Rama: Mos i gërvishtni fytyrën vendin tonë të bukur, por mbani pastër shtëpinë tonë

Rama: Mos i gërvishtni fytyrën vendin tonë të bukur, por mbani pastër shtëpinë tonë

Faleminderit në rradhë të parë vajzave dhe djemve të rinj, që janë këtu sot me ne, sepse na ndihmojnë që të japim një mesazh të rëndësishëm për domosdoshmërinë e një pjesëmarrjeje sa më të madhe e sa më kuptimplotë në këtë process, i cili është ngritur mbi eksperiencën e disa viteve, mbi mësimet e disa viteve dhe patjetër edhe mbi zotimin se Shqipëria e pastër është prioriteti i prioriteteve të këtij mandati të tretë. 

E kur flas për përfshirje sa më të madhe, nuk kam parasysh vetëm ata, të cilët fizikisht i bashkohen kësaj përpjekjeje duke qenë të pranishëm në çdo pikë ku shtrihet kjo nismë, por kam parasysh gjithë ata që janë në punën e tyre, janë në jetën e tyre, janë në lëvizjen e tyre të lirë brenda vendit e që janë ndotësit, sepse gjithë këto plehra këtu ku jemi mbledhur, nuk i ka sjellë një forcë e mbinatyrshme, nuk janë as mbetje arkeologjike, por janë një ndotje e vazhdueshme e të gjithëve ne sëbashku.

Sikur secili atë shishen plastike që zbraz teksa shkon me makinë për në anën tjetër të rrugës, të mos e hedhë apo secili që vjen me familjen për të kaluar disa orë këtu apo kudo qoftë në hijen e pishave, t’i marrë me vete ato mbetje që prodhon, atëherë ne nuk do turpëroheshim të gjithë nga ky vend i mrekullueshëm, që na e ka falur Zoti apo natyra për ata që nuk besojnë në Zot, që na e kanë zili shumë, por që jemi ne arsyeja pse lë një shije shumë të hidhur edhe tek ata që e vizitojnë. 

Mua më bën shumë përshtypje, duke qenë se i ndjek vazhdimisht qytetarët e përfshirë në rrjetet sociale, që kur vjen puna për të bërë komente, të gjithë janë ambientalistë, por kur mendoj se sa pak nga ata që komentojnë janë ambientalistë, jo vetëm në fjalë, por dhe në sjellje, atëherë them që duhet gjithkush të kthehet nga vetja sepse të jesh patriot nuk do të thotë që të jesh gati të zbrazësh pushkën në Facebook, nuk do të thotë as që të jesh gati të luftosh për atdheun, duke komentuar nga kafeneja apo nga shtëpia.

Të jesh patriot do të thotë të mbash pastër vendin tënd, atdheun tënd, të mos i gërvishtësh fytyrën atdheut tënd ndër të tjera.  Ky plan është një plan që siç e thashë, buron nga shumë mësime të këtyre viteve. Situata kudo edhe këtu ka qenë shumë më keq disa vite më pare, por është shumë keq krahasuar me si duhet të ishte e si duhet të jetë Shqipëria që pretendon, bazuar në gjithë ato që i ka falur natyra e Zoti, të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm. 

Përtej turizmit, e tha ministri, kjo ndotje dëmton ekonominë e secilit, dëmton ekonominë kombëtare, dëmton dhe mirëqenien e secilit, jo vetëm për shkak të turizmit, por për gjithë efektet zinxhir që ka. Ashtu sikundër, dëmton patjetër edhe shëndetin. Një shishe plastike këtu në tokë, do 1000 vjet që të tretet dhe prania e miliona e miliona e miliarda mbetjeve të tilla, mbi tokën tonë, është sëmundje. Është kancer që ne e mbjellim dhe e ushqejmë vetë, pikërisht duke i lënë rrugëve e duke i hedhur. 

Tani fjalët të gjithë i dinë, unë nuk po them asnjë gjë të re, çështja është se çfarë duhet të bëjmë për ta çuar në një nivel tjetër nivelin e pastërtisë.

