HOLANDË-Në ditën e tretë të vizitës së tij në Holandë, kryeministri Rama ia kishte rezervuar një bashkëbisedimi me biznesmenë Holandë të cilët mund të investojnë në Shqipëri. I shoqëruar nga ministret Balluku dhe Ibrahimaj, Rama u parashtroi biznesmenëve avantazhet e investimit në Shqipëri, si një vend që ofron mundësi të shumta dhe lehtësi të ndryshme.

Një lajm të mirë ai e kishte për të gjithë. Duke folur për bashkëpunimin me gjigandin SHELL, kryeministri tha se kjo kompani gjatë kërkimeve në Shqipëri ka zbuluar se në nëntokën shqiptare mund të ketë një sasi shumë të madhe gazi dhe nafte, që sipas tij jo vetëm do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë por edhe ndikon në Evropë.

“Në kemi shumë shpresë se së shpejti mund të ndajmë me opinionin publik një zbulim shumë të rëndësishëm që SHELL-i po arrin në vendin tonë. Ata hezitojnë për momentin të flasin për shifra. Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës nën tokë, që do të ndikojë të ardhmen e vendit tonë por edhe do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se prezenca e investitorëve nga Holanda në vendin tonë është shumë e madhe por potenciale është për të pasur shumë më shumë.

I pyetur nga disa prej sipërmarrësve të pranishëm, Rama ceku edhe çështjen e stabilitetit politik. Ai tha se ky nuk duhet të jetë një shqetësim pasi Shqipëria është një vend mikpritës kundrejt kompanive të huaja.

Në takim folën edhe ministret Ibrahimaj dhe Balluku. Ministrja e Financave u shpreh se vendi ynë ka një kuadër ligjor shumë pozitiv për investimet e huaja. Ajo tha se një investim i huaj në Shqipëri është sikur ta bësh për dhjetëra milionë pasi me ‘Ballkanin e Hapur’ tregu do të bëhet edhe më i madh.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku foli në lidhje me investimet dhe projektet që po kryhen në vendin tonë. Ministrja Balluku tha se ka nisur puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, i cili sipas Ballukut, synon që të ofrojë fluturime përtej oqeanit.

Gjatë vizitës në Holandë, Kryeministri Rama pati një takim me homologun holandez Mark Rutte. Kryeministri i Holandës tha se vendi i tij mbështet fort Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe për të treguar, kryeministri Martk Rutte tha se dy vendet po planifikojnë që të kenë një nismë të përbashkët anëtarësimin në familjen Europiane.  Nga Amsterdami, në konferencën e përbashkët për mediat, Rutte doli hapur pro 'Open Balkan', duke e cilësuar si një nismë tepër pozitive, që përshpejton procesin e integrimit për Shqipërinë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:42
Investitori holandez e pyet për stabilitetin politik, Rama: S’ka asgjë për t’u shqetësuar, ne kujdesemi mirë për kompanitë e huaja

 

Kryeministri Edi Rama tha se stabiliteti politik në Shqipëri nuk ka pse t’i shqetësojë investitorët e huaj. Sipas kreut të qeverisë Shqipëria është një vend mikpritës kundrejt kompanive të huaja.

‘Dëgjo Shqipëria ka një element specifik do të thoj përtej stabiliteti apo jo stabilitetit ngushtësisht politik. Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj të huajve të huajt që vijnë në Shqipëri marrin një trajtim shumë të veçantë. Shqipëria është më së shumti një vend i cili është zhvilluar nga një ndjenjë shumë e fortë mikpritje. Po kemi protesta, jemi në një vend ku të gjithë janë kryeministra më vete dhe kryeministri vetë krijon shumë bezdi. Është një element spazmatik i jetës sonë. Duket si Holanda mendoj se ajo që po kaloni me fermerët do të quhej dhunë brutale. Nuk kemi asgjë për t’u shqetësuar për stabilitetin politik pasi ne kujdesemi mirë me kompanitë e huaja. Kemi krijuar një skuadër të rripit të zi, e cila merret me një projekt të caktuar dhe bëhet zyra mbështetëse e kompanisë. Është kjo skuadër e rripit të zi, nëpunës civil të shtetit që bëjnë gjithçka për t’ju gjendur pranë kompanive, që të mos ndeshen me burokraci.’- tha Rama.

Ora 10:40
‘Kërkonte blinda dhe njerëz të armatosur’, Rama rrëfen historinë me VIP-in që kishte frikë të vinte në Shqipëri

 

Perceptimi i Shqipërisë në botë është një problem i madh për vendin, edhe për faktin se nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Gjatë fjalës së tij me përfaqësuesit e biznesit në Holandë Kryeministri Rama i mëshoi kësaj çështje dhe rrëfeu historinë me një person VIP nga Holanda, i cili nuk donte të vinte në Tiranë, sepse ndihej i pasigurt.

“Një holandez VIP që erdhi në Tiranë, nuk do e përmend se kush është. Dhe mora një mesazh nga Drejtori i zonës VIP nga aeroporti. Të lutem më merr urgjentisht. Thash mos ka një zjarr apo bombë, apo zjarr katastrofik. Se pse më duhej që të merrja urgjent aeroportin. Ajo më thotë se jemi në një situatë unike. Kemi një VIP me dhjetëra njerëz që nuk duan të hyjnë në Tiranë. Ka ardhur por nuk do që të vij aty. Po nuk do të vij se nuk ndihet i sigurt. Po kërkon automjete të blinduara dhe mjete të armatosura. Më pas më thotë se kush ishte ky person. I thash se mund të marrë gardën e Republikës. Ai kërkonte armë të rënda. Pas 45 minutash mora një mesazh që personi në fjalë kishte mbërritur. Ai erdhi dhe më thotë ju detyrohem një ndjesë të thellë, sepse jam njeri që udhëtoj por nuk më ka ndodhur kurrë që të bie në një grackë kaq të madhe me atë që prisja dhe atë që gjeta. Më ka ndodhur në një grackë  të madhe midis asaj që prisja dhe asaj që pashë, më tha. I   thashë nuk je i vetmi, të gjithë biem në këtë gracke midis perceptimit të krijuar nga lajmet. Deri ma tani nuk kam parë asnjë grua të mbuluar edhe pse është vend  europian.  I thashë se është tërësisht një vend europian”, tha ndër të tjera Rama.

Ora 10:21
Ministrja e Financave me biznesin në Holandë: Shqipëria, lehtësira fiskale dhe mundësi shumë të mira për investitorët

 

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në takimin me biznesmenët holandezë, tha se Shqipëria ka një kuadër ligjor shumë pozitiv për investimet e huaja.

“Ne kemi një kuadër ligjor mjaft miqësore për investuesit. Kemi një ligj për investimet strategjike, që mbështetet në vlerën dhe numrin e vendeve të punës që krijon ky investim. Kemi disa sektorë strategjikë si energjia apo turizmi. Kemi lehtësira fiskale për disa fusha. Po kështu kemi zhvilluar një sërë zonash të lira për zhvillimin ekonomik. Për vendet si ky i yni investitorët përqendrohen për të marrë lehtësira sa i takon taksave. Investimi në Shqipëri dhe pasja e marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë do të nënkuptojë që ju mbërrini në një treg shumë milionësh për shkak te tregut që ne duam të bëjmë përmes ‘Ballkanit të Hapur’”, tha Ibrahimaj.

Ora 10:21
Ministrja e Infrastrukturës: Aeroporti i Vlorës synon që të ofrojë fluturime përtej oqeanit

 

Në një takim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë në Shqipëri, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku foli në lidhje me investimet dhe projektet që po kryhen në vendin tonë. Ministrja Ballaku tha se ka nisur puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, i cili sipas Ballukut, synon që të ofrojë fluturime përtej oqeanit.

'Po presim me padurim rezultatin e eksplorimit e SHELL, pa na dhënë detaje e shifra lidhur me atë se çfarë presim, është e sigurt që Shqipëria do jetë një nga vendet që do të prodhojë një sasi të konsiderueshme nafte dhe gazi e ndarë në 60% për naftën dhe 40% për gazin.

‘Royalhaskoning’, ato patën mundësi të konkurronin në një tender me 40 kompani të tjera europiane ndërkombëtare, të cilat fituan procesin ne vlerësuam përvojën dhe punën e shkëlqyer të kompanisë. Ato kanë 8 muaj që punojnë me ne dhe po realizojnë një projekt të madh portin e ri në Porto Romano dhe që do të ndryshojë të gjithë sektorin në mbarë Ballkanin dhe jo vetëm në Shqipëri. Po punojmë shumë ngushtë së bashku. Shqipëria prodhon 100% energji të ripërtëritshme 99% janë hidrocentralet. Po punojmë të shtojmë burime të ri energjie me energji të rinovueshme. Po punojmë që të gjitha burimet e ripërtëritshme nuk janë tërësisht në kontrollin e njeriut. Kemi 3 vite të njëpasnjëshme thatësirë. Në paketën e energjisë ne po hedhim hapa shumë të rëndësishme para dhe jemi të angazhuar që t’i qëndrojmë dhe të respektojmë agendën e gjelbër.

Lidhur me infrastrukturën Shqipëria është një vend që rritet dita e ditës.Kemi nisur që të transformojmë sektorin e aviacionit civil. Një prej aeroporteve më të mëdha në rajon ka nisur që të ndërtohet në Vlorë, i cili synon që të jetë ofrojë fluturime nga përtej oqeanit që aktualisht nuk është diçka që behet në rajon, por Vlora do ta ofrojë këtë, me një pistë prej 3.2 km Vlora do të mund të presë të gjitha fluturimet përtej oqeanit dhe ta kthejë Shqipërinë në një qendër për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu infrastruktura është një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.'- tha Balluku.