Vijnë kontrollorë të huaj nga aleatët! Balluku: Rinisin fluturimet esenciale, nesër situata kthehet në normalitet! Mbërrijnë vaksinat anti-COVID që s'mundën dje

TIRANË- Ka zgjatur pak më shumë se 24 orë bllokimi total i aeroportit të Rinasit. Nga sot do të nisin fluturimet e esenciale në aeroportin e ndërkombëtar 'Nënë Tereza'. Ministrja e Insfrastrukturës Belinda Balluku në një deklaratë për mediat nga Rinasi, tha se do të nisin fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore. Ndërkohë duke filluar që nga dita e nesërme situata në aeroportin e Rinasit do të kthehet në normalitet dhe do të rinisin fluturimet komerciale me udhëtarë.

Kontrollorët e AlbaControl që kanë lënë punën dje duke krijuar një situatë të rëndë në aeroportin e Rinasit duket se janë zëvendësuar me të huaj.  Burime thonë se zgjidhja e problemi madhor për momentin është bërë nga ndërhyrja e vendeve aleate.  Një alternativë e tillë u diskutua që mbrëmë në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile, organi i përhershëm i Emergjencave Civile për situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga ndalimi i qarkullimit ajror nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror.

Balluku nënvizoi sakaq se në orën 15:00 do të vijë ngarkesa e vaksinave anti-COVID, të cilat sipas ministres arritën të ruheshin dhe do të shpërndahen sipas planit të procesit të vaksinimit.

‘Do të nisin fluturimet esenciale, që përfshijnë fluturimet humanitare, emergjente, ushtarake dhe ju njoftoj se kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave të konsiderueshme. Do të vijë sot rreth orës 3 pasdite dhe do të fillojë shpërndarja. Dua të informoj të gjithë qytetarët që do të jetë e pamundur në këto momente që të kemi fluturime komerciale, por është duke u punuar për zgjidhjen e këtij problemi. Nesër në orët e para të mëngjesit do të kemi situatë normale të fluturimeve ’- tha Balluku.

Policia ka ndalur tre kontrollorë të trafikut ajror,  kreun e sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga AlbControll, si nxitës të bllokimit të punës në Rinas.

Një ditë më parë aeroporti më i rëndësishëm në vend, 'Nënë Tereza' anuloi të gjitha fluturimet. Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl ndaluan punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:15
Nesër rinisin fluturimet në Rinas, publikohet lista dhe oraret 

Ditën e nesërme pritet të rikthehet normaliteti në aeroportin e Rinasit ku do të rinisin fluturimet komerciale me udhëtarë, ndërsa është publikuar edhe lista  e fluturimeve të planifikuara për ditën e nesërme.

Aeroporti i Rinasit, nëpërmjet një postimi në Facebook, thotë se oraret e publikuara, janë ndryshuar nga kompanitë ajrore.

 Po ashtu, udhëtarëve i kërkohet që të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara udhëtimit dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës dhe se maskat janë të detyrueshme gjatë udhëtimit.

“Tirana International Airport njofton se fluturimet e konfirmuara për ditën e Premte, datë 9 Prill janë sipas linkut referuar në këtë postim. Oraret janë subjekt ndryshimi nga kompanitë ajrore. Dy fluturimet e sotme që nuk u bënë, Bergamo dhe Dortmund, do të bëhen nesër sipas orarit të mësipërm. Ju lutemi pasagjerëve të këtyre dy fluturimeve që të paraqiten nesër në TIA me të njëjtën biletë. Ju lutemi të gjithë pasagjerëve të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara udhëtimit dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës dhe të respektojnë protokollet e higjenës. Maskat janë të detyrueshme. Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian, nënshtetasit EU dhe qytetarët që plotësojnë kushtet e udhetimit, sipas vendeve pritese. Në lidhje me afatin e tamponit, ju lutem kontaktoni kompanitë ajrore nëse do të pranojnë tamponin që keni bërë. Pranimi i tamponit, është subjekt i kompanive me të cilat fluturoni”, thuhet në njoftim.

Lista e fluturimeve të planifikuara për nesër, publikuar nga Aeroporti i Rinasit
 
Ora 14:02
Zbllokohet hapësira ajrore shqiptare, fillon qarkullimi i avionëve

Në hapësirën ajrore shqiptare ka rifilluar qarkullimi i avionëve, pas rifillimit të fluturimeve esenciale.

Sakaq edhe Eurocontrol ka hequr edhe shenjën e kuqe që ishte vendosur mbi territorin shqiptar, tashmë duke lejuar qarkullimin e avionëve.

