/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Qazim Sejdinin, si kandidatin e koalicionit të majtë për Bashkinë e Elbasanit.
Gjatë prezantimit të Sejdinit, Kreu i Ekzekutivit u shpreh se Shqipëria duhet të ndjek drejtimin e duhur. "Rruga e duhur për Elbasanin është Qazim Sejdini, kryebashkiaku që ka nisur t'i japë udhë problemit të plehrave. Dhe Elbasani ndryshe nga qytetet e tjera është drejt zgjidhjes së këtij problemi shumëvjeçar", tha Rama.
Sipas tij, sot Elbasani mbart mbi supe ende disa probleme të pazgjidhura, siç është çështja e ujit të pijshëm apo transportit. "Sfida jonë është të kemi një linjë transporti unike. Uji i pishëm. Elbasani po përpëlitet se nuk ka 24 orë ujë të pijshëm, por si mund të kishte ujë të pijshëm me atë hartë territoriale me 400 komuna e aksionerë që e morën peng sistemin e shërbimit me ujë të pishëm. Me reformën territoriale është e qartë se të gjitha bashkitë do të kenë ujësjellësin e tyre dhe s'do të kenë më varësi nga komunat, çka do t'a bëjë më të lehtë menaxhimin e këtij sektori", shtoi Rama.
Duke iu referuar kundërshtarëve politikë, Rama tha se  Ardjan Turkun e shkretë e morën nga Elbasani dhe e sollën prapë këtu. "Elbasanasit e kanë provuar njëherë Turkun, por nuk i doli gjë. Por këta të SHQUP-it, thonë hajde ta provoni prapë. Ai (Turku) nuk është njeri i keq, por ka një të keqe të madhe, është me Partinë Demokratike. Dhe kur je me PD-në nuk të lë partia të punosh. E them këtë se një nga bashkiakët e PD-së më telefonoi dhe më tha, hajde takohemi. I thashë hajde në zyrë, jo më tha se më shohin. Po ku të komunikojë unë me atë në Qafë Krrabë? Ku, nëpër furgonat e linjës? Ku t'i jap financimet unë këtij kryebashkiakut, që nuk e lë partia. Opozita, vijoi Rama, kërkon të vendosi tek çdo bashki disa anëtarë të SHQUP-it që të thonë se fajin e ka Rama. Prandaj, për t'i lënë mënjanë hallet e SHQUP-it, ju duhet të votoni atë që bënë punën e qytetit dhe jo të partisë", tha Rama.