Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka komentuar zërat në media lidhur me supozimet se kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar shkarkimin e Haki Çakos nga drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. 

Xhafaj mohon të ketë pasur debate me Ramën, ndërsa sqaroi se shkarkimi i Çakos erdhi si pasojë e nevojës për më shumë dinamizëm. 

Nuk besoj të ketë pasur diçka të tillë. Por kur kam dërguar propozimin për shkarkimin e Çakos, qeveria e miratoi. Në këto momente, për shkak të disa prioriteteve kemi nevojë për më shumë dinamizëm, kjo është një nga arsyet e kësaj lëvizjeje në radhët e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në momentin e përshtatshëm, drejtori i ri që do të vijë do të vlerësojë nevojën e lëvizjeve të reja”, deklaroi Xhafaj në "Kapital". 

Duke u ndalur te Vettingu në radhët e policisë së shtetit, Xhafaj tha se ka efektivë policie të inkriminuar, të korruptuar dhe të paaftë. Sipas tij, ideja për Vetting në polici lindi qëkur nisi Reforma në Drejtësi. 

Duke parë nevojën në polici, çuan në këtë angazhim publik për të bërë një proces vlerësimi në radhët e policisë. Përtej historive të veçanta, unë mendoj se në radhët e Policisë së Shtetit unë mendoj se ka shumë njerëz që janë të aftë dhe të ndërtuar. Ne nisëm vettingun në gjykata dhe prokurori, por menduam se ishte shumë e rëndësishme që ky proces të niste edhe në polici. Të dhëna të shumta tregojnë se në radhët e policisë ka efektivë të inkriminuar apo të korruptuar, por edhe të paaftë”, tha Xhafaj në emisionin “Kapital”.

Sipas ministrit të Brendshëm, kjo përfshihet edhe në raporte, e thonë shumë agjensi të huaja, por edhe opinioni publik ka treguar se policia duhet të pastrohet. “Vetingu mund të zgjasë dy vite dhe është i drejtuar në dy faza. Faza e para është për oficerët me grada të larta. Kam parasysh, anën profesionale, lidhjen me krimin dhe anën morale.

Do të shikohet  dhe për pasuritë e çdo kujt, pasi mund të kenë pasuri që kalojnë në qindra fishin e rrogës që marrin. 
Sapo kemi mbyllur projektligjin, dhe në fund të këtij muaj do të jetë në dyert e Kuvendit”, tha Xhafaj.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com