Rama:Kushte? Statusi është
si fejesa, anëtarësimi si martesa

Rama:Kushte? Statusi është<br />si fejesa, anëtarësimi si martesa
TIRANE - Vetëm pak minuta pasi Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së i tha “Po” statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama nga salla e hartave deklaroi se tashmë nis puna e qeverisë, ndonëse nuk do të jetë e thjeshtë, duke iu referuar kështu çeljes së negociatave për anëtarësim.
 
“Në dhjetor nuk ja dolëm, jo sepse mesazhi nuk u dëgjua fort, por sepse në disa vende triumfoi frika e disa vendeve para zgjedhjeve evropiane, ashtu si edhe zhgënjimi i viteve të fundit nga performanca e dobët e Shqipërisë. Statusi është si fejesa, fejesa ka kushte, se pa plotësuar kushtet nuk martohesh dot. Sfida vjen duke u bërë më e madhe, jo më e vogël. Jemi të bindur që do t’ia dalim, pavarësisht çfarë kushtesh vendosin. Kushtet që i kemi vendosur vetes janë më të rënda se ato të të tjerëve. Ne nuk do të plotësojmë kushtet e të tjerëve, por do bëjmë çdo gjë që mundet të bëjmë sepse është në të mirën e fëmijëve tanë, do bëjmë gjithcka jo se na e kërkojnë të tjerët, por se destinacioni ynë është të ecim më shpejt drejt Rilindjes”, u shpreh kryeministri Rama në një konferencë të mbajtur me ministren e Integrimit Klajda Gjosha. 

"Ne kemi mandate për të goditur, ne do të godasim!
Rama garantoi se për të ecur në rrugën drejt integrimit europian, reforma në drejtësi do të jetë e dhimbshme, pasi do të godasë jo vetëm kriminelët, por edhe zyrtarët më të lartë që i kanë hapur rrugë krimit.
 
“E përsëris edhe sot se Gatet e drejtësisë duhet të dorëzojnë çekiçët sepse çekiçi i Gateve të drejtësisë vret edhe më shumë.  Do të jetë një reformë e thellë dhe e dhimbshme për të gjitha gatet e sistemit të drejtësisë. Ne nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të falim askënd.

Takimi me kancelaren Merkel, ka qenë një nga takimet më të bukur të jetës sime, por rrallë mund ta kem ndjerë veten aq keq si shqiptarë, kur kancelaria më ka thënë: Dakord, argumentet për statusin i dëgjova, një pyetje kam, a besoni se me këtë sistem drejtësie do të mund të integrohet? Kurrë, as me dylbi as me teleskop, me këto duar dhe me këtë gjendje. Ne këtë nuk mund ta tolerojmë, kush e di veten të paprekshëm, dhe kush i ka mbijetuar me sukses çdo lloj situate duke dalë i fituar në mënyrë të paligjshme, duhet ta ketë të qartë mesazhin tonë, ne do të godasim, mandati ynë më 23 qershor është një mandat për të goditur. Do ta përdorim, sepse nuk mund të bëjmë sehir se si gatet me çekiç lëshojnë gatet me armë pasi paguajnë gatet me çekiç për të dalë prapë rrugëve. Ne nuk mund të paguajmë dhe të vëmë në rrezik policinë për të kapur gatet, dhe pastaj gatet me gatet, dalin në rrugë për të bërë sërish krime. Kush mban përgjegjësi për këtë? Ne që ju përfaqësojmë edhe ju, ne mbajmë përgjegjësi. Janë rreth 100 raste të kriminelëve të liruar. Të dy palët e gateve duhet të bëhen bashkë dhe të shkojnë aty ku e kanë vendin. Asnjë vajzë nuk mund të ndihet në rrezik, se mund ta përdhunojë gatja, sepse krimineli ka paguar gaten tjetër, për të dalë sërish për të shuar epshin. U teprua aq sa nuk mban më. Shumëkush e mori për ngurim apo për tkurrje apo për shmangie nga përballja me sfidën më të rrezikshme të asaj pjese, të përpjekjes që ne morëm kohë për Lazaratin, jemi përgatitur me muaj kohë. Dhe arritëm të bëjmë atë që sot na i ka ngritur sytë dhe kokën pa asnjë pikë gjaku. Nuk ka asnjë gjë të pamundur për këtë qeveri. Kjo është një aleancë e pathyeshme përpara asnjë gate”, tha Rama.

Reforma territoriale, Rama ftese per dialog kryetarit Basha
Ndër prioritetet e rëndësishme të qeverisë, është edhe jo e reformës territoriale, për të cilën kreu i qeverisë i ofroi edhe një herë opozitës tyezën e dialogut, por njëkohësisht theksoi se kjo reformë do të përmbylet pasi shqiptarët nuk mund të presin më.

“Ne jemi në dispozicion të opozitës për cfarëdoqoftë që opozita do të kontribuojë. Opozita ka vendosur të rri në vend numëro, 1-2, 1-2, ne nuk bëjmë zgjedhjen e opozitës, bëjmë zgjedhjen tonë. Opozita i ka të gjitha hapësirtat, opozitës sot të mos i mungojë asgjë nga ato që i mungonin opozitës dje. Jam i gatshëm të dëgjoj kreun e PD për çdo temë që ka lidhje për të mirën e vendit, dhe për reformën territoriale jam i hapur të diskutojmë për 5 variantet tona, dhe nëse këto kanë një variant të gjashtë, edhe pse mjafton një ditë e vetme për të diskutuar një reformë që ka 20 vjet që nuk bëhet. PD ka gjithë kapacitete e nevojshme për të pasur një detajim të reformës territoriale, sa e ka vullnetin është gjë tjetër. Por unë edhe kryetari i kuvendit e kemi vullnetin për ti dëgjuar. Edhe ata nëse nuk d otë vijnë ne do ta bëjmë”, u shoreh krei i qeverise.

Rama: Falenderime kryeparlamentarit Meta, ministrave te kabinetit, lidereve nderkobmetare dhe kryetares se Komisionit te Integrimit Majlinda Bregu
Duke iu referuar statusit të vendit kandidat kryeministri Rama u shpreh se arritja e tij ishte në formën më dinjitoze, duke veçuar këtu nga radhët e opozitës, vetëm punën që kryetarja e komisionit të Integrimit Majlinda Bregu ka bërë gjatë kësaj periudhe.

Qysh në nisje të fjalës së tij. shefi i ekzekutivit vlerësoi qendrimin e ndërkombëtarë në këtë vendim, ndërsa vecoi kryeminsitrin Italin, Mateo Renzi, kancelaren gjermane Merkel, kryeministin Cameron dhe autrinë. Një vlerësim për punën në këto muaj i shkoi dhe kryeparlamentarit Ilir Meta dhe 5 anëtarëve të kabientit qeveritar për lobimin e statusit të vendit kandidat në vendet skeptike që në dhjetor i thanë “jo” vedit tonë. 

“Mirënjohje kryetarit të Kuvendit dhe bashkëkryetarit të Aleancës për Shqiëprinë Europiane, Ilir Metës për gjithcka ka mundur të garantojë, duke mbështetur përmes gjithë fuqisë parlamentare të Aleancës sonë qeverinë dhe këtë proces, dhe nga ana tjetër duke vënë në dizpozicion energji dhe punë për të bërë edhe ai pjesën e rrugëtimit dhe trokitjeve në funksion të domosdoshmërisë që Shqipëria ta merrte këtë status. Shpreh me zë të plotë gjithë mbështetjen e opozitës politike por më duhet të them se falenderimi i shkon përfaqësisë së opozitës në nivelin e dialogut të lartë, komisionit të integrimit dhe kryetares së komisionit të Integrimit Majlinda Bregu. Shpresoj që në periudhën në vijim e gjithë opozita të angazhohet me të gjitha forcat në funksion të procesit që vazhdon me marrjen përfundimtare të vulës nga Këshilli Europian. Nuk do të mungojë edhe vlerësimi për atë që opozita ka bërë para se të bëhej opozitë. Sot flasim për gjithë këta muaj të vështirë në këtë betejë aspak të lehtë që besoj e fituam me plotë meritë", tha Rama. 

Rama: Do festojme modestisht te gjithe...ftese edhe per Berishen, por pa koncert me Ciljeten
Dhe mesa duket statusi do të mbledhë në një festë të përbashkët të gjithë..ndërsa një ftesë do t’i rezervohet edhe ish kryeministrit Berisha.
 
“Statusin nuk kam nevojë ta bëj më të rëndësishëm sot, dhe as ti biem gjoksit se ne morën statusin, bëmë vetëm detyrën, po ta kishin bërë edhe të tjerët do e kishim marrë statusin më parë. Kam pasur neveri kur dëgjoja qeverinë për të organizuar koncerte, për të shfrytëzuar politikisht arritje të kësaj natyre. Kjo nuk do të ndodhë. Çiljeta nuk do të këndojë. Po përgatitemi do të ftojmë të gjithë ata që duhen ftuar, edhe Sali Berishën, për të qenë së bashku në një festë modeste për të adresuar gëzimin tonë si shqiptar për këtë që u arrit. Nuk do të politizojmë statusin. Besoj se shqiptarët janë mjaftueshëm të stërvitur politikisht për të ndarë kush ka bërë çfarë. Kush na ka votuar më 23 qershor, ka bërë një investim jashtëzakonisht të vlefshëm për veten dhe komunitetin”, tha Rama.
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë