Rama: Meta plan të orkestruar me Saliun në dëm të Shqipërisë! Basha dhe Monika 'instrumentë' të tyre (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i dha arsye vendimit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet, duke zhdekretuar datën e zgjedhjeve, 30 qershorin, dekretuar nga vetë ai.

Kreu i qeverisë e quajti një plan politik për të marrë peng jetën politike në vend, me synimin për të mos lejuar që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës në Kuvend, shefi i mazhorancës tha se pas këtij plani politik fshihet Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhe se Monika Kryemadhi e LSI-së, dhe kryedemokrati Lulzim Basha, janë vetëm instrument që shfrytëzohen prej tyre për të arritur qëllimin: minimin e rrugës së negociatave për BE.

"Pse vallë Ilir Meta e bëri këtë ndërhyrje të hatashme antikushtetuese dhe antilogjike? Nuk është thjesht një kërcënim për Republikën Parlamentare, është thjesht një kërcënim për logjikën njerëzore. Nuk është nën sulm vetëm Republika Parlamentare, është nën sulm logjika njerëzore. Mu në mes të procesit zgjedhor, kur fushata kishte nisur dhe e bëri tamam atë ditë kur qeveria e Shteteve të Bashkuara, kishte dënuar publikisht përmes një deklarate tejet të pazakontë dhunën, bojkotin e zgjedhjeve, kërcënimin për pengimin e tyre, duke treguar me gisht dy persona , Lulzim Bashën  dhe Monika Kryemadhin si përgjegjësit për gjithçka që do të ndodhte në protestën e 8 qershorit dhe më pas. Disa mendojnë se ai ndërhyri me lajmërimin publik të antidekretit  të tij për të shpëtuar fytyrën e revolucionit imagjinar të Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit, ku siç tregoi masa e tkurrur e protestuesve në bulevard, revolucioni po katandisej si kokoshi një thelë dhe prurjet e ujësjellësve të bashkive blu po shteronin.

Të tjerë mendojnë së Ilir Meta e zhbëri firmën e tij, si të ishte një mbetje kafeje e fshirë me gisht në fundin e filxhanit në kërkim të fatit për të projektuar të ardhmen e tij të afërt në krye të opozitës, duke turbulluar situatën në një pasdite me një goditje, më shumë se sa kishte arritur ta turbullonte Lulzim Basha me tërë gurët, kapsollat, fishekzjarrët, molotovat dhe notat e ngjirura të himnit kombëtar përgjatë tërë mbrëmjeve revolucionare të opozitës.

Mund të jenë të dyja të vërteta këto.

Madje mund të jetë e vërtetë edhe në këtë rast siç thotë Jacques Lacan që “i marrë nuk është vetëm fukarai që  kujton se është mbret, por dhe mbreti që kujton se është mbret”. E vërteta e dalë cullak nga ky akt marrëzie, befasuese është se veprimi i Ilir Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një hap spektakolar në vazhdën e një plani politik për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe minuar rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.  Kush kujton vërtetë se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e Klubit të Selanikut të Çajupit me pavijonin numër 6 të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit të  këtij plani Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtetë se mund të më largojnë mua nga detyra me molotovët e Lulit dhe me mallkimet e Monikës e ka gabim. Këta dy të shkretët që i kanë hyrë detit në këmbë janë thjesht instrumente në duart e dy të parëve.

Këta besojnë se vërtetë mund të marrin pushtetin me kapsolla dhe magjira, ndërsa dy ustallarët e rrëmujës dhe të intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë  jam shënjestra që duket, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar dhe për ta sjellë të ndërkryer në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores për të qenë të qenë të motivuar dhe të palodhur në orvatjen e tyre qorre.

Ndërsa preja e kërkuar në këtë gjah politik nuk jam unë,  është Shqipëria, që duhet ndalur përpara sesa të kapërcejë pragun e negociatave me Bashkimin Europian dhe të hapë sapo të kapërcejë pragun aty, dy kapituj  e parë të bisedimeve, të cilat për dreqin e mallkuar janë kapituj e drejtësisë. Duke hapur  kapitujt e drejtësisë, Shqipëria duhet t’i provojë Bashkimit Europian, se reforma në drejtësi nuk është vetëm në maket arkitektonik me letrat e Kushtetutës dhe të ligjeve të sistemit të ri të drejtësisë, nuk është vetëm një mekanizëm pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, por është një shtet i të drejtës, ku qoftë gjykatësit dhe prokurorët e kapur me presh në duar nga vettingu, qoftë politikanët e korruptuar dhe të paprekshëm prej 30 vitesh, mund të këputen si prasë nga goditjet ndëshkimore të drejtësisë të çliruar nga kthetrat e tyre.

Plani është i qartë, dhe duhet thënë se nuk është një plan budalla për mbijetesën politike, por jo vetëm për mbijetesën politike të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë, duke goditur pa asnjë  mëshirë, jo mua, jo ne, që jemi mbështetësit dhe garantuesit e palëkundur të  Reformës në Drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë dhe shpresat e shqiptarëve, përfshirë dhe ata që u shkojnë pas këtyre të paudhëve, duke kujtuar komplet gabimisht se do rrëzojnë qeverinë dhe se Luli dhe Mona do ndëshkojnë krimin, do shfarosin korrupsionin, do shpartallojnë padrejtësitë, ndaj të cilave thonë se janë ngritur nga një luftë pa kthim. Pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi në tabloidin e famshëm gjerman i përgjimeve që ishin aty të kyçura prej shumë kohësh pa u hetuar nga një shërbëtor famëkeq i mirënjohur i Saliut në prokurorinë e krimeve të rënda, ushqimi i duhur në kohën dhe në vendin e duhur për këdo në atë botë, që për arsyet e veta, jo të Saliut dhe Ilirit, nuk e do zgjerimin e Europës, nuk e do çeljen e negociatave me Shqipërinë, po edhe ushqim i bollshëm për çiftet e çiftit të papërgjegjshëm dhe qesharak “Luli- Mona” që ruajna zot kanë marrë përsipër shpëtimin e Kombit me doçkat e tyre të pastra dëborë.

Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk duan në fakt shtyrjen e  zgjedhjeve, por duan kaos në jetën institucionalë të vendit dhe synojnë shthurjen e shtetit.  Ata duan ta nxjerrin procesin demokratik nga shinat, siç nxorën nga parlamenti opozitën  e drejtuar nga dy kukullat e tyre. Ata kërkojnë me çdo kusht që ta bëjnë Shqipërinë një shesh për përsheshin e  tyre, era e të cilit josh njerëz të dëshpëruar, të pakënaqur, të mërzitur që janë në të drejtën e tyre absolute të duan largimin e qeverisë, janë në të drejtën e tyre legjitime të shpresojnë ikjen një orë e më parë timen, janë në të drejtën e tyre të ëndërrojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, nga të tjerë njerëz, nga parti të tjera.

Njëkohësisht ata, Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë me çdo mënyrë nëpërmjet mashave të tyre ta bëjnë ndërkombëtarisht Shqipërinë të duket një vend ku po bëhet nami i zi nga populli i ngritur kundër një narkoshteti dhe të sigurojnë me gjithfarë shpifjesh dhe intrigash, krijimin e një mase kritike kundërshtarësh të çeljes së negociatave. Ata duan  që në vend që Shqipëria të mendojë dhe të luftojë për të kapur trenin e vitit 2025, kur dyert e Europës që ne duam  mund të çelen për anëtarë të rinj, të rri të sfilitet dhe të trembet, duke menduar makthin e vitit 1997.

Ja pse shumë i nderuar Kuvend i Shqipërisë e të dashur bashkëqytetar kudo që jeni, antidekreti i Ilir Metës është një arsye më shumë dhe jo më pak, një arsye shumë e fortë, për t’i bërë zgjedhjet në 30 qershor për t’i dalë përballë frontalisht këtyre katër aventurierëve që duan të ndalojnë shtetbërjen shumë të mundimshme të këtij vendi dhe ta katandisin këtë vend, njësoj si vetveten. Doni ta dini se si do të ishte Shqipëria e tyre, shikojini ata. Doni që Shqipëria t’iu ngjajë atyre të katërve, nuk besoj". u shpreh Rama.

Kryeministri tha se një tjetër arsye, është se Meta ka frikë nga reforma në drejtësi.

"Akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës, jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe, në radhë të parë, nga drejtësia.

Ne jemi të dënuar ta marrim përsipër këtë kosto të krijuara prej tyre, për të mos lejuar që kostoja t’i kalojë Shqipërisë së kushedi sa viteve të ardhshme.

Zgjedhjet e 30 qershorit pa ata janë e keqja më e vogël për Shqipërinë, ndërsa shtyrja e këtyre zgjedhjeve, për shkak se ata nuk janë në zgjedhje, do të ishte një e keqe e madhe, me efekt të zgjatur mbi Shqipërinë. Pse? Sepse në emër të shmangies së një palë zgjedhjeve, në këtë problem të pashmangshëm, ne do ligjëronim faktin se kushedi për sa vite, zgjedhjet të mos ishin më e drejta e popullit për të gjykuar dhe detyrimi i partive për t’ju nënshtruar gjykimit të popullit, por e drejta e partive për të vendosur kur bëhen zgjedhjet dhe detyrimi i popullit për t’ju nënshtruar tekave të partive.

Kjo që po ndodh, në fakt nuk është as e pandodhur, as e papritur në historinë tonë të trazuar të zhvillimeve demokratike, madje, kjo është seria e dytë e filmit që ka filluar dy vite më parë. E mbajnë mend që të gjithë, kur të njëjtët njerëz, të udhëhequr nga i njëjti zjarrvënës dhe përçarës i këtyre 30 viteve demokraci, Sali Berisha dhe drejtuar nga i njëjti llafazan dembel, Lulzim Basha, ikën nga Parlamenti për të mos votuar vettingun dhe u mbyllën në një bunker plasmasi poshtë dritareve të zyrës sime, me të njëjtin avaz, “nuk hyjmë në zgjedhje”, “nuk dialogojmë pa ikur Kryeministri”, “nuk do lejojmë të bëhen zgjedhje” dhe me radhë të gjitha strofat e të njëjtës këngë, nga e njëjta pllakë gramafoni, La voce del Padrone.

E mbajnë mend të gjithë, besoj, se sa shumë i jam lutur Lulzim Bashës për dialog, mirëkuptim, marrëveshje dhe se si u bë në minutën më të fundit marrëveshja. Mori gjithçka kërkoi, me kusht që të dilnin nga bunkeri i plasmasit, të ktheheshin këtu, të votonin vettingun dhe të mos kontestonin rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos shanin më Shqipërinë në gjuhë të huaj", - tha Rama.


Lajmi kryesor:

Mazhoranca kalon 94-shen që do i duhej për shkarkimin e Metës/ Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) - VIDEO


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë