapa diellit

Kreu i qeverisë Edi Rama, në ceremoninë për nder të atletes Luiza Gega pasi u shpall kampione Europe, ka bërë një krahasim të pazakontë teksa ka përshkruar historinë e vajzave në lojërat olimpike, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e pritjes së atletes Luiza Gega.

Rama tha se në fillim të lojërave olimpike moderne, gratë pranoheshin vetëm në disiplina “me namuz” si tenisi apo golfi, duke shtuar se “ishin njësoj si gratë dhe vajzat me perçe të disa vendeve prapa diellit. 

'Luiza nuk është më thjesht një vrapuese e shpejtë, as vetëm një vrapuese në pistën e atletikës, por është një pararendëse, një paralajmëruese, është një parakumtuese, siç do të përkufizohej në shkrimet e shenjta. Nuk e ekzagjeroj aspak sepse historia e atletikës qysh në gjenezën e saj ka treguar që është fati dhe është njëkohësisht brenga e atletëve që vrapojnë që nga koha e olimpiadave të Mesdheut, të zotave që të parashpallin potenciale të reja si të ishin orë dhe si të ishin zana, karshi tundimeve për jetën e rehatshme dhe status quo-në apo karshi dorëzimeve në krahët e errësirës.

Çdo hap më i shpejtë i një atleti është në fakt një parakumt i një hapi tjetër më të shpejtë për mbarë njerëzimin.

Dua të kujtoj këtu sot fatin e dy pararendësve të lirive që jetojmë sot që janë pararendës edhe të Luizës në ngadhënjimin e saj të freskët, por që patjetër do të mbahet mend përgjithmonë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta jetonim këtë moment, Jesse Owens. Nuk e di a u thotë gjë ky emër atyre që janë më të rinj, por është emri i një sfiduesi me uniformën e një atleti poshtë në pistë, ndaj ideologjisë hitleriane dhe ndaj racizmit, në një kohë kur maksimumi kishte rivalë, por nuk ekzistonin akoma sfiduesit.

Lojërat Olimpike të Berlinit, 1936 ai gjigand afroamerikan vrapoi dhe fitoi në sytë e çmeritur të një stadiumi që ishte krenaria e regjimit përjashtues dhe ultra racist nazist. Ai fitoi garën, por i pararendi diçkaje shumë më të madhe, një shoqërie njerëzore më të barabartë, më vëllazërore, më gjithëpërfshirëse që erdhi pas tij.

Nëse e shohim gjenezën e vet lëvizjes olimpike, stereotipat e bukurisë së lashtë u përdorën nga baroni de Coubertin, që ishte dhe ideatori i lojërave olimpike moderne në 1896, si himn ndaj fuqisë mashkullore, se aleanca mes muskujve të burrit dhe inteligjencës, në një botë që i përjashtonte komplet gratë dhe vajzat, të cilat lejoheshin të futeshin nëpër fusha garash vetëm në disa disiplina me namuz. Tenis, golf, patinash artistik ku ishin njësoj si gratë dhe vajzat me perçe të disa vendeve prapa diellit, që nuk kishin asnjë mundësi të kapërcenin murin e madh dhe në 1928 veterania e sportit Alice Miliat ia doli që me një kokëfortësi të madhe të bënte që garat e olimpikes të hapeshin dhe për femrat dhe këtu depërtoi një Luizë që i përket historisë, e cila bëri një skandal të paparë, Karoline Radke Batschauer, e famshmja Lina Radke e cila do ishte kampione dhe rekordmene olimpike në 800 metërsh, me gjak, me sfilitje, me lot dhe me djersë dhe paralajmëroi një ngadhënjim femëror që tronditi aq shumë botën e  atëhershme sa parafytyroheni, solli ndalimin e çdo gare mbi 200 metra për femrat për 40 vjet dhe u desh viti ’60 që 800 metërshi të rikthehej si garë për femrat.'- tha Rama.

Ora 12:13
Rama për Luiza Gegën: Tregoi se asgjë nuk të pengon të ngjitesh në majë nëse je i vendosur të paguash çmimin sfiltës të lotit e gjakut

Kryeministri Edi Rama tha se nuk ka shpërblim financiar që e kompenson sfilitjen, lotin, gjakun e lodhjen e Luiza Gegës. Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria i shpërblen sportistët shumë më mirë se shumë vende të tjera

'Të jesh kamionë europiane në një vend që pistën e parë normale, që prapë është normale në anormalitetin e vet se është në pyll, të atletikës e ka ndërtuar tani, do të thotë t’i thuash të gjithëve që asnjë arsye sado objektive, asnjë pengesë sado objektive, asnjë distancë sado objektive me këdo qoftë para teje, nuk të pengon të ngjitesh në majë nëqoftëse ti je i vendosur të ngjitesh në majë dhe të paguash çmimin. Të paguash çmimin e sfilitjes, të gjakut, të lotëve dhe të djersës. Shumë do doja të flisja ende, por besoj se fjalët u thanë dhe për të mos marrë mësysh po i vë një hudhër fjalimit duke sjellë këtu në vëmendje një pjese brutale të komunitetit tonë që nuk e duron dot suksesin, nuk e durojnë dot dhe nga ana tjetër që nivelin e urrejtjes për tjetrin, s’ka rendësi nëse tjetri është i një ane tjetër politike, apo në një ane tjetër lagjeje, e ka te tillë sa është gati ta bëjë copë Shqipërinë, të bëjë copë çdo gjë që është shqiptare, jo se nuk e do atdheun, jo se nuk e do flamurin, jo se nuk e do shtëpinë e vet, por sepse nuk arrin dot ta kuptojë se atdheu nuk është vetëm i veti dhe i anës së vetë. Kjo arrin kulmin kur në vend të admirohet pikërisht ana reale e suksesit, që s’ka të bëjë fare me financat, që s’ka të bëjë fare me kushtet, por ka të bëjë vetëm me ëndrrën dhe vullnetin për ta ndjekur ëndrrën deri në fund. Shpotitet suksesi dhe flitet për euro, flitet për braktisje, për vuajtje dhe sfilitje. Kam vetëm një fjalë për t’u thënë këtyre. Shqipëria sot i shpërblen, sot, - jo Luizën sot, Luiza sot është vazhdimi i një rruge të hapur prej disa kohësh, - sportistët që bëjnë sukses më shumë sesa shumë vende të tjera shumë më të suksesshme. Mbase sepse ata kanë më shumë kampionë se ne, por e vërteta është kjo dhe unë dua ta falënderoj edhe Borën, edhe Evisin, edhe Fidelin që nuk folën për shifra. Shifra e mbështetjes për Luizën është një shifër që nuk do ta imagjinonin dot sportistët që shkonin ndërronin kombësinë, jo në ’91, por në 2012 dhe ngrinin flamuj të kombeve të tjera për të nxjerrë deri në fund potencialin e tyre, jo sepse janë tradhtarë, por sepse nuk mund dot të jetojnë nën peshën e tradhtisë së atyre që e kanë për detyrë t’i mbështesin. Nuk do ta imagjinonin dot.'- u shpreh Rama.

Ora 12:05
Luiza Gega kampione Europe, Rama: Ftova ambasadoren e BE-së të marrë pjesë në festë, jo gjithmonë na ndodh të lëmë pas Gjermaninë

 

Kryeministri Edi Rama është prezantuar sot me ambasadoren e re të BE-së në vendin tonë, Christiane Hohmann, nga Gjermania. Rama tha se e ka ftuar ambasadoren që të marrë pjesë në festimet për Luiza Gegën, pasi ky është një rast i veçantë se jo gjithmonë i ndodh Shqipërisë të mund Gjermaninë.

“Të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti, më vjen mirë që rastësia e deshi që unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e BE në Shqipëri që i kërkova të qëndrojë për të kremtuar një kampione europiane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë mbrapa Gjermaninë. Gjermania sot në këtë sallë, është e dyta pas Shqipërisë”, tha Rama.

Luiza Gega është kampionia e re e Europës në atletikë. Shqiptarja ka bërë një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih. 

Ora 12:00
Ceremonia për Luiza Gegën, Rama nuk përmbahet: Cinikë dhe tallje trapistët shpotitin suksesin dhe flasin për euro

Në ceremoninë në nderim të atletes shqiptare Luiza Gega, kryeministri shqiptar Edi Rama, iu përgjigj ashpër ashpër kritikëve, të cilët kanë akuzuar kryeministrin dhe qeverinë që nuk e kanë mbështetur sportisten. Rama i quajti cinikë, ndërsa kujtoi se Shqipëria ka një kampione, ku pistën e parë të atletikës e ka ndërtuar tani.

'Kështu që, e dashur Luiza, nëse më pyet se ku hyn ti këtu, unë mendoj që ti hyn në një kënd shumë specifik si para kumtuese e një Shqipërie ku shumë më tepër vajza e djem, shumë më shpejt sesa vonë, do provojnë të kundërtën e asaj që predikojnë cinikët dhe më falni tallje me Kombin me flamurin dhe me çdo norme morale, dhe etike të traditës shqiptare. Shumë vajza dhe djem që sot janë të regjistruar edhe në lëvizjen e re olimpike për të cilën kemi një vit që përgatitemi, në lëvizjen që do të nisë këtë shtator nga shkollat, nga universitetet, me mbi 650 skuadra të regjistruara në volejboll dhe basketboll për vajza dhe për djem në shkolla dhe rreth 50 pak a shumë, në mos gaboj, universitete që do të shtohen, me një kalendar që për herë të parë do të ketë lëvizja sportive ne Shqipëri e sportit jo thjeshte për të fituar, por e sportit për të ndryshuar në raport me jetën shoqërore, në raport edhe me tundimet dhe sfidat që sjell teknologjia e cila i ka mbërthyer kalamajtë pas atyre mrrokllave që i shkëpusin nga shokët, që i shkëpusin nga gjuha e folur, që i shkëpusin nga puna fizike dhe që s’kanë lidhje fare me sfilitjen, me gjakun, me djersen dhe me lotët, por pa këto nuk ka sukses, pa këto nuk ka progres, pa këto nuk ka zhvillim.'- tha Rama.

Ora 11:59
Luiza Gega kampione Europe, Rama: Privilegj që të kemi mes nesh, kjo arritje të lë pa fjalë

 

Kryeministri Edi Rama ka uruar Luiza Gegën për fitoren.

“Privilegj që të kemi sot këtu mes nesh, në një përpjekje për të thënë faleminderit jo me të gjitha fjalët e nevojshme, edhe pse këtu u thanë shumë fjalë, kjo arritje të lë pa fjalë”, tha Rama.

Ora 11:52
Ministrja e Sportit: Sportistët elitarë si Luiza Gega do të gëzojnë gradën kolonel

Ministrja e Sportit Evis Kushi në fjalën e saj tha se qeveria do të ndërmarrë një ligj të ri ku për sportistët elitar do të shpërndahen grada honorifike. Pas këtij ligji, Luiza Gega do të ndërmarrë gradën kolonel, u shpreh Kushi.

‘Ajo është rritur në një familje të madhe dhe të thjeshtë. Prindërit kanë punuar shumë që ti sigurojnë veshjet e çdo gjë. Sportin e ka filluar kur ishte e vogël dhe ka punuar shumë. Heroina e saj është nëna e cila ka punuar shumë duke i edukuar dhe duke i brumosur kulture. Luiza Gega është edhe kampione e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Luiza ja doli në jetë, ajo nuk u dorëzua asnjëherë. Sakrificat e saj janë të jashtëzakonshme dhe i jashtëzakonshëm është edhe suksesi i saj. Unë sot jam shumë e lumtur dhe shumë krenare. Jam e lumtur pasi triumfoi modeli i punës dhe i sakrificë. Në sot jetojmë në një kohë kur ngjiten lart ato që nuk kanë merita. Luiza është modeli që frymëzon. Gjatë këtyre ditëve ka pasur nga ata që në vend që të gëzohen janë përpjekur ta helmojnë nga komente nga më të ndryshme. Unë ju sigurojë se sportistët sot nuk janë më jetim siç ishin para 10 ditësh. Luiza sot punon në ministrinë e Mbrojtjes. Janë punësuar pranë FA. Qeveria do të ndërmarrë një ligj të ri. Do te kemi grada honorifike, pasi është një hap shumë domethënës, pasi pas këtij ligji do të gëzojë gradën kolonel. Luiza njësoj si sportistët elitar përfiton shpërblimin përkatës për çdo rekord që thyen.’- u shpreh Kushi.

Ora 11:44
Luziza Gega kampione Europe, Veliaj: Krenar për ty! Kemi aplikuar për tu shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë, kemi ende shumë për të bërë për sportin

 

Kryebashkiuaku Erion Veliaj ka falënderuar Luiza Gegën për fitoren si kampione e Europës. Veliaj tha se është krenar për Luzia Gegën, e cila pavarësisht shumë sfidave, arriti të triumfojë duke u shpallur kampione. Veliaj tha se kanë aplikuar për tu shpallur vitin tjetër Tirana Kryeqyteti Europian i Sportit, pasi ka ende shumë për të investuar në këtë drejtim.

