Kryeministri Edi Rama  e ka quajtur drejtoreshën e AKSHI- Mirlinda Karçanaj si protagonisten kryesore të digjitalizimit të Shqipërisë sot, për të cilën ai tha se sot qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në një banesë të marrë me qira.

Referuar gjithashtu dhe pjesëve që kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK ku përfshihet dhe biznesmeni Ergys Agasi, Rama tha se janë çerek të vërteta që serviren për të dënuar në sytë e opinionit publik njerëz që prezumohen të pafajshëm derisa të dënohen nga gjykata.

“Është në një masë sigurie në një shtëpi me qira pasi më parë ishte në shtëpinë e prindërve të komunizmit, që e njoh para 20 vitesh që punon pa orar dhe që ka udhëhequr këtë transformim epokal. Është protagonistja kryesore e digjitalizimit.

Çfarë thoni ju bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor nuk është e mjaftueshme për të dalë mbi fatin apo pafajësinë e njerëzve. Janë çerek të vërteta, se nxirret një copë këtu, një aty, ushqehet publiku me këto gjëra për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm derisa t’i dënojë gjykata. Degjenerohen në publik që këta janë llum, dalin dhe këta kapakët e tenxhereve në darkë që marrin paga marramendëse të padeklaruara dhe që pastaj flasin për pensionistët ndërkohë që nuk i paguajnë pensionistëve atë që u takon atyre nga rroga e tyre. Mua çfarë nuk më vret vetëm më forcon”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Balluku’, Rama: Kuvendi nuk është zyrë noterie, 16 mijë faqe nuk janë prova, por arkivi i Ministrisë! Dorëheqje? Mora 83 mandate, AKSHI krenari