Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lezhë aty ku inspektoi punimet e shkollës 'Llesh Nik Daka' e dëmtuar nga tërmeti, së bashku me kryetarin e bashkisë Pjerin Ndreu dhe ministrin për Rindërtimin Arben Ahmetajn.

Shkolla është rindërtuar nga fillimi, ndërsa Rama ka vendosur si kusht përfundimin e saj me 26 nëntor. Por teksa pyeti një nga inxhinierët ai tha se do të jetë gati në fund të dhjetorit. Për këtë kryeministri ishte i prerë: 'Nëse kompania nuk e mbaron shkollën me 26 nëntor do të futet në listë të zezë'.

Gjithsesi kjo ishte një keqkuptim në përllogaritje pasi inxhinieri përfshiu ndërtimin edhe të një tjetër godine. Ndërkohë ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj deklaroi: "Shkolla do të kushtojë 2.5 milionë dollarë. Pjesën e laboratorëve ia kemi lënë Ministrisë së Arsimit. 7 metra nën dhe janë themelet dhe për 30 ditë kemi kaluar në katin e dytë."

Objektivi i qeverisë është ndërtimi i 143 shkollave të reja në zonat e prekura nga tërmeti.