Ministrja i tha disa dhe ky që jemi këtu sot, për të ndarë dhe me publikun, nuk është një aksion, por është një plan sistematik ku si fillim do të pastrohen rrënjësisht të gjitha pikat e nxehta apo hotspot-et siç quhen në gjuhën e ambientalistëve dhe pastaj do të garantojmë që të mos rikrijohen sepse nuk është hera e parë që ne bëjmë aktivitete të tilla. Nuk është hera e parë që unë bashkë me ministrin dje, sot me ministren, me ministrin tjetër më përpara e tjetrin akoma kam dalë për të pastruar, por kjo do të jetë hera e fundit që pasi ne pastrojmë në pak javë, gjendja rikthehet aty ku ishte.

Këtu, natyrisht që të gjithë kanë përgjegjësi, të gjithë kemi përgjegjësi,  por është koha që përgjegjësitë, jo vetëm të ndahen, por dhe të kërkohen nga secili, nga çdo institucion dhe nga çdo individ. 

Ne kemi bërë shumë të qartë dhe tanimë jemi në rrugën e zbatimit të asaj që kemi thënë e që unë e kam bërë të qartë ditën e prezantimit të programit të qeverisë së re në Kuvend.

Asnjë bashki nuk do të lejohet të bëjë asgjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burimet financiare të nevojshme për pastrimin dhe nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në një rezultat konkret, në një territor të pastër dhe qëndrueshmërisht të pastër, jo përkohësisht të pastër. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që për herë të parë, ministria e Mjedisit dhe e Turizmit, por në këtë rast flasim për mjedisin, ka kostuar se sa i kushton çdo bashkie pastrimi dhe në bazën e kostimit ka nxjerrë edhe objektivin për buxhetin e vitit tjetër, të çdo bashkie. Ministrja personalisht, sëbashku me të deleguarit tanë në çdo qark, këtu është zëvendëskryeministri i deleguari i qarkut, do të jenë në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, të të gjithë këshillave e do t’i bëjnë thirrje këshilltarëve bashkiakë ta rrëzojnë buxhetin nëse kryetari i bashkisë nuk ka sjellë në projekt-buxhet ato fonde, të cilat janë të domosdoshme për pastrimin. 

E dyta, çdo bashki sot, ndryshe nga tetë vjet më parë, ka në dispozicion një pikë fundore për grumbullimin e mbetjeve dhe kështu është e patolerueshme që mbetjet të grumbullohen në mes të rrugës, mes, aty ku mblidhen e aty ku duhet të grumbullohen me ligj. Pikat fundore janë, qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve apo inceneratorët siç quhen rëndom, qoftë edhe fushat sanitare apo landfillet, siç quhen rëndom. Asnjë bashki nuk do të lejohet që për arsyet e mosarsyet e për justifikime të pajustifikueshme, në vend që t’i çojë mbetjet e veta në pikën fundore të krijojë pika të tjera, të paligjshme grumbullimi. E për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive, parashikon sanksione për vetë bashkitë, por përtej sanksioneve, për këtë do të vlejë pikërisht ai kostimi që thashë, se ka dhe një problem tjetër, që është shumë i qartë, tanimë edhe me shifrat përpara.

Është kollaj për bashkitë që duke i hedhur plehrat rrugëve, duke krijuar pika të paligjshme grumbullimi, jo si puna kësaj këtu se kjo është kthyer në një pikë të paligjshme grumbullimi nga ata që vijnë në pyllin e Sodës, por flas për pika grumbullimi ku kamionët e pastrimit derdhin plehrat me pëlqimin e kryetarit të bashkisë, nuk bën matje të saktë të peshës së mbetjeve, që do të thotë hapet një shteg i madh për abuzim, duke bërë deklarime të sasisë së mbetjeve që nuk përputhen me sasinë e mbetjeve të mbledhura. Kjo, me pikat fundore nga njëra anë e me monitorimin nga ana tjetër, merr fund. 

Patjetër që pika më e nxehtë në gjithë këtë proces është edhe pika më e rëndësishme strategjike për turizmin e për ekonominë tonë sot, hë për hë, që turizmin malor e kemi ende në hapa shumë të parë, që është bregdeti.

