Rama intervistë nga Madridi: Në 2025, Shqipëria merr stafetën e panairit të turizmit në Berlin! Këtë vit presim shumë turistë, duhen investime në akomodim

Shqipëria nisi sot promovimin ndërkombëtar si një destinacion unik turistik me pjesëmarrjen në panairin gjigand të turizmit “FITUR 24”, organizuar nga IFEMA Madrid, i cili është pika globale e takimit për profesionistët e turizmit nga mbarë bota dhe ku Shqipëria prezantohet me diversitetin e pasur turistik të zonave të saj.

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për RTSH-në, pas çeljes së këtij panairi ku tha se tashmë Shqipëria është në një tjetër nivel dhe se duhet të prezantohet duke bërë më të mirën. Rama ka theksuar se panairi në Madrid i paraprin atij në Berlin ku Shqipëria do të jetë vendi pritës.

Kryeministri Rama tha se interesi i të huajve për Shqipërinë është rritur dhe u shpreh optimist gjatë këtij viti do ketë më shumë turistë. Paralelisht shtoi Rama, po punohet për të shtuar investimet që synojnë rritjen e kapaciteteve akomoduese në vend.

-Zoti kryeministër, pavijoni Shqipërisë shumë interesant nga “FITUR 24” këtu në Madrid. Çfarë interesi  dhe çfarë opinion përthithet nga takimet e rëndësishme që ju patët këtu.

Rama: Sigurisht që tanimë Shqipëria është në një nivel tjetër dhe na takon që në këtë nivel të prezantohemi me shije, të prezantohemi duke bërë më të mirën brenda hapësirës që na lejojnë mundësitë tonë, sepse nuk jemi as Italia dhe nuk jemi as vetë Spanja, por jemi sidoqoftë një vend që sot është në vëmendjen e të gjithëve.

Dhe ndërkohë ky panair i pararend Panairit të madh të Berlinit, ku ne do të marrim stafetën e vendit pritës të vitit të ardhshëm, në Berlin, diçka e paimagjinueshme disa vite më parë dhe prandaj është e rëndësishme që jemi këtu sot dhe prandaj është e rëndësishme t’i japim kësaj përpjekje të gjithë mbështetjen institucionale sepse është edhe një tregues i seriozitetit me të cilin ne e kemi sfidën e Shqipërisë turistike 2030.

Kështu që, në këtë kontekst edhe takimet që po bëjmë janë të rëndësishme, ashtu sikundër është shumë inkurajuese që të gjithë ata që sot kërkojnë të takohen me ne, deri jo shumë në kohë, as që nuk kishin asnjë interes për Shqipërinë, kështu që na bën mirë.

-Zoti kryeministër, gjatë 2023 në patëm mbi 10 milion turistë që vizituan Shqipërinë, 2024 pritet të ketë nivele edhe më të larta sesa kaq, sipas pritshmërive që juve keni, por edhe punës natyrisht. Ju po synoni, qeveria, drejt turizmit elitar. Kur do të ndodhi kjo?

Rama: Së pari pa diskutim që këtë vit ne do të kemi një rritje të mëtejshme të numrit sepse këtë e konfirmojnë edhe operatorët që janë këtu dhe që praktikisht kanë mbyllur rezervime edhe për vitin 2025 dhe nga ana tjetër na duhet të shtyjmë shumë më fort edhe për investime të reja sepse përndryshe do të gjendemi në një situatë të padëshirueshme dhe te papëlqyeshme midis një kërkese që rritet dhe një oferte që nuk arrin dot të rritet në proporcion me kërkesën sepse mbase nuk do arrijnë dot, se ka një limit kjo gjë, që ta balancojmë kërkesën dhe shyqyr që kërkesa të jetë më e lartë, por jo në pikën që kërkesa të jetë aq e lartë saqë pastaj njerëzit të fillojnë të dekurajohen, të thonë “atje nuk shkohet se s’ka ofertë të mjaftueshme”. Kështu që, ky është një proces dhe në këtë proces besoj që jemi në rrugën e duhur, por me e rëndësishmja  është që na ndihmon jashtëzakonisht shumë fakti se Shqipëria sot është diçka krejt tjetër, në sytë e të gjithëve.

-Zoti Kryeministër ju patët takime edhe me mbretin Felippe VI të Spanjës. Natyrisht që ishte një takim mjaft miqësor ai me kryeministrin Sanches gjatë ditës së djeshme dhe Spanja po luan dhe po mban një qëndrim diplomatik mjaft interesant duke iu referuar edhe lëvizjes së lirë te qytetarëve të Kosovës. Si do të vijojë bashkëpunimi në të ardhmen dhe a ka projekte konkrete në zbatim?

Rama: Me Spanjën i kemi marrëdhëniet më të mira se asnjëherë me parë në sensin jo se kanë qenë të këqija më parë, por kanë qenë marrëdhënie të mira midis palësh që as nuk takoheshin ndonjëherë, por që kemi patur vizita të nivelit edhe më të lartë. Edhe kryeministri vetë e ka vizituar Shqipërinë.

E kemi vizituar ne Spanjën dhe unë kam vizituar kryeministrin dy herë tanimë këtu, kështu që është një marrëdhënie le të themi, e nivelit më të mirë të komunikimit dhe të punës së përbashkët dhe sigurisht që ka një interes të shtuar të Spanjës në aspektin e biznesit në Shqipëri dhe nuk është vetëm turizmi, por edhe sektorë të tjerë të sipërmarrjes spanjolle janë interesuar që të eksplorojnë Shqipërinë dhe të eksplorojnë gjithë rajonin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen