TIRANE - Presidenti i UEFA-s, organizmit më të rëndësishëm të futbollit europian Mischel Platini vizitën në Tiranë e nisi me një takim me kryeministrin Edi Rama. Shefi i ekzekutivit siguroi se qeveria do jetë pranë Federatës për të mbështetur sportin më popullor në vend.
 
Në plan të parë të diskutimeve ka qënë stadium i ri Kombëtar por mungesa e fondeve shtyn afatet për fillimin e punimeve. Përveç masivizimit të futbollit në shkolla Rama garantoi se, do të investojë për stadiumin e kombëtares.
 
“Jemi të angazhuar që në muajin Shtator të japim kombëtares një stadium të ri, në Elbasan. Diskutuam edhe për stadiumin e ri kombëtar pasi aktuali nuk plotëson asnjë kush dhe është i degraduar. Programi i futbolli në shkolla do të jetë edhe një fenomen social për shoqërinë”, tha kryeministri Rama pas takimit me Platini.
 
PLATINI: FUTBOLLI NË DUAR TË SIGURTA ME RAMËN E DUKËN
Platini që viziton Tiranën për të disatën herë garantoi për mbështetjen e UEFA-s si për stadiumin Kombëtar ashtu edhe për programin e futbollit në shkolla.
 
Duke folur para medias, Platini u shpres: “Jam i kënaqur që jam këtu bashkë me delegacionin e Uefas dhe jam i bindur se futbolli në Shqipëri është në duar të sigurta mes kryeministrit dhe Presidentit Duka sepse janë dy njerëz që e duan futbollin dhe që njihemi prej shumë vitesh. Unë e di atë çfarë do të bëjë kryeministri Rama atë që mund të bëjë dhe atë që ai nuk mund ta bëjë për futbollin pasi nuk është e lehtë”.
 
“Kemi folur për stadiumin e ri Kombetar dhe për stadiumin që po bëhet në Elbasan pasi që nga shtatori të gjitha ndeshjet e Shqipërisë do të shihen në gjithë botën”, tha Presidenti i Uefas, duke folur për infrastrukturën sportive.
 
“Po ashtu zhvillimi i futbollit në shkolla është gjë shumë e mirë për të cilën do të ndihmojë edhe Uefa me ekspretë dhe financa. Më pas u takon ju që të nxirrini kampionë të mëdhenj sepse për këtë unë nuk mund të bëj asgjë”, tha Platini.
 
“E rëndësishem është që të rinjtë të argetohen duke luajtur futboll dhe më pas nëse do të vij ndonjë Ronaldo apo Messi akoma më mirë. Ne në Uefa jemi të lumtur si po ecën futbolli në Shqipëri me Ramën dhe Dukën dy njerez që e duan sportin”, .
 
Më pas kreu i futbollit europian vizitoi ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku zhvilloi një bisedë me presidentin Armand Duka dhe presidentin e Federatës Kosovare të Futbollit, Vadil Vokrri. Çështje e rëndësishme mes diskutantëve ishte njohja ndërkombëtarisht e futbollit kosovar.

PLATINI NE TIRANE, AXHENDA E TAKIMEVE
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është sot i pranishëm në kryeqytet sot për t’i dhënë “dritën jeshile” programit të ri të qeverisë dhe FSHF-së për futbollin në shkolla. Por, nga ana tjetër, ai do të bekojë edhe marrëveshjet për stadiumin e ri “Qemal Stafa” dhe rindërtimin e “Ruzhdi Bizhutës”.
 
Lajmi konfirmohet nga FSHF. Në muajt e fundit është folur në mënyrë sistematike për integrimin e sportit në sistemin arsimor dhe për këtë arsye ka menduar vetë ekskluzivisht, Presidenti i Federatës Europiane të Futbollit, Mishel Platini.
 
I informuar prej kohësh për këtë nisëm që Shqipëria ka dashur ta implementojë, Platini ka vendosur të vizitojë Tiranën për të garantuar jo vetëm konsulencën, por edhe mbështetjen e UEFA-s në këtë drejtim.
 
Platini është entuziazmuar ndjeshëm nga ideja dhe kërkon që futbolli të jetë në pararojë të këtij programi. Ka shumë gjasa që nga sezoni i ardhshëm arsimor nëpër shkolla të ketë një projekt pilot i financuar nga UEFA dhe FSHF.
 
Sipas këtij projekti, futbolli do të futet si lëndë në shkolla dhe është e rëndësishme të theksohet që pagesat e trajnerëve dhe baza materiale do të mbulohen nga organzimi ndërkombëtar dhe qeveria shqiptare e futbollit. Kjo nismë është mbështetur nga Ministria e Arsimit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)