Rama jep 100 tapi në Fier: Kur toka
është e familjes s'ka asnjë detyrim

Rama jep 100 tapi në Fier: Kur toka<br />është e familjes s'ka asnjë detyrim
FIER - Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë 100 tituj pronësie për banorët e zonave informale në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij Rama tha se me daljen e ligjit të ri në rastet kur toka është e familjes nuk ka asnjë detyrim për të shlyer, ndërsa kur toka është e shtetit apo e pronarit, do të ketë një procedurë të re dhe shumë mbështetëse për familjet. Kjo procedurë, mbi bazën e parimit që legalizimi në të gjitha rastet do të bëhet falas.

“Toka, sigurisht që do të paguhet me një çmim, që do të jetë 50% më i ulët sesa vlera e tregut, por pagesa do të bëhet në disa mënyra. Kush do të paguajë menjëherë, do të ketë një ulje të menjëhershme prej 50%, që do të mund t’i paguajë me letra me vlerë dhe do të ketë një ulje tjetër prej 20% deri 30 % në çmim. Puls do të ketë dhe një ulje të tretë, që është një mesatare prej 400mijë lekësh të vjetra, për të paguar energjinë për dy vitet e ardhshme. Pra, nuk do t’i merren paratë po do t’i lihen qytetarit për të paguar energjinë dhe do të legalizohet menjëherë shtëpia.” tha kryeministri

Duke folur për procesin e legalizimit falas, Kryeministri tha se nuk do të shkojnë më familjet apo kryefamiljarët tek ALUNIZNI, po do të shkojë ALUNIZNI në çdo familje, dhe do të ndihmojë për të plotësuar të gjithë dokumentacionin pa pagesë.

Kryeministri foli për rëndësinë që ka procesi i legalizimit falas, i cili jo vetëm pajis me dokumente pronësie këta banorë të zonave informale, por krijon mundësinë për t’i dhënë një shtysë shumë të fortë ekonomisë së tyre familjare, por edhe ekonomisë kombëtare. 

“Ky është legalizim falas. Është legalizim që nuk lidhet me ke apo s’ke para, paguan apo nuk paguan, por që i jep secilit titullin e pronësisë mbi shtëpinë e tij. Ky është një proces i cili na jep mundësinë që t’i japim një shtytje shumë të fortë ekonomisë së familjeve që sot jetojnë në shtëpi të palegalizuara, por nëpërmjet tyre t’i japim një shtytje shumë të fortë edhe ekonomisë kombëtare.” tha Rama.

Më tej, Kryeministri theksoi se ashtu si në shumë qytete të tjera është abuzuar me legalizimet edhe në Fier, pasi nuk janë legalizuar banesat pa leje në zonat informale, por sipas Ramës janë legalizuar objekte të ndërtuara kryesisht për qëllime fitimi.

“Edhe në Fier, si në të gjithë zonat e tjera, nuk e kanë pasur mendjen të legalizojnë shtëpitë e njerëzve me halle, por kanë legalizuar vetëm ato ndërtime që janë bërë për të fituar lekë, dyqane e magazina. Këtu në Fier kanë legalizuar një sërë godinash që bllokojnë projektin e lumit të Gjanicës”, nënvizoi kryeministri.

Në këtë takim, Kryeministri shoqërohej nga Ministrja Eglantina Gjermeni, nga kryesuesi i qarkut Fier, Gramoz Ruçi, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Duke folur për specifikat e legalizimeve në qarkun e Fierit, të konstatuara pas një shqyrtimi nga ALUIZNI, Artan Lame tha se “mbi 50 % e legalizimeve të bëra në Fier, në vitin e fundit, janë objekte shërbimi, në një kohë kur në totalin e tyre objektet e shërbimit përbëjnë më pak se 10 % të objekteve të vetëdeklaruara.”

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS