Rama inspekton "Elbasan Arenën" 
"Do të jetë edhe stadium olimpik"

Rama inspekton "Elbasan Arenën" <br />"Do të jetë edhe stadium olimpik"
ELBASAN - Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan ku inspektoi punimet në stadiumin e “Elbasan Arena”. Në fjalën e tij kryeministri Rama siguroi se stadiumi do të jetë gati për ndeshjen e radhës të kombëtares kuqezi më 11 tetor ndaj Danimarkës, ndërsa shtoi se ky do të jetë edhe stadiumi i parë në vend që plotëson të gjitha standartet evropiane.

Rama tha se krahas të tjerave, ky do të jetë edhe një stadium olimpik, ku punimet për këtë do të fillojnë pas ndeshjes së parë, ku pista do të shtrohet me tartan. Ndërtimi i këtij stadiumi si dhe nisma të tjera në këtë qytet, siç theksoi kryeministri do të bëjnë që Elbasani të shndërrohet në qendër të gravitetit për të gjitha llojet e sporteve

“Siç e shihni, jemi pothuajse gati për ndeshjen e 11 tetorit. Me një stadium që është i pari në Shqipëri që plotëson gjithë standardet e UEFA-s dhe siç thoshte edhe Presidenti i Federatës, edhe standardet e Champions League, nga pikëpamja e të gjithë normave. Ndërkohë që, ne duam që mos të jetë vetëm një stadium futbolli, por të jetë edhe një stadium Olimpik. Për këtë arsye, menjëherë pas këtij evenimenti do të bëjmë edhe punë për të shtruar pistën e parë të standardeve ndërkombëtare, me tartan, në mënyrë që Elbasani të jetë edhe një vend që të mikëpresë aktivitete ndërkombëtare të atletikës, rajonale minimalisht dhe pastaj, pse jo, edhe kampionatet europiane të të rinjve dhe kështu me radhë. Siç e shihni, duam që Elbasani të jetë një qendër e rëndësishme graviteti, për jo vetëm futbollin dhe skuadrën kombëtare, por edhe për sportin në tërësi”, theksoi kryeministri Rama.  

Serbia refuzon tifozët kosovarë
Presidenti Duka ka njoftuar se Federata Serbe nuk pranon në stadium shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia nëse nuk kanë pasaporta shqiptare, pra Serbia refuzon shqiptarët nga Kosova dhe trevat e tjera. “Federata Serbe do të pranojë me kushte tifozët shqiptarë. Ata kërkojnë që të gjithë tifozët që do të futen në stadium të kenë pasaportë shqiptare. Nuk e di nëse mund të kundërshtohen këto kushte. Biletat do të jenë vetëm për ata që kanë pasaportë shqiptare”. Kuqezinjtë kanë 1200-1300 vende në stadium.


Pak ditë më parë edhe televizioni A1 Report, siguroi një video ekskluzive të stadiumit të ri nga brenda si dhe disa nga detajet e standardeve evropiane që do të ketë “Elbasan Arena”.
Rikonstruksioni i stadiumit “Elbasan Arena” është një investim i përbashkët i Qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, me vlerë rreth 5.5 milionë euro. Punimet kanë përfshirë rikonstruksionin e tribunave, ndërtimin e të gjitha rrjeteve inxhinierike, rikonstruksionin e fushës së lojës, vendosjen e sistemit të kontrollit elektronik të biletave në të gjithë sektorët e stadiumit, vendosjen e dy ekraneve LED në fushë, përfundimi i sistemit të ndriçimit, vendosjen e stolave në të gjitha tribunat dhe mobilimi i të gjitha ambienteve të stadiumit. Pjesë e rëndësishme e projektit ishte edhe rikonstruksioni i sheshit përpara stadiumit dhe rrugës rreth tij, duke i pastruar edhe nga të gjitha ndërtimet kaotike në hapësirën përreth stadiumit. 


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Poliçan/ Kishin kultivuar kanabis në fshatin Plashnik, asgjësohen 116 bimë, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një 21-vjeçar (EMRAT)

Poliçan/ Kishin kultivuar kanabis në fshatin Plashnik, asgjësohen 116 bimë, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një 21-vjeçar (EMRAT)