Është koha që zyrat tuaja, në çdo zonë, të funksionojnë normalisht dhe qytetarëve t’u jepet mundësia përmes çdo zyre deputeti të bëhen pjesë e përpjekjes sonë për të ndryshuar jetën në çdo komunitet. Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim të mundshëm për mungesën e urës së komunikimit të pandërprerë me qytetarët, që sigurohet përmes zyrës së deputetit. Kërkesat, ankesat, sugjerimet e njerëzve për ne janë ushqimi më i domosdoshëm dhe më i pazëvendësueshëm për mirëqeverisjen në nivel qendror dhe vendor, po ashtu. Prandaj kërkoj, sot, nga secili prej jush, që pa humbur kohë të vendosë kontaktin e pandërprerë me qytetarët, përmes zyrës së deputetit dhe të mbajë vijimësisht të informuar qeverinë për problemet, kritikat, sugjerimet e njerëzve në çdo zonë të Shqipërisë. Është koha po ashtu që çdo deputet të nisë diskutimin në zonën e kujdestarisë së tij për programin e zhvillimit të zonës. Nga ana tjetër, çdo grup deputetësh sipas qarqeve, ta reflektojë diskutimin e një zone në funksion të nevojave të zhvillimit rajonal të qarkut.
Mes qeverisë dhe deputetëve do të vendoset një komunikim i vazhdueshëm si një domosdoshmëri për të siguruar shërbimin më të mirë ndaj vendit dhe njerëzve gjatë mandatit tonë qeverisës. Qeveria do të komunikojë me ju dhe përmes jush me çdo komunitet në Shqipëri lidhur me vështirësitë dhe mundësitë e veta në kushtet e sotme të ekonomisë dhe të financave të vendit. Ndërkohë që, unë pres prej jush të bëheni jo vetëm zëdhënësit e komuniteteve pranë qeverisë, por edhe promotorët e zhvillimit të çdo komuniteti.
Në 23 qershor kemi marrë jo vetëm një mandat për t’i dhënë një fytyrë dhe rol të ri qeverisë, por dhe për t’i dhënë një fytyrë dhe një rol të ri deputetit në çdo zonë.
Është koha që çdo deputet dhe grup deputetësh, sipas qarqeve, të bëhet promotor i investimeve të huaja që sjellin punësim për komunitetin dhe rrisin ekonominë dhe cilësinë e jetës në komunitet dhe në vend. Një nga shtyllat e modelit tonë të ri ekonomik është rritja e investimeve prodhuese dhe drejt këtij synimi është e domosdoshme që deputetët të bëhen pjesë integrale e përpjekjes për të sjellë në Shqipëri kompani dhe ndërmarrje të interesuara nga vendet fqinje dhe më gjerë akoma. Qeveria do të çelë një kapitull të ri në këtë drejtim dhe ne do të mbështesim fort çdo nismë dhe kërkesë për të investuar në Shqipëri, në funksion të punësimit.
Prandaj, unë sot ju bëj thirrje, të gjithëve, që të çelim dhe një faqe të re pune dhe suksesi për përfaqësuesit e popullit në Kuvend, të cilët njësoj si kolegët e tyre në vende të tjera, duhet të bëhen zëdhënësit e komunitetit në nevojën për investime edhe për vende të reja pune. Në bashkëpunim me qeverinë le të nisim një orë e më parë planifikimin e vizitave të punës jashtë vendit, për të kontaktuar si deputetë me botën e biznesit, në Itali, Greqi, Turqi, por edhe në Gjermani, Austri, Francë dhe gjetkë dhe për të paraqitur potencialet dhe avantazhet e këtij vendi sipas zonave të ndryshme.
Ju siguroj që interesi është aty, kompanitë e interesuara janë aty dhe na takon ne që me iniciativën tonë t’i kontaktojmë, të komunikojmë me to dhe t’i bindim për avantazhet që ka hapja e një ndërmarrjeje sado të vogël apo e një investimi sado që madh në Shqipëri. Është koha që deputetët që kanë në kujdestari zona rurale të nisin komunikimin intensiv për të krijuar terrenin e përshtatshëm në funksion të jetësimit të programit tonë dhe ndërtimit të shtyllës tjetër të modelit të ri ekonomik që është zhvillimi modern rural.
Certifikata e pronësisë mbi tokën, sigurimi i ujit në parcelë, nxitja e kooperimit mes fermerëve janë elementë themelorë të rrugës sonë të jetësimit të programit qeverisës, që kërkojnë me patjetër komunikim intensiv me komunitetet rurale dhe prandaj kërkojnë edhe kontributin e pazëvendësueshëm të çdo deputeti. Janë elementë themelorë të gjithë fushatës sonë, janë elementë themelorë të gjithë komunikimit që secili prej nesh ka bërë me banorët e zonave rurale, janë elementë themelorë të punës së përditshme që kemi sot, për të garantuar që në fund të këtij mandati certifikata e pronësisë mbi tokën të jetë kapitull i mbyllur, sigurimi i ujit në parcelë të jetë kapitull i mbyllur dhe, pa asnjë dyshim, nxitja e kooperimit mes fermerëve të ketë sjellë rezultate konkrete.
Është koha të kthehemi në tokat e bukës, jo për të kërkuar vota, por për të bërë realitet qëllimet që i shtynë njerëzit të na japin më shumë vota se asnjëherë edhe në fshat. Të identifikojmë potencialet për të krijuar modelet e para të suksesit, duke bashkuar njerëzit për projekte të përbashkëta dhe duke bashkuar qeverinë me njerëzit në realizimin me sukses të këtyre projekteve.
Është koha të fillojmë diskutimin në komunitetet e zonave informale për procesin e legalizimit të shtëpive falas, duke synuar dhe në këtë aspekt ndërtimin e disa modeleve të suksesshme, që duhet të ngrihen mbi bashkëpunimin mes zgjedhësve, të zgjedhurve dhe qeverisë së vendit.
Pra, të dashur miq dhe kolegë është koha që të gjithë, pa përjashtim, të kuptojnë, jo thjesht këtu në këtë sallë, por në radhë të parë në këtë sallë, se në 23 qershor kemi marrë një detyrë të lartë dhe i vetmi privilegj i ri që kemi fituar është privilegji për t’i shërbyer njerëzve me përkushtim, për t’i shërbyer Shqipërisë me përkushtim, për të justifikuar me përkushtim dhe me fakte që burojnë nga puna e përditshme, detyrën e lartë që 1 milionë shqiptarë na ngarkuan.
Faleminderit!
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)