Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, dhe ministren e Infrastrukturën Belinda Balliku kanë inspektuar situatën në Vlorë, pas përmbytjeve. Rama tha se pavarësisht reshjeve shumë të dendura, largimi i ujit ndryshe nga çfarë ndodhte deri para disa vitesh ishte i shpejtë. Ai tha se  do të vijohet me 3 projektet e fundit që mbyllin zinxhirin e investimeve për kanalizimet dhe lehtësimin maksimal të ngarkesës së ujit në kohë reshjesh intensive në Vlorë.

"Duhet të mbyllet cikli i kanalizimeve, në rast se nuk ka reshje shumë intensive. Reshjet intensive përmbyt edhe Parisin. Në Vlorë kemi 3 projekte akoma, që do mbyllin gjithë ciklin. Reshjet në këta ditë ishin test se çfarë progresi është bërë për mbrojtjen nga uji në territor. Janë pastruar shumë kanale. Problem ishte fryrja e Vjosës. Duhen hequr kënetat. Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka me kapacitetet që kemi sigurisht. Duhet durim që të bëhen të gjitha. Të fundit kanalizime kanë qenë në vitet 1980, pastaj nuk ka pasur më në demokraci. Ujë në Vlorë do ketë 24 orë në ditë, që të jemi të saktë", tha Rama

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli tha se investimi ka dhënë rezultatet e veta dhe se ka funksionuar, reshjet e shiut ishin test.

 "Skuadra jonë po punon në bulevard. Ne po mbarojmë situatën problematike në Skelë dhe problematikën që shkaktohet nga reshjet në bulevardin “Ismail Qemali”. Kemi pastruar më shumë se 50 për qind e kanaleve kulluese në territorin e Bashkisë Vlorë. Do të vendosim bokse betoni, që do të ndërpresin ujërat. Gjashtë vjet më parë, sistemi i kanalizimeve ishte kalbëzuar, ndërsa sot sistemi i kanalizimeve është llogaritur nga inxhinierët", tha Leli.