Kryeministri Edi Rama tha se riorganizimi i PS-së në Tiranë synon të përgatisë partinë për 10 vitet e ardhshme, përtej zgjedhjeve të radhës. Ai u kërkoi socialistëve të jenë të pranishëm në lagje e në shkallët e pallateve dhe të dëgjojnë sidomos qytetarët që kanë humbur besimin te PS-ja, për të kuptuar ku kanë gabuar dhe çfarë duhet të bëjnë ndryshe.
“Prandaj organizimi që ne nisim sot nuk mund të jetë organizim për të fituar zgjedhjet, por për të garantuar Tiranën dhe Shqipërinë për atë që vjen, jo në një mandat tjetër, por në 10 vitet e ardhshme.
Nuk jemi për të bërë rishpërndarje detyrash apo marrje detyrash nga të tjerë drejtues apo deputetë që banojnë në Tiranë, por shërbejnë në territore të tjera. As për regjistrim të ri anëtarësh dhe mbështetësish, as për të rivënë në punë një makineri që di të marrë shumë vota.
![]()
Ne nuk jemi këtu për një mënyrë më efikase që të mbrojmë atë që kemi fituar, por për të merituar atë që kërkojmë të fitojmë përsëri. Kemi nevojë për një PS më të organizuar, ndërsa Tirana për një parti më të pranishme në lagje, në shkallët e pallateve, në jetën e përditshme të njerëzve të të gjitha moshave dhe grupeve të interesit.
Jo vetëm aty ku kemi mbështetje, por sidomos aty ku kemi humbur besimin. Jo vetëm për të shpjeguar çfarë kemi bërë, por edhe për të kuptuar ne vetë se çfarë nuk kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë mirë, çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe. Një parti e shtrirë në të gjitha ditët e javës, në frymën e pranisë besnike", tha Rama.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Asambleja/ Rama-Veliajt: Je në gabim në raport me mua dhe PS, kush ndjek këtë kuturisje qorre do ta gjykojmë ashpër! S'mund të largohen nga puna ata që s'i bëjnë like 'Lalit', Tiranën e fitojmë sërish










