Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij foli për rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian teksa e vuri theksin te reforma në drejtësi dhe shteti i të drejtës.
“Dje ne patëm një ngjarje të shënuar, e cila do të ishte e paimagjinueshme pak vite më parë, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri. Një platformë që buron nga një histori jashtëzakonisht e bukur dhe kuptimplotë e krijuar nga njerëzit e ligjit, të cilët janë bërë bashkë dhe i japin përmes kësaj platforme zë nevojës për sundimin e ligjit. Kongresi Botëror i Ligjit vjen këtu dhe Shqipëria është bërë një pikë referimi në bazë të shprehjes së një vullneti të hekurt për t’u vetëvendosur nën sundimin e ligjit, duke bërë një reformë në drejtësi që nuk ka të dytë në rajon.
Është shprehja më kuptimplotë e angazhimit për ta bërë Shqipërinë një vend ku BE të bëhet pjesë e pandarë. Do të ishte absolutisht e pamundur që ne ta ndërmerrnim, e jo më pastaj ta çonim përpara dhe ta zbatonim një reformë të tillë, nëse ne nuk do të kishim Evropën si ëndërr dhe si tokë të premtuar, si amanet dhe si mision të pazëvendësueshëm. E nëse s’do të kishim BE si partner të pandarë në këtë rrugë, ku dija e BE-së e transferuar drejt nesh, për mënyrën sesi një vend mund të kthehet në një arkitekturë institucionesh, është diçka që as nuk mund të blihet, as të zëvendësohet e as të imagjinohet jashtë perimetrit të Evropës.
Nëse ne sot jemi besimplotë për ecurinë e këtij procesi dhe sot Shqipëria ka arsye për të besuar në këtë proces, kjo lidhet me ecjen dorë për dorë me BE-në dhe të qenurit pjesë e tij është garanci. Shumëkush e përfytyron BE si pengesë, barrë, si një perimetër që nuk të lejon të marrësh frymë lirisht, por nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe më të gabuar, sepse në fakt BE garanton perimetrin e shtetit të së drejtës. Shteti i së drejtës nuk mund të negociohet.
Në këtë Ditë të Evropës, unë dua të nënvizoj që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë dhe janë sot në një kohë kur bekimi i të qenurit pranë Evropës është një garanci e të qenurit në një rrugë pa kthim, për t’u ankoruar përfundimisht aty ku kemi vendin dhe ku e kanë ëndërruar Shqipërinë rilindasit tanë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Integrimi i Shqipërisë u bllokua? Gonzato: Spekulime, rekomandimet e Komisionit për objektivat e ndërmjetëm, pozitive! Rama: Opozita shet ajër