Bllokimi i punës në Aeroportin e Rinasit ndodhi pasi kontrollorët AlbControl për trafikun ajror, lanë punën duke krijuar një situatë të rëndë për fluturimet me dëme ekonomike.

Shqipëria në hartën globale të fluturimeve
Ora 13:43
Nesër rinisin fluturimet, TIA: S’kemi ende një orar të saktë, udhëtimi i pasagjerëve nga Dubai do të kryhet nga Podgorica

Nesër në mëngjes do rinisin fluturimet në Aeroportin e Rinasit. Tirana International Airport në një reagim zyrtar thekson se ende nuk ka një orë të saktë për rifillimin e nesërm të fluturimeve. Po ashtu TIA ka sqaruar se udhëtimi i pasagjerëve që udhëtojnë me 'Flu Dubai'  do të kryhet nga aeroporti i Podgoricës dhe deri atje do të transportohen me autobuzë.

‘Tirana International Airport njofton se fluturimet e programuara rinisin nesër në mëngjes, ndërkohë që sot do të kryhen operimet për fluturimet humanitare, mjekësore dhe diplomatike. Sipas njoftimeve zyrtare të shtetit shqiptar, fluturimet e programuara rifillojnë nesër në mëngjes, më 9 Prill 2021. 

Ende nuk ka një orë të saktë për rifillimin e nesërm të fluturimeve. Sapo ta kemi si njoftim, do ta lajmërojmë menjëherë.

Pasagjerët e flydubai që kanë prerë biletën për në Dubai dhe e kanë fluturimin ditën e sotme, i bëjmë me dije ata dhe operatorët turistikë se udhëtimi do të kryhet  nga aeroporti i Podgoricës dhe deri atje do të transportohen me autobuzë. Janë të lutur të paraqiten brenda terminalit të TIA-s për dhënien e dokumentacionit të nevojshëm për këtë udhëtim.

Njoftojmë gjithashtu se pasagjerët e itinerarit Dubai – Tiranë po me flydubai, se avioni do të ulet në aeroportin e Podgoricës sot në mbrëmje, me një parashikim 18.30 orë lokale, kështu që operatorët turistikë janë të lutur të kujdesen për transportin e tyre nga Podgorica në Tiranë me autobuzë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet në shërbim të pasagjerëve dhe të çdo informacioni të saktë që është i vlefshëm për publikun. Për çdo të dhënë tjetër, ju informojmë sërish. Ju faleminderit për bashkëpunimin TIA.’- njofton TIA

Ora 12:51
Përfundon 'black out' në Rinas, Peleshi: S' janë kontrollorët ushtarak ata që do të marrin përsipër operacionet, s'jemi të licensuar

 

Pas përfundimit të 'Black Out' total në Aeroportin e Rinasit, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se nuk janë kontrollorët e Ushtrisë ata që kanë marrë përsipër operacionet, kjo pasi nuk janë të licencuar.

"Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosua as nuk kanë marrë dhe as nuk do të marrin ndonjë rol më tepër se ajo që bëjnë rutinë në Aeroport, si pjesë integrale e tij, Policia Ushtarake, bën ruajtjen e tij. Nuk janë kontrollorët Ushtarak ato që do të marrin operacionet , nuk jemi ne të licencuar për aviacion civil.  Bojkoti i punës nga kontrollorët , solli mosfunksionim dhe mbylljen e aeroportit. Ne jemi pjesë integrale me policinë ushtarake. Është shtuar vigjilenca ku një aset i rëndësishëm cenohet, padyshim që do jemi më vigjilent. Jemi të vetëdijshëm për moslejimin e FA në një periudhë zgjedhore pa një urdhër të veçantë. Por nuk jemi në ato kushte, thjesht në vijimin e punë me një vigjilencë të shtuar. Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, dje kam thirrur një mbledhje me Komitetin e Mbrojtjes Civile. Është i vetmi kombëtar dhe porta e vetme e hyrjes ajrore. Ku vijnë vaksinat. Ka qindra shqiptarë që presin nëpër aeroportet e Europës. Pastaj Stërvitja Defender 2021. Padyshim që përgatitjet ka kohë që kanë filluar. Ka vendosur që dakordoi të marr të gjitha hapat që të sigurojë kontrollorë vendas apo të huaj për të filluar operacionet. Procedurë e përshpejtuar. Gjë të cilën e legjitimon vendimi i mbrojtjes civile", tha Peleshi.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale