“Shqipëria ka nevojë për udhëheqjen e PS, ka nevojë për socialistët në krye pavarësisht të metave dhe gabimeve tona”. Pasi nderoi gjeneratën e parë të themeluesve të PS në Lezhë, në 35 vjetorin e partisë, kryetari dhe kryeministri Edi Rama hoqi vija të kuqe se ku ndahet kjo forcë politike nga rivalët e saj.
“Është njerëzilliku që ndan qartë PS me forcat e tjera. Është njerëzilliku që shqiptarët e ndjejnë përtej të gjitha shifrave e të dhënave që i sjell ata pranë PS. Njerëzillku na bën ne ndërtues jo shkatërrues alternativën më të mirë të shqiptarëve.
Nuk kanë lënë gjë pa thënë për familjen time, fëmijët e mi njerëzit e mi, të vdekurit në shtëpinë time. Kurrë nuk do dëgjoni të flas për familjet e tyre sepse kjo nuk është njerëzore, as europiane dhe qytetare”, tha Rama.
Kryesocialisti bëri një retrospektivë të ecurisë politike të PS, kur u burgos ish-lideri historik Fatos Nano, kur e akuzuan se i shërbente Millosheviçit apo atëherë kur zgjedhjet e 26 majit 1996 u kontrolluan nga shkopat e gomës, me të cilët rrahën barbarisht përfaqësuesit e opozitës socialiste.
“Vetëm PS qysh në krye të herës nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar. Ata që rrihnin gjoksin ditën e gjuanin me gurë PS natën furnizonin me naftë makinerinë e spastrimit etnik të Millosheviçit. Erdhi në qeveri kur kryetari i vet doli nga burgu dhe nuk thirri kurrë për hakmarrje. Nuk përdori pushtetin për paguar mbrapsht me të njëjtën monedhë atë dhe ata që e futën në burg”, tha Rama.
Kryeministri veçoi se reforma në drejtësi është kulmi i të gjithë shembujve që e dallojnë PS përballë forcave politike të cilat mbjellin dhunë, urrejtje e hakmarrje. Rama u kërkon socialistëve të ndihen krenarë për familjen e tyre politike, ku përfaqësojnë Shqipërinë e qytetëruar, dhe ku çdo individ bëhet pjesë e kontributit të madh për të çuar flamurin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në oborrin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Edi Rama nga Lezha komentoi akuzat që Partia Demokratike ka lëshuar në drejtim të tij dhe Partisë Socialiste. Rama tha se pavarësisht të thënave nga opozita, shumë prej të cilave i janë drejtuar dhe familjarëve e fëmijëve, as vetë ai dhe as anëtarë të PS nuk kanë zgjedhur rrugën e hakmarrjes, por atë të qytetarisë evropiane.
“Socialistët që nuk iu bashkuan dhunës, piramidave dhe shkatërrimeve dhe nuk mishëruan një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka që është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje. Pikërisht pse ne jemi të tillë, jo vetëm nuk ua kemi kthyer kusurin të tjerëve me të njëjtat mjete, nuk kemi kërkuar rrugët e hakmarrjes, por kemi pranuar baltën që na ka sjellë çdo ditë fortuna që është ngritur kundër nesh. Baltë ndaj familjes sonë, ndaj fëmijëve tanë.
Keni parë ndonjëherë që tu kthehemi atyre duke përdorur librin e tyre të shtëpisë? Asnjëherë. Nuk kanë lënë gjë pa thënë pa familjen time, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time, por kurrë nuk do dëgjoni që unë të flas për familjet e tij dhe të tyre dhe për të vdekurit në shtëpinë e tyre sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore. Në fund është njerëzillëku që ndan PS-në me forcat e tjera politike”, tha Rama.
Komente








