Rama i përgjigjet Lu-së: Nga
pranvera rezultate kundër krimit

Rama i përgjigjet Lu-së: Nga<br />pranvera rezultate kundër krimit
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas deklaratave të forta të ambasadorit të SHBA, Donald Lu para dy ditësh për 4 klanet kriminale veprojnë në Shqipëri. 

Rama u shpreh se brenda pranverës së ardhshme do të kemi një situatë të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave, ndërsa për ngjarjen e Elbasanit, ku u godit makina e policisë paralajmëroi arrestime, pasi tha se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për atë cështje.

Falenderoj ambasadorin Lu që u bashkua me mua. Shumë mirë që e tha edhe ambasadori amerikan, ne po punojmë intensivisht. Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë mediatike, e cila shërbeu edhe si një lloj katalizatori për të rritur intensitetin e propagandës mbi këtë çështje, por unë ju siguroj që çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme. Ne si qeveri nuk jemi as opozita, as analistët. Opozita dhe analistët gojën kanë, me gojën punojnë dhe nëpërmjet gojës ushqehen.

Ne jemi për të dhënë llogari për rezultatet. Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për atë çështje, sikundër shumë shpejt do të shihni një zinxhir veprimesh të pandërprerë të Policisë së Shtetit për goditur organizatat kriminale, për të goditur elementët kriminalë dhe për të goditur të inkriminuarit brenda Policisë së Shtetit, sepse në zona ku veprojnë këto lloj forcash ka inkriminim të Policisë së Shtetit. Është një inkriminim që nuk ka ndodhur sot, sepse këto forca dhe këta elementë nuk kanë lindur në vitin 2013, nuk janë 4-vjeçarë. Më rezulton që mosha e tyre është goxha e pjekur dhe karriera e tyre në botën e krimit është goxha e konsoliduar. Janë figura me një karrierë të konsoliduar dhe me lidhje të njohura me opozitarët e sotëm, - nëse duam të bëjmë politikë, por kjo s’është kurrë qëllimi im dhe s’është puna jonë të bëjmë politikë me krimin.

Ajo që ka rëndësi është që Policia e Shtetit ka hyrë në një faqe të re, për të shkuar në një nivel më lart sesa niveli i ri që u vendos në mandatin e parë. Ne do mbyllim kapitullin e kanabisit, siç e kemi marrë përsipër. Kur u zotuam, shumëkush qeshte dhe shumëkush përqeshte. Faktikisht, në fund të muajit dhjetor do presim raportin zyrtar dhe prononcimet një më një të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, duke filluar nga ambasadori amerikan tek ambasadorja e BE-së, tek të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, të flasin ata dhe duhet të flasin ata dhe shqiptarët duhet ta dëgjojnë prej tyre që të mbarojë kjo historia “njëri thotë kështu-tjetri thotë ashtu”, kur vjen puna tek palët brendapërbrenda vendit.

Brenda pranverës së ardhshme, unë besoj se, - siç e thamë për kanabisin brenda vitit 2017, - do të kemi një situatë të re krejtësisht në përpjekjen kundër këtyre lloj elementëve shqetësuese për komunitetet dhe për ecurinë e mëtejshme të punëve të komuniteteve dhe të punëve të vendit. Kjo është pak, por e sigurt. Në këtë pikë, unë jam shumë i qetë. Nuk më impresionojnë fare as propaganda, as analiza, as keqinterpretimet, as spekulimet, as tundjet e flamurit amerikan sipas erës që fryn në favor apo në disfavor të propagandës së një partie, apo të një partie tjetër. Këto janë konsum i ditës.

 Ne kemi hyrë në një proces që po ndërtojmë një qeveri tërësisht ndryshe dhe një qeverisje tërësisht ndryshe. Hap pas hapi njerëzit do e shohin që ky është një proces tërësisht i ri në të gjitha aspektet, edhe në luftën kundër krimit dhe kundër elementëve kriminale, apo organizatave kriminale, apo atyre të ashtuquajtura “familje”. Ajo është vetëm një pjesë e një tërësie veprimesh që ne do të ndërmarrim në të gjithë rrafshin e përgjegjësive të pushtetit ekzekutiv në Shqipëri
 ” deklaroi Rama.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin