Nën dritën e yjeve dhe mes mureve shekullore të Kalasë së Lezhës, vargjet poetike morën jetë në një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe letërsisë. Në ballkonin panoramik të kalasë, poetë, shkrimtarë dhe artdashës nga Lezha dhe zona të tjera u bënë pjesë e aktivitetit “Poezi nën Yje”, duke shijuar magjinë e fjalës artistike në një atmosferë unike.

Poezia u ndërthur me muzikën dhe verën, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese për të gjithë të pranishmit.

Pjesëmarrësit vlerësuan organizimin e kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se aktivitete të tilla ndihmojnë në mbajtjen gjallë të traditës poetike që Lezha e ka kultivuar ndër vite.

Drejtori i Kulturës në Bashkinë Lezhë, Keler Sufja, u shpreh se përmes aktiviteteve të tilla synohet të nxitet interesi i brezit të ri për poezinë, letërsinë dhe vlerat kulturore të qytetit.

Mbrëmja poetike u organizua nga Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Klubin e Letrave “Ndoc Gjetja” zgjati rreth 90 minuta duke u kthyer në një festë të fjalës artistike dhe të kulturës në zemër të një prej monumenteve më simbolike të Lezhës, siç është kalaja e qytetit.