Por në fakt, vetëm një pjesë e kësaj shume(4 miliard lekë)ka shkuar në destinacion, ndërsa rreth 3 miliard lekë janë përdorur për gjëra të tjera nga Bode. Por ka dhe një borxh 100 milionë lekë për sigurimet e punonjësve që bashkë me hallexhinjtë janë trajtuar si skllevër. Ndërkohë që nëpër dyshemetë e institucionit janë dergjur dosjet e legalizimeve për qytetarët shqiptarë, të cilët pasi masakrohen duke pritur, edhe zhvaten që nga dera e deri tek sporteli nga të gjithë, madje disa herë për shkak dhe të dokumentacionit të tejfryrë për të marrë një certifikatë pronësie. Po botojmë përmbledhjen e plotë të Ramës:
“Artan Lame, drejtori i ri i ALUIZNI-t ka paraqitur së fundi një raport tronditës për situatën në institucionin që duhet të jetësonte projektin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Ja një përmbledhje e bërë prej atij vetë për publikun gjatë një konference për shtyp, të cilën i’a vlen ta lexosh:
Pas rreth dy muajsh në krye të institucionit të Agjensisë së Legalizimeve, po bëjmë publike situatën në të cilën është dergjur prej vitesh ky institucion. Këta dy muaj e pak shërbyen për të ndalur rrënimin e mëtejeshëm e për të kryer ndërkohë një analizë të të dhënave që i duhen publikut.
Rreth 70% e konflikteve gjyqësore ku ALUIZNI është palë në proces janë për shkak të vendimmarrjeve konfliktuale, kryesisht në qarqet Berat, Shkodër, Lezhë, Fier, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë.
SITUATA E INSTITUCIONIT/Situata Financiare:
Aluizni është praktikisht i falimentuar financiarisht. Nëpër dyshemetë e institucionit gjenden aktualisht rreth 50 mijë praktika, për të cilat qytetarëve iu është kërkuar për të bërë pagesat dhe ata i kanë kryer. Paratë janë arkëtuar e kanë shkuar në buxhet. Por, nga ana tjetër, qytetarëve nuk ju është dhënë leja e legalizimit, duke i lënë për vite me radhë në një pritje rraskapitëse. Dihet se fondi i mbledhur nga legalizimet ka qenë burimi i vetëm gjatë gjithë këtyre viteve për kompensimin e ish-pronarëve. Deri tani (2008-2013) janë mbledhur 7,9 miliardë lekë (79 milionë USD) nga të cilat 6,98 miliard duhet të kishin shkuar në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit për t’u përdorur eskluzivisht për kompensimin e ish-pronarëve.
Por në fakt, vetëm një pjesë e kësaj shume(4 miliard lekë) ka shkuar në destinacion, ndërsa rreth 3 miliard lekë Ministria e Financave i ka përdorur për qëllime të tjera e në kundërshtim me ligjin. Pas vitit 2008, nga ALUIZNI janë punësuar me qindra punonjes me kontrate të përkohshme, që tashmë rezulton se nuk i’u janë derdhur pagesat për sigurimet shoqërore e ato shëndetësore. Vetëm për drejtoritë e Tiranës, Durrësit dhe Fierit, ky borxh i akumuluar është 83 milionë lekë, ndërsa në rang vendi i kalon të 100 milionët. Kjo është një njollë turpi për shtetin shqiptar, pasi ka trajtuar si skllevër dhe vetë punonjësit e vet.
Korrupsioni:
Në këtë sektor korrupsioni ka qenë i përhapur si sistem kapilar e praktikisht ishte i vetmi mjet që e vinte në lëvizje sistemin. Po ka pasur dhe një nivel tjetër, lart në majë, korrupsioni të përqëndruar. Me korrupsion kapilar nënkuptohet tortura që i rezervohej çdo qytetari për të mbaruar punë për të plotësuar duke paguar çdo dokument të dosjes, duke paguar tek roja poshtë sa herë kishte hall dhe duhet të hynte në institucion, duke paguar për të nxjerrë dosjen nga arkivi sa herë duhet të shtonte apo plotësonte dokumenta, duke paguar për të shtuar dosjen e kështu me rradhë në çdo hap e detaj të procedurës.
