Në një postim në rrjetin social "Twitter", Rama shkruan se "Lufta policore kundër ndërtimtarisë pa leje, me të njëjtën përmasë e seriozitet si lufta kundër drogës! Shkatërrimi e shëmtimi do të ndalen".
Gjithashtu Kryeministri Rama në një tjetër postim thekson se do të ndalet edhe abuzimi me pushtetin i autoriteteve vendore.
"Do të ndalet medoemos edhe abuzimi i frikshëm me pushtetin i autoriteteve vendore që kanë dhënë leje në shkelje të ligjeve e planeve vendore", shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social "Twitter".
Rama në mbledhjen e KKT: Pezullohen lejet e reja dhe planet e detajuara vendore
Dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, Kryeministri Rama u shpreh se "duhet parandaluar shkatërrimi i burimeve natyrore duke pezulluar lejet e reja dhe planet e detajuara vendore".
Po ashtu, kryeministri paralajmëroi se do të ndiqen penalisht të gjithë abuzuesit dhe shkelësit e ligjit në mbrojtje të burimeve natyrore.
Kryeministri Rama bëri të ditur se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit u morën vendime me rëndësi strategjike për të ndalur duar autoritetesh vendore që në emër të ligjit, i hapin rrugë barbarisë dhe paligjshmerisë mbi territorin.
"Në mbledhje u vendos të çelen praktika konkurimi ndërkombëtar për projektet
Projekti 1: Hapësira Tiranë - Durrës, Ura e Metropolit të Ri të Shqipërisë
Projekti 2: Kurora e Tiranës, Frymëmarrja e Metropolit Shqiptar
Projekti 3: Rigjenerimi i Vijës Bregdetare Uji i Ftohtë - Palasë
Projekti 4: Himara dhe Yjësia e Vendbanimeve përreth, Një model i Ri Rikualifikimi Urban
Projekti 5: Hapësira Sarandë - Ksamil, Një Rrugë e Re Zhvillimi Turistik", shkruan Kryeministri.
Sipas Kryeministri Rama "lufta kundër ndërtimeve të paligjshme dhe po ashtu kundër lejimit të vazhdës së masakrës mbi territor përmes lejesh abuzive e antiligjore, hyn në një fazë të re". /ATSH/