Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve, e më pas do flasë për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se pasi nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje, Rama po kërkon edhe dy javë të tjera për një raport të deputetëve të tij, për të cilin urdhrin do ta jape vetë.
Sipas Bardhit, Rama po kërkon të blejë kohë dhe të sulmojë drejtësinë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për Ballukun, por për të personalisht.
Bardhi shton se Rama ka rol në vendimet se kush i fiton tenderat dhe se ai ka frikë për humbjen e pushtetit.
“Nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje. Tani kërkon edhe dy javë të tjera për gjoja një raport të deputetëve të vet, për të cilin urdhrin do ta japë po vetë. Por çfarë ka për t’u analizuar kaq gjatë? Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, të firmosura nga Belinda Balluku, me urdhër apo dijeni të Edi Ramës. Një pjesë janë projekte publike që sot po shemben dhe po bllokojnë qytetarët kudo në vend. Janë 16 mijë faqe prova ku faktohet korrupsioni i neveritshëm i qeverisë dhe administratës së lartë të Edi Ramës.
Janë mjaftueshëm përgjime që faktojnë shantazhin mafioz ndaj dëshmitarëve në proces, përmes të fortëve, parave të pista dhe presionit ndaj familjes. Pra, pse kërkon të blejë akoma kohë Edi Rama? Pse sulmon drejtësinë? Pse pengon drejtësinë? Sepse nuk bëhet më fjalë thjesht për Belinda Ballukun. Në lojë është personalisht Edi Rama. Rolin e tij në vendimet se kush i fiton tenderat, e kemi parë e zeza mbi të bardhë në dosjen antikorrupsion të SPAK-ut.
Fatkeqësisht për Edi Ramën, koha nuk ndryshon faktet. Shtyrja nuk ndryshon përgjegjësinë. Sa më shumë të zvarritet vendimi, aq më e qartë bëhet se problemi nuk është tek hartimi i raportit të shumicës, por tek frika e Edi Ramës për humbjen e pushtetit. Mesazhin e ka marrë shumë të qartë: çështja e Belinda Ballukut është test për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Integrimi nuk matet me fjalime (anti) “revolucionare”, por me akte që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Kur pushteti zvarritet për të mbrojtur veten, qytetarët nuk kanë arsye të presin. Prandaj, 28 shkurti, ora 18:00, është dita kur frika e pushtetit do të përballet përsëri me vendosmërinë e qytetarëve. Është dita e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Bardhi.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e grupit të PS se ia ka refuzuar 3 herë dorëheqjen Belinda Ballukut.
Rama tha se për këtë çështje do të presë raportin e Këshillit të Mandateve, ndërsa shtoi se qeveria nuk mund të futet në vallen e dorëheqjeve kur ngrihet një akuzë.
“Nuk do merrem me procesin që ka nisur në Kuvend se do pres raportin e Këshillit të Mandateve. Por dua të ndaj me ju, diçka që e kam thënë pa praninë e publikut. Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, që kur iu ngrit akuza, jo për korrupsion. Ndërkohë që tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat për të ndërtuar veprat, akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tenderë, pastaj ma ka sjëllë me shkrim kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe njëherë kur u ripezullua nga mosvendimi i GJK. Kam bindjen që në këtë fazë revolucionare, kur ndryshe nga vendet me drejtësi, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, nuk mund të futemi në vallen e dorëheqjeve kur ngrihet një akuzë. Ne bëjmë punën tonë, drejtësia të vetën. E di praktikën europianë të dorëheqjes morale, por sot në Shqipëri kur përmes SPAK, drejtësia ka nisur të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin dhe po bën dëm serioz kolateral për administratën, duke e përmbysur parimin e prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisë së vendit nuk mund të ç’kurdiset kur prokuroria ngre një akuzë”, tha Rama.
Komente











