“Kjo betejë e fituar nuk është fundi i përpjekjes sonë në fushën e luftës kundër krimit, por bazë e re dhe shumë e favorshme duke identifikuar e sekuestruar asetet kriminale. Kjo betejë ka nisur dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe falë edhe asistencës së një skuadre agjentesh anti-krim amerikanë e evropianë ne do ta vazhdojmë atë me vendosmëri dhe pa asnjë tolerancë, ditë për ditë, këmba-këmbës”, tha Rama.
Rama: Betejë ndaj 'të fortëve' që vendosën pasuri me drogë
Më tej, kryeministri Rama foli për betejën kundër kanabisit, duke thënë se këtë vit do çrrënjoset përfundimisht kjo sëmundje e vjetër nga trupi i Shqipërisë, si dhe do të nxirret vendi ynë nga harta e territoreve të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Në lidhje me këtë çështje, Rama tha se do të ketë luftë kundër rrjetit të organizuar, që u pasuruan nga sipërmarrja kriminale e kultivimit të kanabisit.
"Do vijojmë luftën duke çuar para betejën kundër rrjeteve që kanë përfituar nga sipërmarrja kriminale e kultivimit të kanabisit dhe jo vetëm prej saj, duke identifikuar e sekuestruar asetet kriminale të përfituara nga individët e organizuar në këto rrjetet, duke ndaluar dhe çuar para drejtësisë ‘të fortët’ të mësuar prej shumë vitesh të livadhisin falë korruptimit të policisë, prokurorëve dhe gjykatësve", shtoi kryeministri.
Fjala e plotë e Ramës në 'Komunikimin Javor'
Java që mbyllet sot ka qenë e frytshme në tërësinë e saj dhe faleminderit për mesazhet që keni dërguar në mbështetje të praktikës së re të zhvendosjes së përmuajshme të qeverisë në një qark të vendit, që nisi me Vlorën dhe muajin e ardhshëm do vazhdojë me Dibrën. Lajmi më inkurajues i javës ishte takimi me drejtorin e BE për Zgjerimin. Është e qartë se Shqipëria po vijon të bëjë progres në rrugën e duhur. Objektivi ynë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE në mesin e vitit tjetër është rusisht i arritshëm duke vijuar punën për secilën fushë. Nuk ka asnjë ekuivokë në këndvështrimin e partnerët tanë strategjikë lidhur me dy histori suksesi të këtij viti, duke thelluar reformat dhe nxitur zhvillime të reja në planin e shtetbërjes dhe në plan ekonomik.
Së pari, zgjedhjet e 25 qershorit, ishin një histori suksesi për vendin. Shqipëria ja doli pas një situate të rënduar tej mase, nga bojkoti i Parlamentit, çadra e bulevardit, refuzimi i opozitës për të pranuar zgjedhjet.
Situata absurde u kapërcye falë mirëkuptimit, marrëveshjes së 18 majit, krijimit të një qeverie të përbashkët dhe sigurimit të fushatës më të qetë dhe më pak të kushtueshme financiarisht. Zgjedhjet jo vetëm janë konsideruar nga komuniteti ndërkombëtar si në përputhje të plotë me standardet e OSBE, por kanë vendosur një bazë të favorshme për të ndërtuar me tëj një proces zgjedhor edhe më të mirë, më të besueshëm për të gjithë dhe më transparentë. Këtij qëllimi i shërben Komisioni i Posaçëm Parlamentar që u votuam në Kuvend, pas dy bllokimeve të pajustifikueshme të foltores.
Propaganda e shfrenuar kundër zgjedhjeve, e atyre që nuk dolën fitues në ballafaqimin e 25 qershorit është, shfaqje e dobësisë kuptimplotë e vetëdobësisë së brendshme. Nëse vazhdojnë kështu jo vetëm rrezikojnë një humbje tjetër, por edhe të dobësohen si faktorë politikë, por kjo është çështja e tyre dhe jo e jona dhe as e njerëzve që duan shtet, punë, mirëqenie dhe jo llafe e sherre.
Së dyti, rezultati shembullor i këtij viti për çrrënjosjen e sëmundjes së vjetër të kanabisit nga trupi i Shqipërisë dhe nxjerrja përfundimtare e vendit tonë nga harta e territoreve të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit shënojnë epilogun e një beteje të vështirë, e cila nisi me suksesin e pamendueshëm të asgjësimit të bankës së parasë së zezë të Lazaratin, vazhdoi më tej me arritje, por dhe dështime në mbarë territorin, dhe po mbyllet këtë vit me fitoren e shtetit mbi sipërmarrjen kriminale të kultivuesve të drogës.
Kjo betejë e fituar nuk është fundi i përpjekjes sonë në fushën e luftës kundër krimit, por bazë e re dhe shumë e favorshme për ta vijuar këtë luftë duke çuar para betejën kundër rrjeteve që kanë përfituar nga sipërmarrja kriminale e kultivimit të kanabisit dhe jo vetëm prej saj, duke identifikuar e sekuestruar asetet kriminale të përfituara nga individët e organizuar në këto rrjetet, duke ndaluar dhe çuar para drejtësisë ‘të fortët’ të mësuar prej shumë vitesh të livadhisin falë korruptimit të policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Kjo betejë ka nisur dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe falë edhe asistencës së një skuadre agjentesh anti-krim amerikanë e evropianë ne do ta vazhdojmë atë me vendosmëri dhe pa asnjë tolerancë, ditë për ditë, këmba-këmbës.
Fatkeqësisht opozita ka zgjedhur ta keqpërdor temën e krimit për të mos marrë përgjegjësi për humbjen e saj dramatike në zgjedhje, dhe të kriminalizojë qeverinë përmes shpifjeve, për të shmangur vëmendjen prej dobësive të saj. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar dhe padenje e një opozite, që në mungesë të vizionit, programit, skuadrës, lidershipit, rreket si e marrë ta shfrytëzojë krimin për të ndjellë pasiguri, por qeveria as e zgjedhë opozitën dhe as zgjedh dot për llogari të saj se çfarë qëndrimesh duhet të mbajë opozita në të mirë të vendit. Ne jemi zgjedhur nga shqiptarët për të mirëqeverisur dhe kemi zgjedhur rrugën e dialogut dhe të bashkëpunimit me opozitën. Bashkëpunim vetëm me vullnetin e një pale nuk mund të ketë, por ne nuk do ta humbasim durimin dhe do vijojmë t’i bëjmë thirrje opozitës të bashkëpunojë për interesat e mëdha të vendit.
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com