Gjatë Forumit Ekonomik të Delfit në Athinë, kryeministri Rama foli për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit europian. Sipas kreut të qeverisë, rajoni ynë nuk ka qenë kurrë më parë kaq pranë Bashkimit Europian, u shpreh ai gjatë intervistës me Alexis Papahelas, kryeredaktorin e gazetës Kathimerini.

"Ballkani Perëndimor është në kohën më të mirë. Nuk kemi qenë kurrë më pranë BE se sot. Nuk jemi të harruar. Jemi në kohën më të mirë që kemi jetuar”, tha Rama.

I pyetur për ngërçin me kryeministrin grek Mitsotakis për çështjen e Fredi Belerit, kryeministri Rama pranoi se krijoi vështirësi, por marrëdhënia e tyre ruan gjithnjë respekt. Ambicia e përbashkët është që deri në fund të vitit të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve.

“Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh. Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet. Nuk pres rifillim, kemi rifilluar. Presim një fund në fund të vitit, të dy shpresojmë”, tha Rama.

Lidhur me çështjen e pronave, Rama u shpreh se problematikat që kanë qytetarët etnikë grekë në Shqipëri me pronat, janë të njëjtat me ato të shqiptarëve, por po trajtohen, ndërsa u është dhënë prioritet pakicave greke.

Askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, se problemi me pronën, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë, në të njëjtën zonë apo kudo tjetër. Është thjeshtë një problem shqiptar, për shqiptarët apo për qytetarët etnikë grekë dhe po e trajtojmë. Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke, që është një thesar kulturor, ne ju kemi kushtuar vëmendje të posaçme. Këtu dua të përgëzoj Mitsotakis, që ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë”, tha mes të tjerash Rama.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:48
Rama nga Forumi Ekonomik i Delfit: Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në qeli prej janarit 2025 pa vendim gjykate! Praktika e paraburgimit në Shqipëri, një problem madhor

Kryeministri Edi Rama nga Forumi Ekonomik i Delfit, gjatë një bisede me Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini, ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po vijon që prej janarit të vitit 2025 të qëndrojë në qeli, pavarësisht se ndaj tij ende nuk ka një vendim gjyqësor.

Problemi me numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, sipas Ramës, është një problem madhor të cilin kryeministri tha se e ka adresuar edhe në BE.

“Në Shqipëri gjyqësori është i pavarur. Në Shqipëri sot kemi 58% të personave në burgje, që ende nuk kanë procedim gjyqësor, pra që nuk kanë gjyq. Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës nga partia ime, është burgosur në janar të vitit 2025 dhe vijon të jetë ende në burg. Dhe procesi gjyqësor sapo ka nisur. Kështu që kur thashë për Belerin përfundoi në mënyrë të mrekullueshme sepse është europarlamentar, e kam fjalën ka marrë fund dhe nuk duhet t’i kthehem kësaj gjëje.

Ju thatë që ky ishte një episod fatkeq. Është episod fatkeq jo vetëm për të, por për të gjithë, sepse është para procesit gjyqësor dhe paraburgoset. Kjo është diçka që unë nuk e marr me lehtësi. Unë këtë po e ndaj me BE-në”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:38
Çështja e pronave, Rama: Problem shqiptar, po e trajtojmë! Vëmendje e posaçme për pakicën greke

1776879552_trfxydutiuii.jpg

Kryeministri Edi Rama është shprehur se problematikat që kanë qytetarët etnikë grekë në Shqipëri me pronat, nuk janë aspak të ndryshme me problematikat që kanë qytetarët shqiptarë me pronat.

“Është një temë shumë e thjeshtë, por edhe e ndërlikuar. Ne kemi qenë një vend që u privua plotësisht nga prona private. Nuk lejoheshim të kishim as një metër katror tokë në pronësinë tonë. Pas 50 vitesh, më në fund e ndryshuam atë regjim të tmerrshëm. Asokohe u miratua një ligj me konsensus për t’i dhënë letër përdorimi, pra titull përdorimi, jo pronësimi të gjithëve atyre që punonin tokën.

