Reagimi i kryetarit të PS-së vjen një ditë pasi në Komisionin e Integrimit dhe në Komisionin e Ligjeve maxhoranca miratoi e vetme pr/ligjin për armët i cili në nenin 18-të parashikon se deputetë, ministra, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, zv/ministra, prefektë si dhe drejtues të shoqërive tregtare që kanë një kapital mbi 50 milionë lekë, mund të mbajnë armë.
Opozita kundërshton armëmbajtjen për deputetët dhe ministrat. Ndërkohë, në draft parashikohet edhe armëmbajtja për punonjësit e Bankës së Shqipërisë si dhe të autoritetit portual.
"Territori i vendit është jashtë kontrollit të policisë. Policia është e tradhtuar, është e braktisur, është e rrënuar. Në zonat rurale njerëzit armatosen përditë për të mbrojtur pronën dhe deri në shkollat e mesme të Tiranë kanë hyrë armët nëpër klasa. 45% e nxënësve nëpër gjimnazet e Shqipërisë janë përfshirë në një konflikt fizik, thotë një anketim i një organizate serioze ndërkombëtare, kurse qeveria propozon një ligj absurd për të armatosur ministra, deputetë dhe zyrtarë. Krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe ne nuk kemi asnjë arsye pse të lodhemi duke përsëritur se kur Partia Demokratike erdhi në qeveri, evidentoheshin 8250 krime në vit. Në vitin 2012 u evidentuan 20688 krime gjatë vitit. Diferenca në shtatë vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i rritjes së kriminalitetit është mesatarisht 1500 krime në vit dhe vetëm viti 2012 në raport me 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë. Shqipëria e sotme ka koefiçentin më të lartë të vrasjes për 100 mijë banorë në Europë dhe në rajon. ”- nënvizoi Rama në mbledhjen e grupit PS.
Lideri i opozitës mbështeti kërkesën e prezantuar dje nga deputeti i PS-së Taulant Balla në Komisionin e Integrimit për amendimin në këtë formë të ligjit të armëve që prej javësh diskutohet në Kuvend, duke i lënë të drejtën e armatosjes së ligjshme vetëm punonjësve të policisë dhe Ministrisë së Brendshme.
“ Ministria e Brendshme ose jep lajme vrasjesh, si të ishte agjenci shtypi, ose mban konferenca kundër opozitës, ose organizon homazhe, si agjenci funerale, për komisarë që vriten në seri. Tre komisarë të vrarë njëri pas tjetrit dhe asnjë ndryshim, asnjë masë, asnjë veprim për t’a ringritur në këmbë policinë. Madje sa herë ne ngremë shqetësimi, vijnë menjëherë si përgjigje nga qeveria reagime aq brutale, sa duket qartë që shqetësimi i pushtetit është opozita, nuk është krimi. Unë do kërkojë që nga Komisioni ynë i Ligjeve të ketë një angazhim me përparësi, për një paketë propozimesh kundër armëve në veçanti dhe krimit në përgjithësi. Edhe pse unë e mbroj bindjen se nuk është boshllëku ligjor që ka sjellë lulëzimin e krimit dhe rrënimin e policisë, por është boshllëku mendor, moral, programor i kësaj qeverie si dhe padyshim boshllëku ekonomik dhe social për shkak të kësaj keqqeverisjeje.” nënvizoi Rama.
Sipas Ristanit ligji nuk ka lidhje fare me rritjen e krimit por është për përafrimin me legjislacionin europain dhe të gjithë e kanë të miratuar. PS kërkon gjithashtu heqjen e dënimit me gjobë për armëmbajtësit pa leje, siç e parashikon ligji, por burgosjen e tyre në çdo rast.
Rama sulmoi Berishën dhe se nuk merret me zgjidhjen e rënduar të sigurisë por sulmon opozitën.
“U bë kohë që qeveria bën opozitën e opozitës, rend pas programit tonë, sulmon idetë tona dhe pastaj i kopjon kur kupton se janë me mbështetje. I kopjon por nuk zbaton Saliu është bërë si futbollistët e kohës bardh e zi që i fut në fushë për të shkuar pas këmbëve jo topit”- Tha Rama.
(sg/shqiptarja.com)