Ndërkohë që Sali Berisha ka thirrur mbështetësit e tij në një protestë kundër Edi Ramës, ky i fundit zgjodhi vajzat dhe djemtë e talentuar të Shqipërisë, fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantë për vitin 2026 në programin Startup Albania, për të dhënë lajmin e rritjes së financimeve për këto programe që ai i cilësoi shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Takimi u mbajt në ambientet e rikonstrukturuara të shkollës Onufri dhe shënon herën e parë që Rama shfaqet në një aktivitet politik ndërsa Berisha proteston përballë zyrës së tij.
Në këtë takim u prezantuan projekte inovative dhe ide premtuese në fushën e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Në fjalën e tij, Rama sqaroi, se financimet e qeverisë për të rinjtë në këtë program, nuk do të jenë kredi por grant që qeveria shqiptare ia vë në dispozicion atyre që kanë ide dhe potencial.
Rama theksoi se këtë vit është trefishuar numri me 1219 aplikantë, për të cilët do të jepet mbështetje financiare përmes granteve që shkon nga 15 mijë euro deri në 90 mijë euro.
“Shifrat janë domethënëse. Trefishimi i numrit të aplikantëve për programin Startup Albania që ka nisur disa vite më parë dhe tani është i besueshëm. Falë besueshmërisë dhe informacionit, ky program ka tërhequr një interesim të madh dhe një numër rekord aplikimesh prej 1219 aplikimesh për mbështetje financiare që shkon nga 15,000 deri në 45,000 euro dhe për projekte konsolidimi deri në 90,000 euro, që nuk janë kredi, por grant që qeveria shqiptare ia vë në dispozicion atyre që kanë ide dhe potencial për të krijuar një zgjidhje, një kompani të vogël e më pas të madhe. Ne do të rrisim dhe volumin e financimit për tiu përgjigur kësaj shpejtësie. Bazuar në vitet e para, në vitin 2024 ishin 422 aplikantë, në 2025 ishin 536, ne parashikuam një fond që të rritej kështu. Duke u gjendur përballë 1219 aplikantëve do të duet që tu japim një mesazh të gjithë atyre që kanë aplikuar, që ne nuk do të kufizohemi tek numri i fituesve të parashikuar sipas shifrave të 2 viteve të kaluara, por do bëjmë një financim ekstra në javët që vijnë, dhe do të financojmë edhe aplikues të tjerë mbi atë shifër, që ta rrisim financimin po aq sa është rritur numri në proporcion. " tha Rama.
Aktiviteti solli në fokus rritjen e shpejtë të ekosistemit të teknologjisë në Shqipëri, në një kohë kur numri i kompanive të regjistruara në këtë sektor ka arritur në 3 mijë e 300, ndërsa mbi 21 mijë specialistë janë të punësuar në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.
Kryeministri Rama i bëri thirrje të rinjve të pranishëm të besojnë tek forca që ai e quajti ‘mbi natyrale’ e teknologjisë, që do tu japë atyre mundësinë të realizojnë të paimagjinueshmen. Sipas tij, teknologjia do tu japë mundësi të rinjve që të punojnë në çdo vend të botës, pa pasur nevojë të emigrojnë apo të lëvizin nga shtëpia e tyre.
“Ne sot mund ta themi lirisht atë që deri jo shumë kohë më parë ishte për të qeshur, që cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre kudo qoftë ajo në Tiranë, në Elbasan apo në një fshat të largët, mjafton që të kenë një kompjuter dhe që të jenë të lidhur me internetin dhe jo vetëm kaq, por mund të punojnë pa lëvizur nga shtëpia e tyre dhe të paguhen shumë herë më mirë sesa çdo të paguheshin po të largoheshin nga vendi i tyre dhe të bënin një punë diku jashtë për dikë tjetër” tha Rama, duke iu kujtuar të rinjve të pranishëm se në botën e teknologjisë të gjithë janë në të drejtën e tyre që të shohin ëndrra të mëdha.
