Kurti: Prioritet makro-shengeni shqiptar! Rama: Jo pa shengenin ballkanik /Video

TIRANE - Mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare mbeten të hapura divergjencat për “mini Schengen” ballkanik, nismë e ndërmarrë nga Shqipëria përmes kryeministrit Rama, ku Kosova, ashtu si Bosnje-Hercegovina, deri më tani nuk i është bashkuar asnjë takimi ku pjesëmarrës kanë qenë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Nga Tirana Kryeministri Alblin Kurti pati kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare.

Albin Kurti zgjodhi Shqipërinë për vizitën e tij të parë jashtë Kosovës, si kryeministër. Një takim "i përzemërt e mikpritës" ishte ai me kryeministrin Edi Rama siç Kurti u shpreh, që çeli vizitën e tij zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Të dy kryeministrat, nga sa u shprehën në një konferencë për mediat, ranë dakord se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave pa barriera mes dy popujve shqiptarë është prioritet i prioriteteve, por tema që i ndan është ajo të cilën thanë se nuk e prekën shumë gjatë takimit kokë më kokë mes tyre: Mini-shengeni Ballkanik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi me Ramën ishte për temat që do trajtojmë në të ardhmen, e ky projekt duket të jetë shumë larg prioriteteve pasi fokusi duhet vënë tek "makro shengeni shqiptar", theksoi shefi i qeverisë së Kosovës.

"Ky ishte takimi ynë i parë ka edhe shumë tema që do t'i trajtojmë në të ardhmen, kjo ishte një temë që e trajtuam shkurtimisht meqënëse takimi ynë ishte më parë për makro-shengenin shqiptar, sepse për mini-shengenin ballkanik", tha Kurti.

Por ndryshe mendon kryeministri Edi Rama, i cili la të kuptohet se pavarësisht se nuk ishte cekur shumë si bisedë në takimin mes tij dhe Kurtit para konferencës, qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar: "Nuk ka makro shengen shqiptar, pa mini-shengen ballkanik"

"Makro-shengeni shqiptar është i lidhur me shengenin rajonal, se nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, dhe do të bëjmë çmos të jemi, na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve. Çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës jo vetëm të Serbisë por edhe vendeve të tjera. Sot është në dorën tonë, se këtë rezistencë e kam thyer. Na takon ne të bëjmë më të mirën dhe të mos humbasim kohë. As Serbia askush tjetër nuk na thotë që po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin", tha Rama.

Por ndryshe nga ndasitë për mini-shengenin ballkanik, të dy kryeministrat ishin në sinkron me njëri-tjetrin për një bashkëpunim të ri, më të fuqishëm dhe me shpejtësi të re mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të lehtësuar jetesën e shqiptarëve mes dy kufijve. Kryeministrat paralajmëruan mbajtjen e mbledhjes së radhës së përbashkët të qeverisë, dhe për këtë zgjodhën qytetin e Shkodrës. Rama dhe Kurti thanë se do të ngrihet një komision ndërshtetëror, në përbërje të të cilit do të ketë ministra dhe deputetë për të monitoruar zbatimin e 77 marrëveshjeve të arritura, por edhe për të adresuar problematikat dhe prioritetet që duhen ndjekur në të ardhmen.

Takimet e Kurtit me Ramën, Metën, Ruçin dhe Bashën kanë zgjatur më shumë nga sa ishte parashikuar në axhendë e për pasojë, ka anuluar takimin me kryebashkiakun Erion Veliaj sepse duhet të nisej me urgjencë në Kosovë, për shkak se do të zhvillojë një takim me ministrin e jashtëm italian. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:40
Kurti përfundon takimin me Bashën! Niset drejt Kosovës, anulon takimin me Veliajn për shkak të axhendës (VIDEO)

Përfundon takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Takimi, ku kanë qenë të pranishme dhe delegacionet ka zgjatur rreth 25 minuta, ku në fund kanë mbajtur edhe një fjalë të shkurtër. Megjithatë duhet theksuar se më herët, Basha dhe Kurti dhe zhvilluar një takim "kokë më kokë" për rreth 15 minuta në selinë blu.

Kurti: Të jenë në nivel të detyrë, jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët që janë me varfërinë më të madhe në rajon. Obligim të jemi në shërbim të qytetarëve për të ngritur dinjitetin e tyre.

Basha: E sigurova që prioritet me bashkëpunimin mes dy vende, do bëjmë gjithçka për të ndalur shpopullimi dhe angazhim tonë për të vazhduar mbështetjen për njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizmat kombëtarë. Kurti mund të mbështet tek PD, për t'i dhënë çdo ndihmë.   

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Kurti ka anuluar takimin me kryebashkiakun Erion Veliaj, shkak axhenda e zënë dhe takimet me përfaqësuesit e politikës të cilët kanë zgjatur më shumë nga sa ishte parashikuar. Kurti është nisur me shpejtësi drejt Kosovës, ku ka një takim me ministrin e jashtëm italian.

Ora 12:09
Ruçi pret Kurtin: Besim të plotë në lidershipin tuaj

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit e cila zbardhi takimin, kryeparlamentari Gramoz Ruçi është shprehur se ka besim të plotë në lidershipin e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. 

"Qeveria e Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira", është shprehur Ruçi, ndërkohë që nga ana tjetër dha edhe mbështetjen e tij për bashkëpunimin mes dy vendeve. 

"Kuvendi do të nxisë bashkëpunimn ndërqeveritar. Kosova është faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon", tha Ruçi, siç bën të ditur zyra e shtypit të Kuvendit. 

Ora 12:06
Albin Kurti në selinë e PD-së, pritet nga Lulzim Basha (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbërriti rreth orës 12:00 në selinë e Partisë Demokratike, ku u prit nga kryedemokrati Lulzim Basha për të zhvilluar një takim kokë më kokë mes tyre. Më herët Kurti ishte në Presidencë në një takim me kreun e shtetit Ilir Meta, dhe më tej edhe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Takimet mes tyre janë pa praninë e mediave, dhe konferenca e vetme publike ishte ajo pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Pallatin e Brigadave.

1581419250_basha.jpg

Ora 12:00
Meta takon Kurtin, zbardhet takimi

Presidenti Ilir Meta ka zbardhur takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit. Meta shkruan se bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë në fokus të këtij takimi të parë me Kurtin si kryeministër.

"Shumë i lumtur të prisja sot në një takim të përzemërt Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh.T.Z Albin Kurti. E urova për marrjen e detyrës së lartë dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, të popullit të saj dhe të ardhmes sonë europiane. Qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal", shkruan Meta.

Ora 11:15
Rama: Do bëjmë që makineria e burokracive mes dy vendeve të ecë sipas dëshirave tona (VIDEO)

"Duhet të bëjmë që makineria e burokracive të ecë sipas dëshirave tona". Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij kosovar, Albin Kurti. Duke u ndalur tek komisioni ndërshtetëror, dy krerët e vendeve u shprehet se do të punojnë për marrëveshjet që kanë ecur me ritmet jo të duhura, e ndërsa do të bisedojnë edhe për marrëveshje të reja.

Kurti: Ne jemi kryeministra, të cilët shprehim vullnetin dhe planet dhe parashikimet le t’i bëjnë të tjerët. Pra, ekziston vullneti, ekziston plani, komisioni ndërshtetëror që do të trajtojë edhe zbatueshmërinë e plotë të marrëveshjeve dhe shtimin e tyre. Prej kontrolleve dhe verifikimeve të ndryshme të dyfishta që i kanë dy shtetet tona e deri tek fakti që në Kosovë, për të pasur leje qëndrimi, duhet të kesh leje pune e për të pasur leje pune, duhet të kesh leje qëndrimi, përbëjnë një vistër anomalish, të cilat ne do t’i trajtojmë e do t’i eliminojmë në mënyrë që dy vendet tona të jenë sa më afër me njëra-tjetrës e të integruara për hir të qytetarëve tanë, të cilët e kanë edhe nevojë, se lëre më të drejtë, një bashkëpunim e një afrim të tillë.

Rama: Unë dua të them që është e vërtetë që kemi nevojë për përshpejtim, për një shpejtësi të re. Albini e quan fillim i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme, sepse faktikisht kemi shumë marrëveshje, një pjesë e tyre kanë ecur mirë, një pjesë e tyre nuk kanë ecur mirë. Besojmë që komisioni ndërshtetëror do t’i japi mundësi të dy qeverive që të mblidhen jo thjesht për të nënshkruar marrëveshje të reja, por për të parë ecurinë e marrëveshjeve ekzistuese e do të na japë mundësinë të dyve për të ndjekur dhe shtyrë në drejtimin e duhur në ato pika ku komisioni do të konstatojë që ka nevojë për ushtrim të vullnetit qeverisës. Po ju jap një shembull. Përmendni lejen e punës. Ministri Cakaj ka marrë një iniciativë, të bazuar tek dakordësia e që ishte në rendin e ditës dhe sot, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë fare të bëjnë asnjë procedurë burokratike për të punuar në Shqipëri. Ndërkohë që në Kosovë ka mbetur akoma procedura njësoj, si për kinezët, si për shqiptarët. Kjo është thjesht dhe vetëm çështje burokracie, nuk ka lidhje me vullnetin qeverisës që është i plotë. E sfida jonë, e ndamë dhe sëbashku, është ta bëjmë makinën burokratike që të lëvizi me shpejtësinë e dëshirës tonë dhe në këtë aspekt, duke qenë se Albini vjen me energji të reja, është një potencial për të shtyrë më shumë dhe besoj që do të arrijmë ta shtyjmë më shumë. Në mbledhjen e fundmarsit, ma merr mendja, do të na gjykoni për faktet dhe jo më për përshëndetjet ceremoniale.

Shumë faleminderit, sepse Kryeministri ka dhe takime të tjera dhe sot e ka kaluar më gjatë me mua, sesa e kishte parashikuar. ​

Ora 11:07
Rama: Makro-shengeni shqiptar, i lidhur me shengenin rajonal. Serbia nuk thotë që po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufijtë (VIDEO)

Ndryshe nga Albin Kurti, kryeministri Edi Rama mendon se bashpëunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës për të thyer të gjitha barrierat mes dy vendeve, duhet të ecë paralel me mini-shengenin ballkanik. 

"Është e vërtetë që në këtë pikë, ne kemi një diskutim për të çuar përpara. Unë besoj që nuk ka makro shengen shqiptar pa mini shengen ballkanik, edhe pse kjo fjala “mini” - e përsëris - nuk e di kush ia vuri, por unë edhe për shkak të gjatësisë, nuk jam i prirur të bëj gjëra “mini”. Por besoj që makro shengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me shengenin rajonal, sepse, nëse ne jemi konsistentë në vazhdën e Procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, çka e kemi diskutuar dhe do të bëjmë çmos që të jemi, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, - numërojini si të doni - për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të pasur lëvizje të lirë mes nesh. Për të pasur lëvizje të lirë, jo vetëm të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë, por dhe të gjitha vendeve të tjera.

Sot është vetëm në dorën tonë, sepse dua ta them me plot gojën që këtë rezistencë, unë e kam thyer dhe sot na takon ne të bëjmë më të mirën e mos të humbasim kohë, por ta çojmë përpara këtë proces, pasi askush, as Serbia e as vendet e tjera nuk na thonë dot që po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin. Për këtë arsye kam diskutuar me Kryeministrin që të fillojmë menjëherë nga puna me të gjitha agjencitë që garantojnë aspektet e sigurisë, sipas modelit të Shengenit e po ashtu, me të gjitha agjencitë e tjera që duhet të çlirojnë tregtinë nga barrierat e panumërta që janë ende me nesh", tha Rama.

Ora 11:06
Kurti flet për mini-shengenin: Priotitet makro-shengeni shqiptar (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti la të kuptohet se qëndrimi i tij për minishengenin ballkanik nuk ka ndryshuar, dhe se prioritet sipas tij, duhet të jetë, "makro shengeni shqiptar" siç ai quajti lehtësitë që duhen arritur mes Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket kufijve, por edhe jetesës pa probleme procedurale të popujve shqiptarë në dy shtetet.

"Ky ishte takimi ynë i parë. Ka edhe shumë tema të cilat do t’i trajtojmë në të ardhëm e mund të them që kjo ishte një temë që e trajtuam, por shkurtimisht,  meqenëse takimi ynë sot ishte, le të themi më parë për makro Shengenin shqiptar sesa për mini Shengenin ballkanik", tha Kurti.

Ora 11:02
Kurti: S'e harrojmë ndihmën e Shqipërisë, bashkëpunim në përmasa që nuk i keni parë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë me një shpejtësi të re dhe më i fuqishëm. Ai tha se përmes komisionit ndërshtetëror që do të "monitorojë" ecurinë e marrëveshjeve pas mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, do të ketë zhvillim të dukshëm në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe politikës së jashtme, që sipas tij janë prioritete të përbashkëta me kryeministrin Edi Rama

"Unë jam shumë i gëzuar që sot ndodhem në Tiranë. Edhe një orë bëhet një javë që jam në këtë detyrë të re, si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës kryeqytet ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica. Ndërkaq, natyrisht, shteti i parë jashtë Kosovës ku vij, patjetër që duhet të ishte Shqipëria. Unë ju falënderoj shumë edhe për mikpritjen, edhe për bisedën që kishim, për mikpritjen e përzemërt e për bisedën shumë konstruktive.

Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit 21-të të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Pra, Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë.

U dakorduam, siç e tha dhe Kryeministri Rama, që të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë edhe nga ministra e deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja. Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin, duke e thelluar e duke e zgjeruar atë.

Me këtë rast dua ta falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën, përkrahjen e pakursyer e të parezervë për Kosovën. Kosova nuk do ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por, po ashtu, as në paqe pa Shqipërinë. Prandaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21-të të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme. Besojmë që këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe gjithashtu, edhe partnerët e aleatët tanë demokratikë, të zhvilluar e perëndimorë janë po të njëjtët.

Ju faleminderit edhe një herë Kryeministër dhe besoj që do ta dëshmojmë se si dy kryeministra të dy shteteve tona do të avancojmë bashkëpunimin tonë ndërshtetëror në fusha dhe përmasa, çfarë i ka dëshiruar gjithmonë kombi ynë, por ende nuk i ka parë e këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne", tha Kurti.

Ora 10:49
Rama me Kurtin: Bashkëpunim me shpejtësi të re, mbledhje e radhës e qeverisë në Shkodër! Kosova prioritet i prioriteteve (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama çeli konferencën për mediat me kreun e qeverisë Albin Kurti në Pallatin e Brigadave. Ai foli për një bashkëpunim të ri mes dy shteteve.

"Natyrisht që përtej aspekteve protokollare dhe formalizmit dua të them që ishte kënaqësi për ne, të mirëpresim sot delegacionin e kryesuar nga Kryeministri i sapodekretuar i Kosovës!  

I dashur Albin, mirëserdhe!

Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv, për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë dhe gatishmëritë të plotë reciprokisht.

Kemi rënë dakord të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë dhe aty u dakordësuam për Shkodrën. Një vakum mes të dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror, të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare, për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’ia adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë të arritjeve, qoftë të nevojave për vendimmarrje të tjera.

Kemi diskutuar natyrisht, me Kryeministrin, edhe për Procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e 4 lirive themelore të Bashkimit Europian në rajonin tonë, ku, për ne, bashkëpunimi me Kosovën mbetet natyrisht, prioritet i prioriteteve. E kam thënë dhe më parë, ia thashë edhe Kryeministrit sot, po e them edhe këtu publikisht, përsëri, që për mua, nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve, në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, të kapitaleve dhe të shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe ndaj njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap, për të hequr kufirin mes dy shteteve dhe për ta bërë faktikisht hapësirën e përveçme të secilit shtet, një hapësirë të përbashkët lëvizjeje, ndërveprimi, bashkëpunimi, zhvillimi.

Në fund dua të theksoj që ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë, përfundimtar, si një shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet. Edhe njëherë, shumë faleminderit i dashur Albin!", tha Rama. 

Ora 09:04
Albin Kurti mbërrin në Tiranë, pritet nga kryeministri Rama në Pallatin e Brigadave (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur me një ceremoni zyrtare në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo është vizita e parë e Kurit jashtë Kosovës që me marrjen e detyrës së re.

Ora 09:00
Vizita e parë në Tiranë si kryeministër, fotot nga pritja zyrtare për Albin Kurtin

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti viziton Tiranën këtë të martë për herë të parë në postin e ri. Ai u prit në Pallati ne Brigadave në një ceremoni zyrtare nga shefi i qeverisë Edi Rama.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maloku: 11/02/2020 21:40

    Ne historikun e veprimeve dhe fjalorit deritanishem te z.Rama ndaj Kosoves dhe kosovarve,duke tentue tu fale gjysen e Kosoves dhe duke vjell fjalor banal per mbi 95% duke na quajtur "gomer" dhe duke fole budalaqe per "shengenin Jugosllav" me serbine..e pakta qe duhet bere Kosova ti ndalon hyrjen dhe te shpall persona non-grata ,por te mos e ndegjue me fjalorin me probleme mendore dhe veprimet tradhetare te tia..

    Përgjigju
    • Taulant: 11/02/2020 22:36

      Gabim te te thuash gomar, se gomari eshte me i zgjuar se ty. PDK fitoi e vetme 21% te votave ne Kosove, keshtu qe nuk jeni 95% qe nuk e doni Thaçin dhe te mendosh qe nje si ty e do me shume sovranitetin e Kosoves se Thaci me duket cmenduri. Rama nuk ka nevoje per Kosoven te hap dyert e BE-se, SHBA-se, Lidhjes Arabe, OKB-se, OSBE-se e ku ta di une. Lidereve te Kosoves u duhet Tirana per ndihme, ne kete kohe qe po priten zyrtarisht vetem nga ambasadore. Kur s’keni takat t’i bini gomarit (Serbise) i bini samarit (Tiranes). Do e shohim si do e perballoje Albini politiken e SHBA-se, do kete kellqe ta kundershtoje apo do ngreje duart dhe do thote dorezohem. Ndalni sulmet ndaj Tiranes zyrtare se po i ndani shqiptaret me dysh dhe po thelloni ndasite mes dy aneve te kufirit.

  • Emi: 11/02/2020 20:54

    Kosova e ka shum shtir me tiranen se ka rryma ne tiran si jan te lillur me serbin edhe me greqin.

    Përgjigju
  • Arbëri: 11/02/2020 18:38

    Taulant , vuqiqi i premtoi Edit për ta ndertuar Durrësn ton A e din se ai qetniku do bëj pastrimin e miliona € në Durrës dhe dhe në portin e Durrësit...zgjohuni dhe vereni gishtin kokës....!

    Përgjigju
    • Taulant: 11/02/2020 22:44

      Nese Vucici ka 300 milion euro per te dhene per rindertimin e Durresit nuk do e pyesim ku i gjete, se kalit te falur nuk i shihen dhembet. Por nuk ka gjasa te kontribuoje as 1/30 e asaj shume, ndaj rrini rehat dhe shihni hallet tuaja qe s’i keni te pakta.

  • Erik: 11/02/2020 17:22

    I madh je Edi Rama per simbolike. I ke vendos Albinit perballe Gent Cakajn dhe Besa Shahinin qe ai s'u la gje pa thene kur ti vendose t'u ngarkoje detyren e ministrit dhe e detyrove t'u jap doren. Per disa gabime feminore qe Albini ka bere kundrejt teje duhet te te kerkoje falje qofte edhe privatisht. Kuptohet ne fytyren tende qe s'mund t'i kaperdish aq lehte goditjet nen brez qe Albini ka bere dy vitet e fundit kundrejt teje, shpresojme qe ai te rritet me tej dhe te reflektoje siç ia kerkon detyra shteterore qe ka marre persiper.

    Përgjigju
  • Arbëri: 11/02/2020 16:33

    Nuk mundet që të dal jasht protokollit të vuqiqit, sepse Edit nuk i vie ”qumësht ” nga ivanjica e vojvodinës ... nuk është rastësi që takimi i parë për mini Schengen u mbajt në Vojvodin dhe jo në Beograd! Në ivanjic të vojvodinës gjenden plantazhet me kanabis më të mëdha në Europ që mbikqyren nga vuqiqi me ”vllezërit” e tij, prandaj ky i yni nuk mundet dhe nuk guxon më që ta ndryshoj busollën se përndryshe e pret humnera morale dhe politike... o shqipëtarë zgjohuni dhe ndryshoni jeten tuaj...!!!

    Përgjigju
    • Taulant: 11/02/2020 17:03

      Me gjithe ate fushate qe kane bere lideret e Kosoves kunder Rames, perfshire dhe Albinin, fort shume i duruar eshte treguar. Kosova duket se ka humbur busullen dhe mendon se duke sulmuar Ramen do pastroje fytyren e vet, por po zhytet gjithmone e me keq ne gjiriz dhe po humbet mbeshtetje nderkombetare. Rama ju mban ne maje te atij mikut per vizion, patriotizem dhe çfaredo marredhenie tjeter qe s'ua rrok mendja juaj e mbyllur.

  • atdhetari: 11/02/2020 15:56

    komentusa legena pa cipe, shani veten tuaj. po kosova eshte shqiperi edhe shqiptare o legena, rrofte shqiperia e madhe.

    Përgjigju
  • Fatosi: 11/02/2020 15:41

    S'keni faj ju,,faj kemi ne qe ju pranuam,,,t'jua kishim mbyllur deren dhe tju sharronte serbi si qente....

    Përgjigju
  • Sula: 11/02/2020 15:34

    O EDO MOS I TAKO ME KETA PLEHRA,,,NGA KOSOVA,,,HIC FARE MOS I PRIT,,nuk i duhen kujt keta,,,DO KESH MIRENJOHJEN E POPULLIT SHQIPTAR...

    Përgjigju
  • Qytetari: 11/02/2020 12:17

    Mbas 100 vjet si kryeqytet Tirana tani duhet ti lej rradhë Shkodrës të bëhet kryeqytet.

    Përgjigju
  • Gjatoshi: 11/02/2020 10:03

    Ja dy kryeministrat shqipetar. Njeri ka bere burg dhe ka vuajtur per vendin e tij. Tjetri fodull e shalengjitur qe ja kane dhen gjerat gati ne pjate qe femije.

    Përgjigju
    • Burgu: 11/02/2020 15:00

      .....edhe Edvini ka bere burg. Pak.......por ka bere. Ti japim Çezarit ate qe i perket Çezarit.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ndeshja delikate në Ballsh, Thomas Brdaric: Na duhet disiplinë, Vllaznia luan për tri pikë! Kemi mungesa

Ndeshja delikate në Ballsh, Thomas Brdaric: Na duhet disiplinë, Vllaznia luan për tri pikë! Kemi mungesa