TIRANË- Shqipëria është një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj për të kaluar pushimet dhe këtë e tregojnë edhe shifrat. Nga data 1-15 gusht, në vendin tonë kanë hyrë mbi 800 mijë turistë të huaj në Shqipëri, një shifër e bërë publike nga kryeministri Edi Rama. Ajo që kreu i qeverisë është kujdesur të theksojë është se kjo shifër, është 4.5% më e lartë se në vitin 2019, pra para pandemisë.
Mbi 800 mijë turistë të huaj në vend për një periudhë 15 ditore, përkthehet në më shumë të ardhura për sektorin e turizmit në vendin tonë që ka qenë edhe një sektorët më të goditur si pasojë e COVID-19.
" Lajme të mira për Shqipërinë destinacion turistik. Nga data 1-15 Gusht kanë hyrë 859,316 shtetas të huaj, që janë 4.5% më shumë se e njëjta periudhë e 2019, dmth para pandemisë", ka shkruar Rama.
Është tashmë një fakt që turistët nga Kosova janë më besnikët e bregdetit tonë të cilët asnjëherë, as një verën "e vështirë" të 2020 nuk braktisën Shqipërinë. Kjo ka sjellë edhe një trafik të rënduar në aksin Milot-Lezhë, pasi shqiptarët e Kosovës preferojnë më së shumti bregdetin e Shëngjinit, kjo edhe për shkak të afërsisë gjeografike apo edhe çmimeve më të favorshme, krahasuar me ato se çfarë ofron jugu i vendit. Më pas, renditen polakët dhe ukrainasit, për t'u ndjekur edhe nga zvicerianët, të cilët preferojnë jo pak vendin tonë.