Rama u dha mesazhe të rinjve që të mos ndalen përballë humbjeve por të ecin përpara me ide për të fituar përballë konkurrencës së fortë të botës teknologjike. një thumb ky si duket edhe për rivalin e tij politik, që nuk i pranon disfatat elektorale.
"Humbësi i keq është ai që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin se i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë i ka marrë atë që u takonte, se këtu nuk u jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para dhe se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi", vijoi Rama.
Kryeministri Edi Rama, nga Elbasani ku zhvilloi një takim me të rinj të apasionuar pas teknologjisë, ka ‘thumbuar’ kundërshtarin e tij politik, Sali Berishën, i cili në të njëjtën kohë po proteston para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në Shqipëri burrat janë ‘humbësa të këqinj’, pasi sipas tij, nuk e pranojnë humbjen dhe gabimet e veta, në mënyrë që t’i hapin rrugën një procesi për të ecur përpara.
Sipas kryeministrit, në mendjen e shqiptarëve kur humbin një garë, gjithmonë qëndron ideja se ‘ua kanë punuar’.
“Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është ai që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin se i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë i ka marrë atë që u takonte, se këtu nuk u jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para dhe se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi, etj, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës. Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes dhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh duke fantazuar, ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar ndeshjen e ardhshme. Kjo botë është e ëndërrimtarëve që guxojnë”, tha mes të tjerash Rama.
Kujtojmë se kryedemokrati Sali Berisha pas humbjeve në seri në zgjedhje, asnjëherë nuk e pranon rezultatin, por justifikohet me pretekstin se votat i janë vjedhur nga partia në pushtet.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se sot bota e teknologjisë po përparon me shpëjtësi shumë të madhe dhe sipas tij, të rinjtë në Shqipëri kanë mundësi të shumta për të avancuar në fushën e inovacionit.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me të rinj në Elbasan, fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantë për vitin 2026 në programin Startup Albania.
Rama në formë batute tha se kurrë nuk kishte ëndërruar që të bëhej këngëtar, për shkak të kushteve dhe rrethanave të kohës, teksa shtoi se sot të rinjtë janë në të drejtën e tyre që të jenë Steve Jobs i radhës (duke iu referuar kështu mundësive të mëdha që sipas tij ofron bota e teknologjisë, edhe me mbështetjen e qeverisë në Shqipëri).
“Nuk kam parë ndonjëherë me sy hapur ëndrrën që të bëhem këngëtar. Sepse nuk më ka ardhur ajo ëndërr, ngaqë s’ka pasur kushte organizmi dhe mendja që ta prodhojë këtë ide. Por, kur ti me sy hapur shikon që mund të dalësh në një majë, është vetëm çështje vullneti dhe force për të dalë. Sepse të gjithë shohin ëndrra, por jo të gjithë i realizojnë. Sepse jo të gjithë janë të gatshëm që të bëjnë të gjitha sakrificat që ëndrra kërkon për të të lejuar që ta prekësh. Dhe në botën e teknologjisë të gjithë janë në të drejtën e tyre që të jenë Steve Jobs i radhës. Duke filluar nga Steve Jobs i Elbasanit, e me radhë. Por mundësia për t’ia dalë sot falë teknologjisë është po aq e jashtëzakonshme sa edhe vetë shpejtësia e teknologjisë, është diçka që s’duhet ta harroni për asnjë çast. Ju që jeni këtu, jeni këtu sepse besoni te kjo fushë. Numri i vajzave fituese në këtë thirrje është rritur dhe vazhdon të rritet. Uroj që ta ktheni Elbasanin në një vend që të tregohet nga larg si vendi i shumë startup-eve dhe si vendi i shumë vajzave dhe djemve që krijojnë mirëqenie për veten dhe qytetin”, tha mes të tjerash Rama.
Komente