Ndërsa korrupsioni i përqëndruar ka pasur të bëjë me bllokimin e qëllimshëm të dosjeve dhe procedurave duke i vënë qytetarët para alternativës, “Ose paguani ose dosja varroset pa shpresë!”. Dëshmia më e qartë për këtë janë qindra e qindra denoncimet e mbërritura në portalin e denoncimeve të hapur nga ana e AlUIZNI-t në këta dy muaj. Për korrupsionin me pasoja të rënda jo vetëm mbi personat po mbi shoqërinë citohet ky shembull i nxjerrë nga një raport i KLSH, bërë në Vlorë në vitin 2012.
Paligjshmëri e paskrupullt! Kaosi administrativ
Në tetë vjet janë bërë 4 ligje bazë që kanë të bëjnë me legalizimet, të cilët janë ndryshuar rreth 22 herë, në 180 pika të ndryshme. Plus ligjet e tjera që kanë të bëjnë direkt ose indirekt me legalizimet, si legjislacioni i planifikimit urban, legjislacioni i kontrollit të territorit, legjislacioni i regjistrimit të pasurive, etj, e bëjnë kaosin dhe më spektakolar. Por këtyre ligjeve u duhen shtuar në vazhdën e kaosit me dhjetra vendime qeverie, urdhra të kryeminstrit, urdhra të ministrave e kështu me radhë, duke krijuar një vandak ligjesh rëndom në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Nuk mungojnë edhe akte ligjore apo nënligjore “ad personam”, që dmth akte të bëra për të favorizuar raste të veçanta, individë të veçantë. Tek kaosi administrativ nuk mungon dhe një element që është për t’u vënë në dukje: Kushte shërbimi ndaj qytetarëve tërësisht mizerabël. Mungesë ambientesh pune, braktisje e institucionit, papastërti shembullore, mungesë investimesh, vjedhje orendish e të tjera akoma. Vetë informacioni është gjetur në kaos total si në rastin e Tiranës ku ende sot nuk jemi në gjendje të themi numrin e saktë të vetëdeklarimeve të lëna dyshemeve, 29.000, 35.000 apo 37.000! Si përfundim ka një pyetje që kushdo dëshiron t’i jepet përgjigje: Pse dështoi procesi i legalizimit (në 8 vjet vetëm 22.000 legalizime në 293.000 aplikime)? Përgjigja është kjo:
1. Vizion rrënues për një proces ku duhet të fitonin të gjithë dhe ku në fakt janë shkatërruar të gjithë.
2. Vullnet i mbrapshtë politik dhe injorancë në lidhje me këtë problem madhor e të komplikuar.
3. Procedura të komplikuara (20 deri 30 dokumenta/çdo dosje).
4. Mos-koordinim midis institucioneve Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme-ALUIZNI-Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave.
5. Korrupsion kapilar dhe i përqëndruar.
6. Mungesa e profesionalizmit dhe mbushja e administratës me individë pa asnjë lidhje me punën.
7. Mosbesim i krijuar tek qytetarët se shteti e ka pasur ndonjëherë seriozisht procesin e legalizimeve.
Abuzimet përmes shifrave te institucioni i Legalizimit
Përmbledhja në shifra e situatës
Janë përfshirë në procesin e legalizimit:
270.592 ndërtime pa leje në Qershor-Shtator 2006
22.570 ndërtime pa leje në Qershor-Korrik 2013
Tabelë përmbledhëse e situatës së Legalizimeve
Vetëdeklarime të bëra nga qytetarët 293.000
Përditësime në terren nga ALUIZNI 140.000
Leje Legalizimi të plotësuara 69.300
Leje Legalizimi të lëshuara 21.200
Certifikata pronësie ~10.000
Lejet, për çfarë janë dhënë
Nga 76 dosje të pajisura me leje legalizimi, janë dhënë leje për:
- 1 rast në monument kulture,
- 42 raste në rrugë,
- 1 rast mbi kolektor,
- 8 raste në zona të gjelbëra dhe në rrugë,
- 10 raste në studim urbanistik 6-8-10 kate.
Shkrimi u publikua sot (08.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)