“E kam njohur para se të ishte kampione. Edhe në ditë kur nuk ishte kjo bashki, kjo qeveri, kur s’kishim shpërblime, Luiza nuk e praktikonte kurrë atë që është bërë një sport i rrezikshëm i sharjes së vendit vend. Nuk i doli kurrë një fjalë e keqe. Sigurisht ka nevojë për më mirë. Luiza më ka mësuar që një kampion është i vërtetë kur i ka sytë te finishi. Jam ndjerë krenar, dyfish, edhe si qytetar por edhe qe kemi si anëtar të sport klub tiran. Më vjen mirë që e përkon që këtë vit jemi Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kemi aplikuar që të jemi viti europian i sportit që të bëjmë më shumë”, tha Veliaj.

Një pjesë të madhe të kërkesave me insistim të kryeministrit dhe mbështetje të qeverie do i hapim shumë shpejt këto gara. Me gjithë luftën Zelensky kishte merakun e ndeshjes së boksit, se sporti është një flamur që valëvitë me lart, që e ngre vendin në maja ku s’ka qenë më para. Të jam mirënjohës luiza për shembullin që jep.

Ora 11:32
Fidel Ylli i kërkon Ramës të rihapen kompanitë e basteve: Nxirri nga errësira ku gëlojnë dhe paratë të investohen për sportin

Kreu i KOKSH Fidel Ylli, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të rihapen kompanitë e basteve. Sipas Yllit, kompanitë e basteve po gëlojnë në ‘errësirë’, duke mos paguar taksa, s’kanë të punësuar dhe nuk japin para për shtetin.

‘Nxiri nga errësira kompanitë e basteve e jepja ato sportit që ne të bëjmë një qendër tjetër olimpike. Për ti bërë edhe më shumë në qytete të tjera të Shqipërisë. Pra ne nuk mund të kërkojmë lëmoshë buxhetit të shtetit. Unë kam qenë në parlament dhe e di si ndahet buxheti i shtetit. Kërkojmë burme alternative që i merr errësira. Pse duhet të ndodhë kjo? U bë mirë që u mbyllën kam qenë në parlament dhe kam votuar. Ishin bërë si kërpudha në mes të shiut. Por ka ardhur një moment që duhet bërë një studim një hartë. Zoti kryeministër ka e gjithë bora kompani bastesh. Po ne kaq të pasur jemi që këto para t’ja lëmë rrugës. Ne nuk mund të rrimë me atë pallat sporti zoti kryeminitër.’- u shpreh Ylli.

Ora 11:28
Kreu i KOKSH, Fidel Ylli falënderon trajnerin e Luiza Gegës: Taulant Stërmasi ka bërë një punë shumë të madhe

 

Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar në fillim të fjalës së tij përshëndeti trajnerin e kampiones së Europës Luiza Gega, Taulant Stërmasin për të cilin tha ka bërë një punë të madhe.

‘Punë të madhe ka bërë edhe trajneri Taulant Stërmasi. Sportistët nuk emigrojnë më kanë mbështetjen në vendin e tyre. Shqipëria tani ka një ligj të mirë për sportistët elitar. Nuk kërkojmë lëmoshë, nuk duam të bëjmë grevë, duam që qeverinë ta kemi partner. Ne falenderojmë qeverinë për një mbështetje që u ka dhënë ekipeve sportive në shkolla.’- u shpreh Fidel Ylli,

Ora 11:15
VIDEO/ Rama e uron Luiza Gegën me gjestin e veçantë, i puth duart kampiones së Europës

 

Me një gjest tejet të veçantë ka zgjedhur kryeministri Edi Rama të urojë kampionen e Europës në atletikë. Teksa Luiza Gega mbërriti përpara kryeministrisë, Rama i puthi duart në shenjë mirënjohjeje. 

Ora 11:13
Me kabriolet, Luiza Gega mbërrin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', përlotet dhe falënderon qytetarët (VIDEO)

 

Kampionia e Europës Luiza Gega ka mbërritur me një makinë Kabriolet të kuqe ne bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku edhe po zhvillohet një ceremoni pritje në nder të saj, pasi u shpall kampione Europe në garën 3000 m me pengesa. Ajo nuk ka mbajtur dot emocionet dhe ka shpërthyer në lot teksa po duartrokitej nga qytetarët e shumë të cilët kishin dalë që ta presin. Në makinë, ishte edhe trajneri i atletes Taulant Stërmasi.

Ora 11:07
Në pritje të Luiza Gegës, qytetarët mblidhen në Bulevard me flamujt  kuqezinj në duar

 

Qytetarët janë mbledhur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në pritje të kampiones Luiza Gega.