Kryeministri i vendit, Edi Rama parlajmëroi dje në seancën plenare shkurtimet që do të bëhen në administratë, të cilat prekin që nga këshilltarët e tij e deri te punonjësit në ministritë si dhe në diplomaci. Sipas tij shkurtimet do të bëhen në mënyrë të balancuar e jo në bazë të burokracive. “Numri total i punonjësve në qeverinë e deridjeshme, - flas gjithmonë në kryeministri dhe ministri –, tani do të zbresë më poshtë, për të bërë shkurtime të tjera. Nga 2162 që ishte, do të shkojë në 1834. Shkurtimet nuk janë pjellë e thjeshtë dhe vetëm idesë “Hajde të shkurtojmë”. Jo!
Shkurtimet janë të balancuara dhe në funksion të prioriteteve. Që do të thotë, nëse në një pjesë të strukturës së qeverisë kemi shkurtime drastike në burokraci, kemi shkurtime drastike në funksion të luftës me parazitizmin që thith para publike, në një pjesë tjetër kemi rritje, në funksion të prioriteteve”, tha Rama dje. Duke u ndalur te reformimi i administratës në Këshillin e Ministrave, ai zbardhi dhe numrin e shkurtimeve që prekin postin e këshilltarëve të kryeministrit.
“Nga një kryeministër me 24 këshilltarë dhe me një kabinet mbi 30 veta, do të kalojmë në një kryeministri ku kabineti është vetëm 13 veta, plus një. Kryeministri. Dhe ku pjesa tjetër do të jetë e angazhuar drejtpërdrejt me reformat, me ndjekjen e punëve, me ndjekjen e fatit të investimeve të huaja, me ndjekjen e fatit të njerëzve në administratën publike e me radhë”, bëri të ditur Rama.
SHKURTIMET NE EKONOMI
Një sketor tjetër i rëndësishmen i cili do të preket nga shkurtimet është edhe ekonomia. “Në qeverinë paraardhëse, 25% e punonjësve të lidhur me ekonominë punonin në financë dhe vetëm 10% ishin të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe me energjinë, përkatësisht si një nga prioritetet themelore të zhvillimit të këtij vendi. Sot kemi një ridimensionim të këtyre raporteve; Kemi 21% të punonjësve që do t’i dedikohen financës dhe kemi respektivisht, plus 14% që do t’i dedikohen zhvillimit ekonomik dhe energjisë si prioritet. Po ashtu kemi bërë një ulje shumë shembullore në nivelin e parë, kur vjen puna për shërbime publike.
INTEGRIMI
“Deri dje, raporti punë të jashtme dhe integrim ishte: 71% punë të jashtme, 29% integrimi. Punët e jashtme ishin përqendruar tek telegramet urgjente se kush është sharja e radhës për kryetarin opozitës dhe për opozitën. Sot jemi në një raport komplet tjetër: nga 71%, punët e jashtme kanë shkuar 61% dhe nga 21%, integrimi ka shkuar në 39%. Flasim gjithmonë në nivelin e ministrive”, tha ai në lidhje me shkurtimet në këtë sektor.
SHKURTIMET
-Numri total i punonjësve në qeveri/ nga 2162 që ishte, do të shkojë në 1834
-Numri i këshilltarëve të Kryeministrit/ nga 24 këshilltarë dhe me një kabinet mbi 30 veta, do të kalojmë në një kryeministri me kabinet 13 veta, plus një.
-Ministritë/ numri nga 71%, punët e jashtme kanë shkuar 61% dhe nga 21%, integrimi ka shkuar në 39%.
-Ekonomia/ 25% e punonjësve të lidhur me ekonominë punonin në financë dhe vetëm 10% ishin të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe me energjinë sot bëhen 21% të punonjësve në financë dhe plus 14% hvillimit ekonomik dhe energjisë.
Shkrimi u publikua sot (18.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)