Kryeministri Edi Rama shprehet se për shqiptarët Bashkimi Europian është si një fe. I ftuar në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale, në Londër, kreu i qeverisë tha se edhe politika vendase në Shqipëri, pavarësisht se është tejet e polarizuar, ajo është plotësisht e bashkuar kur bëhet fjalë për Bashkimin Europian.

“Sa herë që kam shansin të takoj Volodymyr Zelenskyn dhe më pyet si je, si po shkojnë gjërat, unë i them që kur të shoh ty, vendi im është më i lumturi i botës dhe vendi im është parajsa. Gjithçka është relative. Jemi bërë në një mënyrë të tillë që të kemi prirjen t’ia harrojmë të keqen dhe nuk mjaftohemi kurrë me të mirën, por në fund të fundit mendoj që Shqipëria është në një pozitë të mirë. Tani jemi në një moment përshpejtimi shumë të madh në rrugëtimin tonë drejt BE-së. Ata e kuptojnë që duhet të bëjnë gjithçka për të bashkuar Ballkanin Perëndimor në BE. Tani e kuptojnë që BE është i vetmi realitet në historinë e hartave që ka dy kufij, një të jashtëm dhe një të brendshëm. Brenda atij të brendshmi gjendemi ne, Ballkani Perëndimor. Nëse gjërat do të vazhdojnë si sot, besoj që brenda kësaj dekade do të jemi anëtarë të BE-së. Vizioni i Shqipërisë përcaktohet shumë nga historia jonë. Ne nuk kemi pasur kurrë mundësinë që të kishim një moment që të jetonim sipas mendjes tonë. Kemi pasur forca të tjera që na janë imponuar. Tani është momenti kur ne jetojmë sipas zgjedhjes sonë dhe duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Për ne në Shqipëri Bashkimi Europian është një fe. 92% e njerëzve duan që Shqipëria të jetë në BE. Kemi një politikë të polarizuar që nuk biem dakord sa është ora, por kur bie fjala për Bashkimin Europian, të gjithë jemi bashkë”,-tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale: BE për ne në Shqipëri është si fe! Europa, duket si një gjigand i vjetër e i lodhur, duhet të zgjohet (VIDEO)