OST ka inaguruar qendrën e re të dispeçerisë dhe sistemin e kontrollit SCADA, I cili bën të mundur integrimin e sistemit energjitik shqiptar në atë evropian. Gjatë Ceremonisë së inaugurimit Kryeministri Edi Rama siguroi se brenda qershorit nuk do të ketë më faturim aforfe të energjisë për konsumatorët familjarë.

“Brenda qershorit t’u japim shqiptarëve një lajm që e kanë pritur 25 vite: do të paguajnë atë që konsumojnë. Duam që të shkojmë më tutje, drejt uljes së mëtejshme të çmimit, drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë së konsumatorëve familjarë, por të gjithë duhet ta kuptojmë se, nëse ka një njeri që është i dëshiruar më shumë se kushdo tjetër që këto gjëra të bëhen menjëherë, dhe të ndodhin sa hap e mbyll sytë, ky jam unë. Por kjo nuk është e mundur. Kush thotë të kundërtën bën shaka”, tha Rama.

Në fjalën e tij kryeminsitri tha ndër të tjera se 300 mln euro do të investohen për këtë sektor, 6 milionë euro janë investuar për ndërtesën dhe 17 të tjera për ndërtimin e sistemit të monitorimit të të gjitha nën stacioneve elektrike në të gjithë vendin.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se deri dje energjia ishte një mal pa zot, ndërsa me investimet e kryera në vitet e fundit sistemi energjetik është integruar si pjesë e BE-së.

Nga ana tjetër, Kryeministri deklaroi se ai vetë ishte më i pakënaquri me reformat e qeverisë.

“Si Kryeministër i vendit, jam njeriu më i pakënaqur sot. Për arsyen e thjeshtë se jam i vetëdijshëm për padurimin dhe pritshmëritë e njerëzve”, tha Rama.

Më tej për reformën në sistemin e energjetik, kreu i qeverisë u shpreh se, brenda qershorit, shqiptarët do të paguajnë atë që u takon, faturat afrove nuk do të ekzistojnë më.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo. Ambasadori italian Cutillo në fjalën e tij tha se bëhet fjalë për një infrastrukturë prestigjioze, dhe me një rëndësi strategjike për Shqipërinë.

“Ky projekt është thelbësor për përshtatjen e sistemit energjetik shqiptar me rrjetin europian, që përbën një fazë të rëndësishme në rrugën e integrimit. Projekti është më rëndësi për monitorimin e sistemit të energjisë. Jam i lumtur që shoh të valëviten pranë flamujt e Shqipërisë, Italisë, dhe BE-së. Dua të theksoj se përveç këtij kontributi, Italia do të vazhdojë të kontribuojë për zhvillimin e sistemit energjetik në Shqipëri. Ne kemi projekte edhe për ardhmen në kuadër të këtij programi. Janë parashikuar edhe 2 ndërhyrje të tjera për zhvillimin e rrjetit elektrik shqiptar, të rrjetit Scada në gjithë vendin, në jug të vendit, dhe në respekt të rregullave europiane”, tha ambasadori Cutillo.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në inaugurimin e Qendrës Kombëtare Dispeçer dhe Sistemit të Ri të kontrollit SCADA/EMS:

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)