Pak ditë larg miratimit nen për nen të buxhetit të 2016-s, paketës fiskale dhe ligjit me shumicë të cilësuar për vetëqeverisjen vendore, maxhoranca ka zhvilluar konsultat finale për të unifikuar qëndrimet dhe votat.
Për më tepër se 2 orë kryeministri Edi Rama, kryetari i LSI-së Ilir Meta, kryetarët respektivë të grupeve parlamentare Gramoz Ruçi e Petrit Vasili, ministrat Arben Ahmetaj, Shkëlqim Cani, Saimir Tahiri, por dhe kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe, kanë diskutuar në ambientet e vilës qeveritare përballë kryesisë së kuvendit. Gjysmë ore më vonë takimit iu bashkua dhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi.
Edhe për komisionin e reformës zgjedhore PS-LSI e PDIU kanë rënë dakord me formulën e propozuar nga Gramoz Ruçi, një komision me bashkëkryesimin PD-PS dhe 10 anëtarë nga të gjithë forcat parlamentare.
Në përfundim të këtij takimi, Arben Ahmetaj tha për mediat se aleanca është e unifikuar në qëndrimet dhe mendimet e saj, si për buxhetin, ashtu edhe për ngritjen e komisonit për reformën zgjedhore.
(Ministri Ahmetaj duke folur për mediat)
“Në datën 17 është ligji për pushtetin vendor, për funksionimin që kërkon votë të cilësuar, ka një rakordim të plotë. Ne rakordojmë qoftë në detaje qoftë në aspekt politikash. U ra dakord që të krijohet komisioni për reformën zgjedhore. Në parim është rënë dakord për krijimin e komisionit. Pushteti vendor ka 48 miliardë rritje fondesh. Është rënë dakord edhe për riformulimin e taksës së infrastrukturës e cila është në favor të pushtetit vendor, e gjitha. Idrizi është pjesë e aleancës dhe mendimi i aleancës është unik. Kemi gjetur edhe më të dakordësi plotësisht”, deklaroi Ahmetaj.
Fakti qe LSI e PDIU, më herët kishin shprehur rezerva ndaj buxhetit dhe paketës fiskale, duket se ishte shkaktari që mbledhja zgjati përtej parashikimeve pasi 4 prej protagonistëve të takimit iu deshë të shtynin aktivitetet ku do të merrnin pjesë me të paktën 1 orë.
Mbledhja e komisionit të Ekonomisë e kryesuar nga Erjon Braçe u shty me 2 orë, kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri shkuan me vonesë në një aktivitet për regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit, po ashtu dhe kryeparlamentari Meta në seancën me të rinjtë.