Është e patolerueshme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si një punë angari. Kjo është puna e punëve për kryetarët e bashkive bregdetare. Gjithçka tjetër mund të mos jetë në maksimum, pastrimi duhet të jetë në  maksimum e prandaj ne do të vendosim një fond ekstra për bregdetin e do krijojmë një tast forcë në agjencinë kombëtare të Bregdetit që do t’i vijë në ndihmë bashkive, ashtu sikundër në buxhetin e ardhshëm do të jetë përsëri çdo këshill bashkiak që do ta rrëzojë buxhetin e kryetarëve të bashkive në rast se taksa që mblidhet për administrimin e plazheve nga subjektet private, nuk do të shkojë për të garantuar pastrimin në të gjithë zonën, jo vetëm në ato katrorët që administrojnë subjektet private, se mirë nga njëra anë e kemi një problem, por ajo është histori më vete, që vazhdon torturon qytetarët ndarja e padrejtë e plazheve mes hapësirës për publikun dhe hapësirës për privation, por edhe aty ku ndajnë copën e luanit për subjektet private, paratë që prodhohen nga taksa nuk shkojnë për të garantuar higjienën e  plotë për të gjithë zonën, jo thjesht në vijën e rërës.

Pika tjetër është ndotja e madhe që bëjnë bizneset, hotelet, restorantet, të cilat i hedhin mbetjet, duke krijuar ata vetë pika të tjera të paligjshme.

Nuk do të lejohet më dhe nuk do tolerohet më asnjë biznes në bregdet, që nuk do t’i nxjerrë mbetjet e veta të paketuara përpara zonës ku bën aktivitetin në një orë të caktuar.

Nga ana tjetër, bashkitë së bashku me Task Forcën, duhet të organizohen që brenda një ore në fund të ditës apo në fund të gjithë aktivitetit, të grumbullojnë të gjitha mbetjet. Nuk do lejohen thasë të zinj mbetjesh hedhur tek kazani që është për konsumin individual. Kazanat e mbetjeve nuk janë për bizneset, janë për konsumin individual sepse mjafton një biznes me 4 thasë dhe mbaroi kazani. Tjetër mbetjet e bizneseve dhe tjetër mbetjet e konsumit individual të qytetarëve. 

Për këtë, paralelisht me iniciativat, sepse është dhe një fond tjetër që e kemi vendosur në buxhetin e vitit të ardhshëm, që është fondi i inkurajimit të atyre bashkive që janë në krye të detyrës dhe që e bëjnë punën me sukses dhe duke ia rikthyer ato që shpenzojnë për pastrimin për të bërë punë të tjera. Të gjitha këto janë mësime të nxjerra dhe njëkohësisht sintezë e praktikave të mira që ne kemi parë në vendet e tjera, të cilat sigurisht nuk i njohim sot, por prej të cilave mund të marrim ekzaktësisht atë që na duhet dhe mund të përshtatet më mirë me realitetin tonë.

E fundit, është e patolerueshme që Policia e Shtetit të qëndrojë jashtë kësaj nevoje jetike të kombit tonë për të pasur një shtëpi të përbashkët të pastër. Cfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që Policia e Shtetit, me ligj, është autoriteti që mbron territorin e Republikës së Shqipërisë. Të gjitha autoritetet e tjera janë autoritete që kanë përgjegjësi të veçanta, Inspektoriatet kanë përgjegjësi të veçanta, por nuk mund të mbrohet gjithë mjedisi dhe territori i Shqipërisë nga mbrojtja me numrin e inspektorëve që ne kemi dhe nuk ka asnjë vend në botë që Inspektoriatet i ka për t’i shtrirë në çdo kilometër katror të territorit. Në çdo kilometër katror të territorit është Policia e Shtetit.

Është e pajustifikueshme që në sytë e Policisë së Shtetit, këtu në Vlorë, jo më larg se përpara disa ditësh dhe jo më larg se disa qindra metra larg nga këtu, mbushet një sipërfaqe pylli me 3000 metra katror zhavorr dhe askush nuk e shikon. Pa leje. 

Këto janë akte krimi ndaj mjedisit, siç është akt krimi ndaj mjedisit, siç është akt krimi ndaj bregdetit çdo tullë që vihet pa leje. Në vend se Policia e Shtetit të jetë e zellshme për të gjetur njerëz që në fshat, fare larg zonës bregdetare, zonave turistike, zonave të mbrojtura, rrugëve, në tokën e tyre nuk ndërtojnë dot një mur se i shkojnë i vënë gjobën apo në vend të gjobës i kërkojnë rryshfetin, të mos i ketë sytë e hapur kur dhjetëra e dhjetëra kamionë i kalojnë përpara syve për të marrë si pa të keq 3000 metra katror nga natyra për t’i mbushur me zhavorr pa leje apo për të ndërtuar pa leje.

Është pjesë e planit që Policia e Shtetit duhet t’i ketë sytë katër dhe çdo punonjës i policisë, sipas zonës që ka, duhet të garantojë në zonën e vet informacionin e menjëhershëm për çdo ndërhyrje brutale që ndodh në mjedis, qoftë ndërtim pa leje, qoftë hedhje mbeturinash në vende të pa autorizuara, qoftë prerje pemësh, qoftë gërryerje lumenjsh e me radhë. 

Unë besoj shumë që ky Plan është fitues sepse të gjithë komponentët e tij janë aty ku duhet dhe eksperienca e akumuluar është vlerë e shtuar për realizimin me sukses të këtij plani. Uroj shumë që në këtë proces të bashkohen sa më shumë njerëz, por mbi të gjitha uroj shumë që të gjithë ata që nuk bashkohen, dhe e përsëris, janë në të drejtën e tyre dhe absolutisht mund ta bëjnë punën e tyre pa u bashkuar në këto aktiviteti, të mos ndotin vendin.

Ta mendojnë dy herë kur lëshojnë përtokë, hedhin nga dritarja e makinës, lënë pas pasi ngrihen nga një piknik mbetjet e tyre dhe të familjes së tyre, duke u dhënë shembullin më skandaloz dhe kriminal edhe fëmijëve që i kanë me vete, që shikojnë prindërit se si lëshojnë mbetjet rrugëve dhe ai është momenti kur duhet t’i mendojnë ato komentet patriotike dhe duhet të mendojnë si patriotë, duhet të nderojnë flamurin, duhet të nderojnë dëshmorët, duhet të nderojnë rilindasit, duhet të luftojnë me tradhtarë, ai është momenti. 

Kjo është një tradhti, në dukje e padukshme, por në fakt është tradhti kombëtare shumë e dukshme sepse është kontributi i shumë tradhtive të vogla që bën këtë tradhti kaq të madhe ndaj vendit tonë. Është tradhti shumë e madhe ta degjenerosh vendin tënd në sy të të tjerëve dhe është tradhti shumë e madhe ta bësh vendin tënd si një vend ku mund të hidhet çdo mbeturinë që ke në dorë në sy të atyre që janë më të vegjël, të kalamajve. 

Vlora, për fat të keq, në vend që të ishte model, pasi siç është bërë model për transformimin, siç është bërë model për pikat e tërheqjes së më shumë turistëve, siç është bërë model për rritjen e aktiviteteve të biznesit të vogël, për rritjen e të ardhurave, për rritjen e xhiros, është paralelisht modeli më i shëmtuar për abuzimin me mjedisin të njerëzve dhe për indiferencën lapidare të bashkisë, që është bashkë abuzuese me njerëzit. 

Është e paimagjinueshme, sepse nuk është ky një pyll si Amazona në Brazil. Ky është një pyll, që kryetari i bashkisë, bashkë me ata që janë përgjegjës në bashki për këtë punë, mund ta bëjnë me makinë për 3 minuta nga hyrja në dalje. Këtu nuk ka nevojë as për ushtri, as për vullnetarë, as për gjysmën e qeverisë dhe të gjithë deputetët bashkë që të vijnë dhe të pastrojnë. Këtu mjafton kryetari i bashkisë dhe 5 veta të tjerë, me një qese në dorë çdo ditë dhe çdo ditë duke iu thënë qytetarëve “Ju lutem, mos na ktheni prapë këtu, që pylli i Sodës të bëhet zonë që askush më nuk hedh asnjë mbetje”, por kjo është temë tjetër.

Shumë faleminderit!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gloria: 08/11/2021 03:53

    Duhet gjobe kush hedh plehra...nuk merr vesh me fjale ky pis milet...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë