Rama me Kurtin: Bashkëpunim me shpejtësi të re, mbledhje e radhës e qeverisë në Shkodër! Kosova prioritet i prioriteteve (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama çeli konferencën për mediat me kreun e qeverisë Albin Kurti në Pallatin e Brigadave. Ai foli për një bashkëpunim të ri mes dy shteteve.

"Natyrisht që përtej aspekteve protokollare dhe formalizmit dua të them që ishte kënaqësi për ne, të mirëpresim sot delegacionin e kryesuar nga Kryeministri i sapodekretuar i Kosovës!  

I dashur Albin, mirëserdhe!

Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv, për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë dhe gatishmëritë të plotë reciprokisht.

Kemi rënë dakord të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë dhe aty u dakordësuam për Shkodrën. Një vakum mes të dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror, të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare, për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’ia adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë të arritjeve, qoftë të nevojave për vendimmarrje të tjera.

Kemi diskutuar natyrisht, me Kryeministrin, edhe për Procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e 4 lirive themelore të Bashkimit Europian në rajonin tonë, ku, për ne, bashkëpunimi me Kosovën mbetet natyrisht, prioritet i prioriteteve. E kam thënë dhe më parë, ia thashë edhe Kryeministrit sot, po e them edhe këtu publikisht, përsëri, që për mua, nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve, në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, të kapitaleve dhe të shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe ndaj njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap, për të hequr kufirin mes dy shteteve dhe për ta bërë faktikisht hapësirën e përveçme të secilit shtet, një hapësirë të përbashkët lëvizjeje, ndërveprimi, bashkëpunimi, zhvillimi.

Në fund dua të theksoj që ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë, përfundimtar, si një shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet. Edhe njëherë, shumë faleminderit i dashur Albin!", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Kurti: Prioritet makro-shengeni shqiptar! Rama: Jo pa shengenin ballkanik /Video


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime