Rama me ish-ushtarakët: Qeveria
e keqe, vepër e atyre që s'votojnë

Rama me ish-ushtarakët: Qeveria <br />e keqe, vepër e atyre që s'votojnë
TIRANE - Partia Socialiste e Shqipërisë zhvilloi sot një tryezë me ish-ushtarakët, në vijimësi të prezantimit dhe diskutimit mbi programin e kësaj partie për një Rilindje Shqiptare.

I pranishëm në këtë takim, kryesocialisti Rama, kritikoi institucionet shtetërore se nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur ish-ushtarakëve dhe ka ftuar të pranishmit që në zgjedhjet e ardhshme të bëjnë ndryshimin.

Sipas shefit të opozitës, qeveria është fajtore për gjendjen e mjeruar në të cilën gjendet vendi me rendin dhe ligjshmërinë e rrënuar dhe se ajo që nevojitet është një kapitull i ti për ndryshimin e kësaj situate. "Sot vendi është në një situatë ku gjendja e ligjshmërisë dhe e rendit është më e ulëta që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë, sigurisht pas kolapsit të vitit 1997. Jetojmë një kolaps të një natyre tjetër, por është fakt që sot siguria hyn ndër problemet kryesore të çdo familjeje të zakonshme", tha Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se “qeveria e keqe është vepër e atyre që s’shkojnë në votim. Brenda kontekstit të zgjedhjeve dhe ndryshimit që i duhet Shqipërisë, Rama theksoi se e rëndësishme është të sigurohet mirëqenia e vendit, dhe jo fakti se kush udhëheq. "Kush thotë s’merrem me politikë se ma ka sjellë shpirtin në majë të hundës harron që politika merret me të orë e çast. Kush rri në qoshen e vet dhe mallkon çka i del përpara harron se në fakt i ka lënë duart e lira atyre, që mund ta bënin punën shumë më mirë për ta bërë punën keq. Ka një shprehje shumë të bukur që thotë “qeveria e keqe është vepër e atyre që nuk shkojnë në votim”, jo e atyre që votojnë për të apo atyre që votojnë kundër saj. Ndaj do t’ju lutesha shumë që në këto ditë, që kanë mbetur deri në zgjedhje, secili prej jush të bëj gjithçka mundet. Secili prej jush mund të bëjë më shumë sesa një njeri i zakonshëm, sepse ju jeni të organizuar, ju keni më shumë arsye dhe ndoshta dhe më shumë vetëdije lidhur me çfarë i ka ndodhur shtetit dhe çfarë duhet të bëhet për shtetin në mënyrë që ne ti fitojmë zgjedhjet jo për të larguar nga karrigia e kryeministrit një burrë që i ka dalë pak kurrizi tani dhe për të sjellë një më të gjatë, as për të ndërruar një parti me një tjetër, por realisht për të mbyllur një kapitull dhe për të hapur një kapitull tjetër. Për t’i dhënë fund një qeverisjeje që sjell vetëm rrënim dhe për t’i dhënë shansin një force të re të krijuar nga një koalicion me epiqendër Partinë Socialiste që të krijojë kushtet për një Rilindje Shqiptare."

“Zgjedhjet jo për të hequr një kryeministër me kurriz të dalë e për të sjellë një më të gjatë”, u shpreh numri një i opozitës.

RUCI: SHQIPERIA NE KUFIJTE E EKZISTENCES

Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i pranishëm në këtë tryezë vlerësoi ish-ushtarakët dhe mospërfshirjen e tyre në korrupsion. Ju keni marrë diploma e jo kartona si sot. Ju s'bëtë kompromis me korrupsionin si sot”, tha Ruçi.

Ndërkohë, Ruçi tha se në 100 vjet shtet Shqipëria gjendet pa institucione, pa zgjedhje demokratike dhe me rritje të papunësisë.

“Shqipëria është nga ato vende në hartë që s’bën zgjedhje demokratike, s’ka institucione të pavarura. Shqipëria në vend të parë për krimin. Shqipëria është në vend të parë për korrupsionin. Shqipëria me një numër të papunësh pothuaj dy herë më të madh se të atyre që janë në punë. Shqipëria është në kufijtë e ekzistencës. Ndërkohë ata që janë në pushtet me vota të vjedhura trumbetojnë se Shqipëria herë del pas Gjermanisë në Evropë, e herë pas Kinës në Botë”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PS.

Për Ruçin “është momenti që në datën 23 qershor pushteti të merret në votë. Këtë e kemi në dorë të gjithë. Ju një forcë që të vemi të gjithë bashkë në këto zgjedhje me besimin në fitore. Ju e dini se çdo të thotë rritja e frymës së besimit në fitore.”

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Gaz Bardhi përplaset me Erion Braçen: O gore, mbylle gojën! Mos më acaro nervat që në mëngjes

Gaz Bardhi përplaset me Erion Braçen: O gore, mbylle gojën! Mos më acaro nervat që në mëngjes