Vendi ka nevojë për një President normal dhe detyrimi i mazhorancës është t'i kthejë dinjitetin asaj zyre. Angazhimin e ka marrë sot në mbledhjen me Grupin Parlamentar të PS-së, Kryeministri Edi Rama.

Ai tha se duke qenë se situata në PD me 2 parti kjo e bën të vështirë dialogun dhe për këtë arsye konsultimin PS do ta bëjë me popullin shqiptar.

"Në muajin prill do të zgjedhim presidentin e Republikës. Krijimi i 2 Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku duhet ta kërkojmë dialogun me opozitën. Por ne duhet të mendojmë edhe mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Duhet të marrim opinionet e njerëzve për figurën e Presidentit të Republikës, pas disa figurave që e kanë degraduar figurën e kreut të shtetit. Ne duhet t'i japim shqiptarëve një njeri moral, që t'i kthejë identitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës. Do ta gjejmë këtu brenda territorit tonë, por edhe territorit shpirtëror të kombit shqiptar, se mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë. Por detyrimin e kemi të zgjedhim një njeri normal. Prandaj unë do t'ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens. Dhe kushdo që ka ndonjë ide ta ndajë atë me drejtuesit e grupit", tha Rama.

Menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës për ccështjet madhore të vendit, duke mos e përjashtuar edhe zgjedhjen e Presidenti të Republikës.

Por përplasja e ashpër në PD, ndarja e pakthyeshme në 2 kampe, atë të Berishës dhe Bashës, e ka bërë edhe Kryeministrin që të ndërrojë mendje.

Edhe para disa javësh Rama tha se edhe pse do të kishte dëshirë që për zgjedhjen e presidentit të ri të bashkëpunonte me opozitën për një emër konsensual, sot në situatën ku ndodhet PD kjo bëhet e vështirë.  Rama ironizoi duke thënë se këtë e tha kur partia kishte kryetar, ndërsa sot nuk di se më kë duhet të flasë

“Këtë e kam deklaruar kur opozita kishte kryetar, sot mbetet ne parim, por për momentin nuk kemi me ke flasim”, tha Rama.

Kujtojmë se sidoqoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin apo jo të Presidentit Ilir Meta, vendi do të ketë një President të ri këtë vit. Nëse Meta 'falet' nga Kushtetuesja atëherë më 24 korrik 2022 në karrigen e tij do të ulet një tjetër. Procedura e zgjedhjes së Presidentit është paraparë në nenin 87 të Kushtetutës. Procedura për zgjedhjen e Presidentit nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës, kështu që maksimumi në gjysmën e parë të majit do të kemi një President të ri.