"Ja pse na besuan pushtetin 70% e shqiptareve"
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mblodhi ditën e sotme socialistët që fituan garën për deputet në zgjedhjet e Qershorit, duke u përcjellë një mesazh.
“Pas 4 vitesh qeverisje kemi marrë vota më shumë se kurrë. Kanë votuar 70% e shqiptarëve që janë të pranishëm në atdhe. Ta mbajmë mirë vath në vesh se një pushtet i këtyre përmasave që fituam nuk është besim për atë që kemi bërë, por besim për atë që mund të bëjmë. Zgjidhja e një koalicioni jo pa probleme dhe besimi tek socialistët”, tha Rama.
Të arsyeshme në këtë takim Rama pa që një mesazh ti adresohej dhe ish-aleatit të tij në qeverisje, Ilir Metës.
"Meta reflekto, riparo demin, te votuam si President konsensual jo konfliktual"
Në fjalimin para skuadrës fituese të zgjedhjeve të 25 Qershorit, Rama u kujdes të bëjë një falënderim për ish-bashkëkryetarin në koalicionin qeverisës, Ilir Meta.
Rama tha se ky falënderim i shkon Ilir Metës për sa kohë kontribuoi për reformat, por jo për deklaratat gjatë fushatës.
“E falënderoj për kontributin që dha gjatë qeverisjes, kuptohet jo që çoi gjërat për dreq nga fundi”.
Por më tej, kreu i PS ka ashpërsuar tonet duke i kujtuar Metës se mori votat për te qenë president konsensual dhe për të qenë mbi palët.
“Bashkëkryetari hodhi në erë projektin strategjik të së majtës së bashkuar. Dua t’i lutem të reflektojë si Presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual dhe jo konfliktual dhe të bëjë riparimet e dëmeve të papara që i bëri figurës së kreut të shtetit në 40 ditë fushatë.
LSI është vrimë në ujë, dhe tani eshte bere dalja e saj nga çelësi për qeveritë. Falenderoj ministrat e LSI, për kaq shumë kontribute që dhanë për të mirën e Shqipërisë në detyrën e re të opozitarëve. Nuk duhet të damkoset pa hyrë ende në zyrë figura e Presidentit të Republikës”.
Marrëveshja me PD
Kryeministri Rama u ndal dhe tek marrëveshja me Bashën duke theksuar se do të jetë busulla e orientimit për të ardhmen politike në vend.
“Dora e bashkëpunimit do të jetë e shtrirë për ata dhe PD. Marrëveshja me PD do të mbetet busull orientuese në marrëdhëniet me opozitën. Prioriteti ynë do të jetë nxjerrja e mësimeve të këtij mandati përmes një reflektimi serioz”.
“Qeveria e re gati në Shtator, asnjë deputet me pushime”
Rama porositi të vetët që askush të mos largohet me pushime deri më 1 Gusht. Kryeministri theksoi se qeveria e re do të jetë gati në fillim të shtatorit.
“Skuadra qeverisëse do të jetë gati në fillim të shtatorit. Asnjë nuk duhet të largohet me pushime deri në 1 Gusht, por askush nuk është marrë me zor”, tha Rama,ndërsa falënderoi sipas tij disa nga socialistët që kanë kontribuar maksimalisht ne zgjedhjet parlamentare
“Parlamenti i ri jo tralala, do ndryshojmë rregulloren e Kuvendit”
Kreu i PS, kryeministër aktual dhe ai që do të krijojë kabinetin e ri të PS e konsideroi parlamentin e kaluar, si turpërues. Ai paralajmeroi ndryshim të rregullores së kuvendit.
“Nuk do të qeverisim vetëm, por me njerëzit e zakonshëm, pasi për këtë na e dhanë mandatin.
Parlamenti i kaluar ishte turpërues, i vetmi justifikim për ekzistencën e tij, kultura e shthurjes është armiku ynë numër një. Duhet të ndryshojmë rregulloren e Kuvendit, nuk duhet të jetë një kazan ku vlon tralalaja.
Mjerimi i seancave plenare nuk ka më asnjë justifikim, duhet të korrigjojmë funksionim e grupit parlamentar dhe punët në komision”.
"Administrata, grupet e punes degjesa 30 dite ne terren"
Nga ana tjetër, kreu i PS paralajmëroi ngritjen e një grupi pune nën kryesimin e Gramoz Ruçit, që sipas tij do të merret me funksionimin e PS-së në qarqe duke krijuar “Rrjetin Kombetar të Zyrave të Deputetëve”.
Në këtë projekt, tha Rama, pritet që deputetët të zhvillojnë dëgjesa me qytetarët.
“Skuadra e re qeverisëse do të jetë gati vetëm në fillim të shtatorit, ajo që zien në kazanet e katundit mediatik, le të vijojë. Tur 30 ditor për të nxjerrë në pah problematikat kryesore në cdo qark. Udheqësit në qarqe do të paraqesin një dokument kombëtar që do të paraqitet në Asamblene e PS në fund të gushtit. Të rinjte e diplomuar dhe me eksperienca janë të thirrur të paraqesin CV e tyre për të shëruar kancerin e administratës. Ne nuk morën vota për të marrë tepsinë për vetë, por për të cuar tepsinë për skrap. Në fushatë u bënë publike raste dramatike nepotizmi, LSI partia me e prekur e këtij kanceri antishtet. Do ndërhyjmë në ligjin e konfliktit të interesave. Pastrimin më parë do ta nisim nga vetja“, tha Rama.
Referuar deklaratave gjatë fushatës dhe akuzave ndaj LSI, ai u shpreh se ajo nuk është vetë kanceri, por më e prekura nga kanceri anti-shtet.
“Kemi kërkuar një mandat kuqezi dhe do të qeverisim kuqezi dhe jo përçarës, duhet të shohim te cdo shqiptar një bashkëpunëtor të mundshëm.
Në fushatë kam bërë publike raste nepotizmi, bashki të pushtuara nga familjarë, por kjo nuk do të thotë se LSI është vetë kanceri, por më e prekura nga ku kanceri anti-shtet.
Për këtë do të ndërhyjmë në ligjin e konfliktit të interesave, operacionin do ta nisim nga vetja.
Jemi zgjedhur për të bërë shtet do i jap fund me shembullin e forcës tonë, pasi pas 4 vitesh njerëzit do na vërshëllejnë.
Peleshi, Gjiknuri, Cuci, Nikolla dhe Manastriliu do të analizojnë punën për reformën në administratën shtetërore” tha ai.