TIRANË- Kryeministri Edi Rama i drejtohet drejtpërdrejtë presidentit Ilir Meta të cilin e akuzon për bllokimin e Rinasit, duke i thënë se plani i tij dhe i Berishës dështoi, pasi vaksinat do mbërrijnë sot dhe fluturimet rifillojnë nesër në normalitet.

"Ilir kam një lajm të keq për ty: Vaksinat vijnë sot dhe fluturimet rifillojnë normalisht nesër! Plani yt me Saliun për bllokimin e vaksinimit e rikthimin e Rrunpallës në prag të zgjedhjeve dështoi", shkruan Rama.

Ai ka komentuar edhe kërkesën e kreut të shtetit drejtuar KLSH-së për të bërë një auditim shoqërisë AlbControl. Këtë veprim të Metës, Rama e quan thjesht 'dokrra'.

"Dokrrat me reflektime e auditime, vazhdoji me Leshkon dhe Leskon në skutat e OFL", përfundon Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:57
Presidenti Meta i kërkon KLSH-së nisjen e auditimit të plotë në shoqërinë Albcontrol

1617780830_IlirMetaPresidentDeklarate.jpg

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar sot nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nisjen e auditimit të plotë në shoqërinë ‘Albcontrol’. Ai u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe thekson se është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.

"Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:
 
-   mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;
-  respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;
-   përdorimin e fondeve publike;
-   respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe
-   çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.
 
Presidenti Meta po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale,  duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast. Presidenti i Republikës u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme", shprehet Meta.