RAMA: DO ÇLIROJMË NAFTËN NGA UZURPATORËT
"Para pak ditësh Sali erdhi këtu dhe e mbushi sheshin me robër. Ne sot jemi këtu dhe sheshi është i stërmbushur me qytetarë. Me qytetarë, që së bashku, me qytetarët e gjithë Shqipërisë, më 23 qershor do të çlirojmë edhe robërit e qeverisë. Që të mos ketë kurrë më mësues, mjek, infermiere, nëpunës të shteti që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Që të mos ketë kurrë më drejtorë në shkolla, në spitale në administratë që dhunojnë shërbëtorët e shtetit, që dhunojnë zgjedhësit që votojnë për herë të parë, që dhunojnë mësuesit, që dhunojnë këdo me bukën e qeverisë. Pas 23 qershorit shtetit do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e të gjithë shqiptarëve.
Unë nuk e di çfarë tha Saliu në Fier, por e di shumë mirë se çfarë do t’i thotë Fieri Saliut në 23 qershor. Unë nuk e di çfarë u tha Saliu fermerëve dhe bujqve të Fierit, të Lushnjes dhe të Mallakastrës, por e di shumë mirë që fermerët dhe familjet që jetojnë në fshatrat e Fierit, Lushnjes, Mallakastrës në 23 qershor do të shkojnë të votojnë për të ulur kostot e prodhimit të tyre. Do të shkojnë të votojnë për të ujitur tokat e tyre. Do të shkojnë të votojnë për të pasur naftën pa akcizë dhe pa taksë qarkullimi. Do të shkojnë të votojnë për të pasur shërbime njësoj si në qytet, do të shkojnë të votojnë për të pasur më në fund pas 20 e kusur vjetësh certifikatën e tokës së tyre.
Unë nuk e di se çfarë iu tha Saliu tregtarëve të vegjël, të vetëpunësuar të Fierit, të Lushnjes, të Mallakastrës, por e di shumë mirë që në 23 qershor çdo i vetëpunësuar me dyqanin e tij të vogël do të shkojë të votojë për të hequr taksën e biznesit të vogël. Do të shkojë të votojë për të përgjysmuar tatim e fitimit të biznesit të tij. Do të shkojë të votojë për t’i ikur kurthit të falimentimit. Do të shkojë të votojë për të jetuar me punën e tij të ndershme dhe jo për të mbijetuar, falë një qeverie që do t’i krijojë kushtet të gjithëve për të qenë të aftë të krijojnë mirëqenie me punën e tyre të ndershme.
Unë nuk e di se çfarë u ka thënë njerëzve të naftës Saliu, por di që në 23 qershor me Partinë Socialiste shqiptarët do të çlirojnë burimet e naftës nga kthetrat e uzurpatorëve, e atyre që me pasurinë e përbashkët të këtij populli pasurohen në kurriz të këtij populli. Sepse, ne ndryshojmë nga ata, pikërisht aty, ku fillojnë interesat e këtij kombi, të këtij vendi dhe këtij populli. Ne nuk kërkojmë votën për të pasuruar një grup njerëzish. Ne kërkojmë votën që të gjithë shqiptarët të mund të pasurohen. Ne nuk kërkojmë votën për t’i ulur taksat një grushti njerëzish, një grushti miliarderësh. Ne kërkojmë votën për t’i ulur taksat për 95% të shqiptarëve.
Unë nuk e di se me çfarë kurajoje Saliu mund të kërkojë akoma votën e mësuesve, të mjekëve, të infermierëve, të policëve, të rrogëtarëve të shtetit. Por, di që ne u themi atyre se në 23 qershor me votën e tyre ata do të çlirohen nga pesha mbytëse e taksës së sheshtë dhe do të përfitojnë nga sistemi i taksimit të ndershëm.
Çdo qytet që e ka një lumë është i bekuar. Çdo lumë kur kalon nëpër një qytet është një bekim. Vetëm në Shqipëri nën qeverinë e Saliut, lumenjtë që kalojnë nëpër qytete dhe burimet e pafundme të ujit nga bekimi i zotit bëhen një mallkim, siç është bërë këtu edhe lumi i Fierit.
E pra, ne pas 23 qershorit do ta kthejmë lumin e këtij qyteti në bekim për këtë qytet. Pas 23 qershorit do t’i kthejmë burimet e mëdha ujore të Shqipërisë, në bekim për fshatin. Nuk do të lëmë më që fshati të thahet në verë nga mungesa e ujit dhe të përmbytet në dimër nga mungesa e kanaleve kulluese. Ne do ta çojmë ujin në çdo parcelë. Ne do të kullojmë çdo parcelë. Me ne fshatarët do të fitojnë atë mbrojtje të munguar në këto vite. Me ne çdo fermer do të fitojë shtetin në krahë. Me ne çdo familje e zakonshme do të fitojë sigurinë e humbur dhe do të shkojë përpara në rrugën e gjetur të të ardhmes.
Ne e dimë mirë se çfarë do të bëjë Fieri në 23 qershor, por dhe ju duhet ta dini mirë se ne do të bëjmë për Fierin më shumë se ç’është bërë në 20 vjet të marra së bashku.
Do më lejoni që nga kjo tribunë t’i them dy fjalë demokratëve të Fierit. Njerëzve të zakonshëm jo atyre drejtorëve, që pas 23 qershorit i pret gjyqi i publikut, për gjithë këtë presion, për gjithë këto shantazhe dhe kërcënime që po bëjnë në përpjekjen e dëshpëruar për të ndalur rrugën e pandalshme të Partisë Socialiste dhe të Rilindjes Shqiptare. Demokratëve të Fierit dua t’ju them në 23 qershor votoni si qytetarë të kësaj Republike, votoni si shqiptarë, votoni si prindër para se të votoni si anëtarë të një partie, apo si mbështetës të një partie që ju duhet ta ndihmoni të rilindë duke mos e votuar në 23 qershor.
Çdo prind demokrat, çdo prind, që ka fëmijën në shkollën 9 vjeçare në 23 qershor duhet të votojë për fëmijën e tij. Të mos lejojë më kurrë që nga 9 vjeçaret të dalin 57% analfabetë funksionalë, siç kanë dalë 8 vjet pas sundimit obskurant të Saliut dhe të partisë së tij familjare. Po ashtu, çdo demokrat që në këtë qark edhe në të gjithë Shqipërinë jeton si i vetëpunësuar, në 23 qershor ka në dorë jo pak, po ka në dorë votën për t’i hequr vetes taksat, për t’i hequr taksat dyqanit të tij, dhe për të bërë të mundur që me dyqanin e tij të fitojë shumë më tepër se çka fituar me Saliun.
Për ata që sot janë nën presionin e gjobave. E gjobave, që fillojnë që nga fshati, ku fshatarët që jetojnë duke u rropatur 24 orë marrin gjoba, deri në qytet ku dyqanxhinjtë marrin gjoba, ku sipërmarrësit marrin gjoba, me kërcënimin se do t’i paguajnë një për një pas 23 qershorit.
Asgjë nuk do të paguajnë! Asgjë nuk do të paguajnë! Asgjë nuk do të paguajnë!
Ne nuk do të njohim asnjë gjobë të kësaj qeverie nga 1 Marsi i këtij viti deri më 23 qershor, as edhe një. Ato gjoba janë certifikata krenarie për ju, për të gjithë ata që ky pushtet nuk i do sepse me të drejtën e Zotit, të ligjit dhe të zakonit nuk e duan këtë pushtet më.
Dhe, me krenarinë që jam këtu bashkë me Skuadrën tonë të Rilindjes, me krenarinë që PS i ka vënë në dispozicion Fierit gra dhe burra me dinjitet të lartë qytetar, me integritet të lartë profesional, me pasion dhe përkushtim, që nga Gramozi, Erjoni, Eglantina e deri te më i riu Anduel Xhindi, unë dua t’i them Fierit dhe gjithë Shqipërisë, këtu nga Fieri i goditur dhe i vrarë, se pas 23 qershorit do të fillojnë ditët për të bërë drejtësi për të vrarët, për të bërë drejtësi për të vjedhurit, për të bërë drejtësi për çdo shqiptar për çdo shqiptar që meriton të jetë zot në vendin e vet dhe që meriton të ketë një qeveri në shërbim dhe jo një pushtet të cilit t’i shërbejë".
ERION BRAÇE: FIERI, KRYEQYTETI I SOCIALISTËVE
"Jam këtu për të rilindur Fierin, Lushnjën, Mallakastrën. Jam i lumtur që do të shërbej në qarkun e Fierit, në qarkun e dytë të madh të Shqipërisë, por mbi të gjitha do të shërbej në atë që është kryeqyteti i socialistëve të Shqipërisë; Fieri. Zoti i dha qarkut tuaj çdo gjë, por dhe atë qark si gjithë Shqipërinë ka një njeri që e dëmton, e vjedh, e dëmton, e vret, ky është Sali Berisha. Ju keni detin, naftën, por atë po ua vjedh Sali Berisha, keni tokat tuaja, pro ato ju pengon t’i punoni dhe gëzoni Sali Berisha. Tani është dita, këto janë javët, ky është muaji që vendos, që të bëjë të pasur jo vetëm 5% të shqiptarëve, por 95% të shqiptarëve, që ju bën zotur të tokës dhe nëntokës, për t’u bërë ju të pasur. Më në fund dhe Fieri të ketë qeverinë e të majtës, me kryeministër Edi Ramën".
Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)