Rama: Kosova, pjesë e ‘Partneritetit për paqe’! Me Serbinë të dialogojmë

 

Kryeministri Rama në konferencën për mediat me Stoltenberg tha se Shqipëria është krenare për rolin e saj në rajon.

“Është kënaqësi e madhe dhe po kështu një nder që kthehem këtu dhe që kam mundësinë të ndaj me ju disa opinione pas samitit të Madridit, i cili siç e theksuat, ishte vërtetë një moment historik për Aleancën Trans-atlantike në përgjigje ndaj rreziqeve të sigurisë europiane për shkak të luftës së qëllimtë të Rusisë e po kështu dhe me miratimin e vendimeve të rëndësishme për të transformuar dhe forcuar Aleancën dhe për të siguruar që NATO të vijojë të mbrojë paqen dhe të parandalojë konfliktin e të mbrojë popujt dhe vlerat e Aleancës.

Nga ana tjetër, jam krenar që parlamenti shqiptar u bë një prej parlamenteve të para të vendeve aleate për të ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të tyre nga ambasadorët e vendeve aleate. Ne qëndrojmë me forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe sigurisht që është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, mbështetje që është më e palëkundur se kurrë.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë. Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe si vend kandidat për në BE, ne do vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional, në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht, stabilitetit.

Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë.

Nga ana tjetër, pata dhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur tashmë në Samit. Nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Megjithatë, në kohët ku jetojmë, në këndvështrimin tim modest, është vërtetë e mençur që kjo të ri konsiderohet. Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, e vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë, nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit e gjithçka tjetër. Faleminderit shumë edhe për këtë dhe është përherë kënaqësi të kthehesh këtu dhe është gjithnjë e dobishme të kthehesh me energji të plota e të vazhdosh t’i shërbesh kësaj aleance të shenjtë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama me Stoltenberg në Bruksel: Baza detare në Durrës, e 'fjalës së fundit'! Shqipëria, krenare për rolin e saj për paqen dhe stabilitetin


K.T./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja