TIRANË- Në ditën e 7 të grevës, palët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre. Kryeministri Edi Rama u ka bërë për të katërtën herë thirrje që të dalin nga greva në mënyrë që të nisin bisedimet për zgjedhjen e këtij problemi që vijon prej vitesh. Dalja nga greva është kusht, në të kundërtën, kreu i qeverisë e ka ripërsëritur në mesazhin e tij të fundit këtë pasdite, se nuk ka bisedime.

"Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh, sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim!Ideja se duke u futur në grevë mund t'i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar. Me t'u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht", tha Rama.

Megjithatë, teksa Rama nuk i ndal thirrjet e tij, naftëtarët këmbëngulin që grevën nuk do e lënë. Nga ana e tyre ka pasur një tërheqje, pasi teksa më parë thonin "kalo lekët në llogari, pastaj nisim bisedimet", tani më naftëtarët shprehen të gatshëm të ulen në tryezë, por pa lënë grevën. Ato kërkojnë nga Rama që të caktojë ditën dhe orën e takimit, që një përfaqësi prej tyre të takohen, teksa pjesa tjetër do e vijojë qëndresën.  Kjo sipas tyre, vjen nga frika dhe pasiguria se nëse do të dalin nga greva, kërkesat e tyre për pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës, do të harrohen, siç edhe ka ndodhur. 

"Po jemi gati në çdo kohë të takojmë kryeministrin Rama. Ne këtë gjë madje e kemi kërkuar prej kohësh. Z. Kryeministër të na caktojë datën dhe orën, një përfaqësi e jona është gati të vijë në Tiranë. Por greva e urisë nuk do të ndërpritet pa u gjetur një zgjidhje", tha Skënderaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:56
Rama i 'prerë' ndaj naftëtarëve: Dilni nga greva ose nuk ka bisedime

Kryeministri Edi Rama duket i palëkundur në qëndrimin e tij ndaj naftëtarëve të Ballshit.

Ai i bën thirrje sërish atyre që të ndërpresin grevën dhe të ulen të bisedojnë për të zgjidhur problemet e tyre.

Përmes një postimi në Tëitter ai shkruan se pa dalë ata nga greva mund të bisedojnë.

"Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh,sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim!Ideja se duke u futur në grevë mund t'i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar. Me t'u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht" - shkruan Rama në Twitter

Ora 12:07
Rama sërish thirrje naftëtarëve: Dilni nga greva që të bisedojmë! Jam i gatshëm që në këtë sekondë (VIDEO)

Nga konferenca në kryeministri, kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se naftëtarët duhet të dalin nga greva që të nisin bisedimet, në të kundërtën me presione dhe kërcënime, siç ai e cilëson ai grevën, nuk funksionon.

"Asnjë presion nuk funksionon me këtë qeveri dhe në rastin e tyre ua kam bërë të qartë, nuk jemi palë përballë një pale, ne jemi faktikisht pjesë e një familje dhe me naftëtarët nuk kemi asnjë llogari të hapur apo mbyllur, se është një marrëdhënie private, por në kushtet kur kanë këtë vështirësi të madhe dhe refuzojnë të hyjnë në programin e asistencën shtetërore, sipas ligjeve në fuqi, jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë, Të dalin nga greva nëse duan të bisedojnë me ne. Grevat bëhen për të sensibilizuar, ne s'kemi nevojë se jemi të sensibilizuar dhe me ultimatime, presione e shantazhe, me forma detyruese me shprehje, pagat pastaj ulemi flasim, nuk funksionon. Jam i keqardhur për ata që kanë marrë këtë inisiativë. Jam i gatshëm sot, në sekondë që të bisedojmë me ta me logjikë, gjëja më e lehtë është po futemi në grevë dhe qeveria të na bëj këtë, ku jemi këtu. ne s'po rrimë, ne s'po i kthejmë shpinën askujt, nëse është krijuar një qytet i plotë me ndërtime pa leje, patjetër që do kemi përmbytje, me presioni nuk fitohet me mua dhe me qeverinë. Është e pamundur", tha Rama.