VLORË - Kryeminsitri rama ka zhvilluar mbërmejn e sotme takimin përmbyllës në Vlorë në kuadër të fushatës elektorale ku ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria, ku mbi të gjitha ai vlerësoi reformën territoriale.

Ai pranoi që ka ende shumë për tu bërë dhe se plagët e shqiptarëve nuk janë mbyllur ende, por në 18 muaj sipas tij janë dhënë prova që kjo qeveri mund ta bëjë shtetin që meritojnë shqiptarët.

“Jam këtu për t’iu thënë të gjithëve shumë vëllazërisht: Mos kujtoni se nuk e di, dhe se nuk e ndiej se sa larg jemi akoma nga administrata që ju e meritoni, mos kujtoni se nuk e vuaj çdo vuajtje tuajën në dyert e administratës që nuk është në nivelin e duhur për ti shërbyer qytetarëve. Ditë e natë mendoj se si tua kthej shqiptarëve dhe vlonjatëve këtu, të gjithë atë besim dhe mbështetje që na kanë dhënë. Në 18 muaj që kemi punuar me zemër dhe me mendje për t’ia kthyer qeverinë shqiptarëve, nuk mundëm që të mbyllnim gjithë ato plagë të mëdha të hapura për vite të tëra. Nuk mund të zgjidhnim gjithë ato halle dhe probleme, nuk mund të çonim dritë ne shpresës në çdo familje. Por nga ana tjetër jam i bindur se nuk ka vlonjat që udhëhiqet nga arsyeja, që mendon me mendjen e vet, me zemrën e hapur dhe që arsyeton me largpamësinë që të mos jetë dakord me mua që në 18 muaj, ne u kemi dhënë provën e padiskutueshme se ne jemi fuqia e duhur dhe se ne mund ta bëjmë dhe po e bëjmë dhe do ta bëjmë shtetin që meritojnë shqiptarët. Ka filluar kthesa në ekonomi, në bujqësi, në arsim e shëndetësi. Ka filluar kthesa në të gjitha fushat e jetës. Por ne vështirësitë nuk na trembin dhe ju siguroj se do vazhdojmë të palëkundur në rrugën e reformave për të bërë shtetin për të cilin Ismail Qemali dhe Isa Boletini erdhën këtu në Vlorë. Jeni dëshmitarë të përpjekjeve tona. Mund të bënim më shumë? Por që të bënim më shumë nuk duhet të kishim 720 mln borxhe të ngritur nga një pushtet që ju i dhatë dërrmën. Kemi shlyer në 18 muaj 550 mln dollarë. Sigurisht po ti kishim patur fonde për të investuar do kishim bërë më shumë. Por nga ana tjetër nuk kemi bërë pak, sepse po ja heqim nga fyti Shqipërisë lakun e borxheve. I kemi kthyer dinjitetin Shqipërisë, jo me deklarata por me reformat historike që po bëjmë. Unë e di se ne nuk e kemi zmbrapsur ende korrupsionin, se korrupsioni është ende kërcënim. Por të jeni të sigurt se edhe në këtë drejtim kemi nisur ta marri kthesën në drejtimin e duhur duke iu hapur rrugë reformave”, deklaroi kryeministri.