Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Berati se nga pranvera do të linçohet Programi Kombëtar i Punësimit. Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri deklaroi se punësimi ishte një ndër temat e rëndësishme që u diskutua.

Rama theksoi se për çështjen e punësimit është ndërtuar një rreth i mirëbesueshëm me ekspertizë të huaj, me Bankën Botërore, me donatorët e tjerë dhe me ekspertizën më të mirë vendase dhe të gjitha ministritë. Ai e bëri këtë deklaratë në përfundim të mbledhjes së qeverisë, e cila këtë të premte u ndal në qytetin e Beratit.

"Shikoj që paskeni ardhur edhe nga Tirana. Keni bërë shumë mirë, se Berati është bërë shumë më i bukur seç ka qenë kur kemi qenë herën e fundit. Ne jemi këtu, në kuadër të angazhimit që çdo muaj qeveria mblidhet në një qark. Mblidhet në një qark për një arsye shumë të thjeshtë, por në këndvështrimin tim dhe të rëndësishme, për të adresuar problematikat e qarkut përkatës, për të diskutuar dhe ndarë me publikun në qark programet e zhvillimit të qarkut përkatës.

Në vijim të ditës së sotme, ne kemi një prezantim publik për portofolin e qarkut të Beratit, kështu që nuk po zgjatem më tutje në këtë aspekt, pasi do t’i dedikohet një hapësirë dhe një kohë e veçantë dhe patjetër ju mund të bëni edhe pyetjet tuaja që lidhen po me qarkun ku ndodhemi sot. 
Nga ana tjetër, qeveria ka pasur në fokus disa vendime që synojnë të rrisin cilësinë e ndërveprimit midis agjencive të qeverisë, pushtetit vendor dhe qytetarëve në funksion të këshillimit profesional, shërbimeve sociale dhe punësimit. 

Për këtë arsye është miratuar dhe krijimi i fondit social që shkon në drejtim të decentralizimit të shërbimeve sociale. Por jo vetëm kaq, bën të mundur krijimin e një fondi të përbashkët mes bashkive dhe qeverisë dhe të gjitha ato financime që deri më sot janë bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qendra pra, nga lart, nga qeveria në komunitet, tani janë në dispozicion të atyre që aplikojnë për të marrë pjesë në këtë proces për të dhënë shërbime sociale, për të ngritur qendra të shërbimit social, gjë që nuk është një shpikje e jona, është një eksperiencë dhe një praktikë e mirë në shumë vende, edhe në rajon dhe që ne besojmë se do të na japë një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt. Qeveria pra autorizon bashkitë për të ngritur shërbimet sociale sa më pranë nevojave dhe sa më pranë kërkesave specifike të komuniteteve dhe të qytetarëve e në çdo bashki.

Së fundi, kemi diskutuar edhe për statusin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si dhe për programin kombëtar të punësimit, që është një sfidë e madhe e qeverisë dhe që ka nisur të hartohet bazuar në programin tonë qeverisës, por jo si strategji, as si një projekt qëllimmirë me objektiva të caktuara, por jo të detajuar në çdo aspekt, por si një program i mirëfilltë dhe i detajuar sektor për sektor i punësimit, që ne kemi objektivin ta lançojmë publikisht në pranverë.

Për këtë Program Kombëtar të Punësimit 2018-2021, ne kemi ndërtuar një rreth të konsiderueshëm të mirëbesueshëm me ekspertizë të huaj me Bankën Botërore, me donatorë të tjerë dhe sigurisht me ekspertizën më të mirë vendase si dhe me të gjitha ministritë e përfshira në procesin e punësimit. 
Këto ishin ato që mund të them nga mbledhja që sapo përfunduam, ndërkohë që pyetjet tuaja jam i bindur do të plotësojnë edhe interesimin për këtë pjesë të parë të aktivitetit tonë", tha Rama.

d.c./shqiptarja.com