U krijua një mbivendosje dhe përgjatë viteve, njerëzit që kishin titull përdorimi të tokës u bënë pronarë, pronarët ish-pronarë dhe u vendos një shtresë e tretë, që ishte shumë njerëz që vinin nga zonat rurale dhe ndërtuan në mënyrë të paligshme në tokë bujqësore. S’kishte rrugë tjetër veçse ti legalizonim. Ne kemi 10 vite që po merremi me këtë.

Askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, se problemi me pronën, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspek ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë, në të njëjtën zonë apo kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar, për shqiptarët apo për qytetarët etnikë grekë dhe po e trajtojmë. Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke, që është një thesar kulturor, ne ju kemi kushtuar vëmendje të posaçme. Këtu dua të përgëzoj Mitsotakis, që ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:21
Rama nga Greqia: Iranianët i pranuam në vendin tonë për qëllime humanitare! Shqipëria meriton të futet në parajsë për kaq shumë jetë të shpëtuara

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Forumi Ekonomik i Delfit në Greqi se Shqipëria i ka pranuar anëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri, për arsye humanitare dhe jo për të bërë opozitën politike të Teheranit.

Rama tha se njësoj si iranianët, Shqipëria ka strehuar edhe anëtarë të komuniteteve të tjera, si afganët, apo edhe hebrenjtë e italianët më herët.

“Ne kemi një histori, pra duhet t’i thërrasim historisë. Kemi një histori mikpritjeje, që duam ta ruajmë e ta ushqejmë. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që i dha fund luftës së Dytë botërore me më shumë hebrenj sesa ishin para se të ishte kjo luftë. Dhe nuk ka shifra të dhëna për asnjë hebre të dorëzuar nazistëve. Ne kemi mbrojtur edhe 25 mijë italianë, pjesë e ushtrisë pushtuese kur Italia kapitulloi. Pritëm afganët, pasi ndodhi ai largim nga Kabuli në një mënyrë të turpshme. Ne hapëm dyert me mijëra afganë që askush në Europë nuk i donte. Sa për iranianët na u kërkua të merrnim në konsideratë, t’i sillmin aty jo për ta përdorur Shqipërinë si një platformë për opozitën politike, por për arsye humanitare, sepse ndodheshin në kampin Liria në Irak dhe sulmoheshin gjatë gjithë kohës nga vrasësit e Teheranit. Po, i kemi aty prej vitesh dhe u kemi shpëtuar jetën. Mendoj se do të ketë një konsideratë për ta futur Shqipërinë në parajsë, nëse rrëfejmë të gjitha këto histori kur kemi shpëtuar jetë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:12
Lufta ndaj krimit të organizuar, Rama: Kemi probleme, por po përmirësohemi! Pavarësia e gjyqësorit, arritja e një jete

Kryeministri Rama u pyet nga Papahelas pse përgjatë qeverisjes së tij nga vendi janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë, për të cilën u shpreh:

“Nuk është shifër e saktë, por po, shqiptarët kanë vazhduar të largohen dhe mendoj se është normale për një vend që ka kaluar 50 vjet izolimi të plotë”, tha Rama.

Sa për krimin e organizuar, ai i pranoi problemet duke evidentuar rëndësinë e sistemit gjyqësor:

“Kemi probleme dhe po bëjmë gjithçka mundemi që të përmirësohemi në këtë drejtim. Është arritja e një jete t’i japim gjyqësorit pavarësinë e tij. Pasja e një drejtësie të pavarur që është shumë e angazhuar kundër krimit të organizuar, ka bërë ndryshimin”, u shpreh kryeministri.

