Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së fundvitit, vlerësoi hapjen e negociatave për dy grupkapitujt, themeloret dhe marrëdhëniet me jashtë. Ai përgëzoi punën e qindra punonjësve të administratës shqiptare për përmbushjen me sukses të procesit të screening.
Një arritje tjetër e rëndësishme për këtë vit, sipas Ramës, është dalja e Shqipërisë nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pas 29 vitesh. Kryeministri shprehu optimizmin se Shqipëria do të bashkohet me BE-në brenda kësaj dekade. Rama u ndal edhe tek Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku tha se do të jepen 1 mld euro për të gjithë Ballkanin.
"Po e nis me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, praktikisht të dy grupkapitujve shumë të rëndësishëm duke nisur që nga themeloret që janë grupi i grupeve dhe pastaj edhe marrëdhëniet me jashtë. Është me rëndësi të theksoj këtu diçka që e keni dëgjuar, që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës intensiteti dhe cilësia do ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë, me qindra e qindra punonjës të administratës, nuk do kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me screening.
Këtë vit, edhe ky është fakt domethënës, edhe pse nuk jam ndjekës i rregullt i lajmeve, nuk ka bërë bujën e duhur, Shqipëria ka dalë pas 29 vitesh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk jemi vend nën monitorim të plotë, por si gjithë ato vende që duam dhe do bashkohemi në BE brenda kësaj dekade. Shqipëria është bërë nxitësi dhe ia ka dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur duke u futur në bashkëpunim edhe me vende të tjera të rajonit. Jo vetëm një dialog i pandodhur më parë mes KE , vendeve anëtare dhe vendeve kandidate, nga ku doli si rezultat konkret plani i ri i rritje si BE në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në periudhën sot deri në 2027 do të thithim rreth 1 milidarë euro plus dhe kemi dritën jeshile për tu bashkuar me familjen europiane në disa segmente të funksionimit të Europës së Bashkuar. Që nga 21 nëntori, falë planit të rritjes, shqiptarët në gjithë botën që bëjnë transferta parash nga zona e BE drejt Shqipërisë nuk do kenë më asnjë komision ekstra për transfertat, se Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA.
Në një garë me disa vende Shqipëria ka fituar mundësinë të hapjes të hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë. Hapet në Tiranë si një sinjal kuptimplotë dhe si një vlerësim të Shqipërisë në hartën europiane", tha Rama.
Lajmi kryesor: