TIRANE- Kryeministri Edi Rama pritet të shuajë sot dilemën për emrin e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës. Rezultatet e sondazheve që po zhvillohen në PS, konsultat që Rama ka zhvilluar me bazën dhe deputetët e qarkut të Tiranës pritet të përcaktojnë se cili do të jetë kandidati i së majtës në zgjedhjet e 21 qershorit mes Erion Veliajt dhe Blendi Klosit.

Mbrëmjen e djeshme, kreu i qeverisë ka mbledhur në selinë e kryeministrisë edhe disa nga ministrat e kabinetit të tij qeveritar si dhe drejtuesit e grupit parlamentar të PS. Në takimin e kërkuar nga kreu i PS-së Rama, kanë mbërritur njëri pas tjetrit për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e 21 qershorit, nënkryetari i grupit të PS, Taulant Balla, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, kreu i grupit Gramoz Ruçi, deputeti Eduard Shalsi dhe më pas ministrat Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati dhe Erion Veliaj.