Ora 19:06
Beleri ‘mollë sherri’ me Mitsotakis? Rama e pranon: Krijoi vështirësi, por e respektojmë njëri-tjetrin! Ambicie që brenda vitit të përfundojnë të gjitha çështjet

I pyetur për ngërçin me kryeministrin grek Mitsotakis për çështjen e Fredi Belerit, kryeministri Rama pranoi se krijoi vështirësi, por marrëdhënia e tyre ruan gjithnjë respekt. Ambicia e përbashkët është që deri në fund të vitit të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve.

“Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Unë e respektoj shumë për këtë. Vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendeet tona të përpihen nga këto lloj zënkash. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh. Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet. Kemi një aset të madh për ne, pakica greke dhe diçka që është aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar”, tha Rama.

Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për rifillim sepse gjithçka ka nisur tashmë.

“Nuk pres rifillim, kemi rifilluar. Presim një fund në fund të vitit, të dy shpresojmë. Po përpiqem të tregoj kujdes për të mos bërë shaka me ju sepse s’dua të trazoj këtë mjedis”, tha kryeministri.

Ora 19:04
Gjykimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Rama për kërkesën ndaj Trump: S’më është përgjigjur ende, ma ha mendja se ka qenë shumë i zënë (VIDEO)

Kryeministri Rama u pyet në intervistën me Alexis Papahelas për kërkesën e tij ndaj Trump lidhur me Gjykatën e Hagës për procesin kundër 4 ish-krerëve të UÇK-së, për të cilën tha se ende s’ka marrë përgjigje.

-I kërkuat presidentit Trump që ai të përfshihet në disa prej konflikteve që po ndodhin.

Edi Rama: Po, pata privilegjin të isha me presidentin Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i kërkova diçka që ka të bëjë me gjykatën e drejtësisë mbështetur mbi një raport fantazish nga rusët, nga vladimir Putini që mbështeste një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krime lufte dhe trafik organesh. Gjykata u ngrit për ta kthyer këtë proces fantazish kundër udhëheqësve dhe e burgosën pa një akuzë zyrtare. Më pas, i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër. Nuk kishte ndodhur asnjë trafik i organeve njerëzore dhe akuzohen që kanë udhëhequr luftën kundër pushtuesve dhe kanë bashkëpunuar me NATO-n.  I thashë Trump që duhet të ndërhyjë.

-A keni marrë përgjigje?

Edi Rama: Ende, por ka qenë shumë i zënë ma ha mendja.

Ora 18:57
‘S’jeni nipërit e Platonit’, Rama sqaron deklaratën: S’kam armiqësi, e dashuroj këtë vend! Po bëja humor me njerëz seriozë (VIDEO)

Lidhur me deklaratën “nuk jeni nipërit e Platonit”, kryeministri Rama tha se nuk ishte një çështje serioze, por thjesht një shaka. Ai u shpreh se historia e tjetrit duhet respektuar, por ndoshta ishte ai që po bënte shaka me njerëz seriozë.

Edi Rama: I vetmi problem që kam me grekët dhe shqiptarët, me shqiptarët sidomos, është marrja e vetes shumë seriozisht. Duhet të jemi shumë të ndjeshëm ndaj historisë së njëri-tjetrit dhe ta respektojmë.

-E di, por ishte si një lloj armiqësie.

Edi Rama: Jo, larg qoftë, ç’armiqësi? Kushdo që më njeh, unë kam një admirim të madh për këtë vend dhe më duket ishte Tomas Miller që thoshte duhet një jetë për të zbuluar Greqinë dhe një ditë për t’u dashuruar me të. Sa herë që vij, unë s’kam kaluar një ditë, ndiej se kam rënë në dashuri me këtë vend, si mund të jem armiqësor?

-Ndoshta ka qenë moment i keq.

Edi Rama: Nuk ka qenë moment i keq, ndoshta isha thjesht unë që po bëja humor me njerëz shumë seriozë. Ndoshta nuk isha në vendin e duhur.